Andrea Gudha: Mjekësia dhe Mjeshtëria e Artit
Mjekësia është Art?
Po. Mjekësia është Art!
“Mjekësia është Arti i shërimit”, Hipokrati, shek. V p.e.s.
Populli thotë: “Kirurg duarartë”, “Mjeku të shëron me fjalë”.
Në Mjekësi: “Arti i lindjes dhe i mirërritjes së fëmijës”.
Hyrje
Historikisht ka ekzistuar një lidhje natyrale midis Mjekësisë dhe Artit.
Që në lashtësinë greke dhe në Rilindjen romake pamja fizike e trupit të njeriut kishte një ndjeshmëri dhe pasqyrim artistik tek artistët e kohës.
Bukuria fizike e njeriut tërhoqi vëmëndjen e njerëzimit që, në fillimet e tij.
Artistët e Rilindjes (shek.XV-të) si: Leonardo da Vinçi, Mikelanxhelo etj, bukurinë fizike të njeriut e vlerësonin me raportet anatomike të trupit të njeriut.
Pyetjes, se cili ishte kriteri për vlerësimin e Bukurisë? Orakulli i Delfinit iu përgjigj: “Kush është më i drejtë, ai është dhe më i bukur”.
Në vazhdim të këtij konteksti, tema e bukurisë shfaqet dendur në luftën e Trojës të shkruar nga Homeri. Sofisti Gorgia shprehej: “Bukuria, e pa përshkueshme e Helenës, e shfaqëson praktikisht vetë Helenën për të gjitha të këqijat e shkaktuara prej saj.Menelau, me t’u pushtuar Troja, do t’i lëshohej së shoqes besëshkelëse për ta vrarë, mirëpo, krahu me armën në dorë ngriu, sapo ai pa bukurinë dhe gjirin e zhveshur të Helenës” .
Marrëdhëniet shoqërore midis mjekëve dhe artistëve, historikisht kanë qenë të veçanta. Bisedat e tyre në tavolina kafeneshë apo, në takime, kishin një sharm inteligjence. Mirënjohja dhe respekti reciprok midis tyre ishte tepër i ndjeshëm e njerëzor.
Janë sinjifikative portretet e mjekëve të pikturuara nga mjeshtrat e pikturës botërore. Rembrant, në vitin 1632, i kushton një pikturë Dr. Tulp, gjatë zhvillimit të mësimit të anatomisë në trupin e kufomës me studentët e mjekësisë.
Francisco Goya, në vitin 1820 i ka kushtuar një pikturë mjekut Dr.Arrieta: “Në shenjë mirënjohje mikut tim Arrieta për përkushtimin dhe kujdesin, që ai tregoi për të më shpëtuar jetën, gjatë sëmundjes akute dhe të rrezikshme”.
V.Van Gogh, 1880 në diçiturën e pikturës me Dr. Felix Rey shkruan: “Në shenjë mirënjohje për trajtimin aq dashamirës…”.
Lidhjen natyrale midis Mjekësisë dhe Artit e gjejmë në mjaft vepra klasike të artit, me subjekte në fushën e Psikologjisë e Psikoanalizës si në: tragjedi, drama, filma, apo në pikturë etj…
I gjejmë në tragjeditë e Shekspirit, Don Kishoti i Servantes, Idioti i Dostojevskit, Komedia e Molierit, romanet e Stendalit, filmat e Hollivudit apo, në teatrin modern me psikodramën.
Ndër shekuj, marrëdhënia e Psikiatrisë me Artin ka qenë mjaft evidente.
Gjurmët e saj i gjejmë në mjaft vepra klasike të artit, sepse Mjekësia analizon dhe trajton pjesën subjektive e të padukshmen tek individi.
Psihiatria pagëzohet shpesh herë me termin “Kura e bisedës”. I dukshëm është roli aktoresk i psikoanalistit në fushën e Psikoanalizës. Psikoanaliza është një “trup teatrale” me dy aktorë: pacienti, që luan rolin e vet dhe mjeku psikoanalist, që luan rolin psikologjik. Psikoanaliza, që të funksionojë duhet që, mjeku dhe pacienti të jenë në harmoni dhe në ritëm të njejtë!
Diskutim
Eshtë një “simbiozë”, një lidhje e brendshme midis Mjekësisë dhe Artit me një emërues të përbashkët që është “Mjeshtëria artistike”.
Autoritetet shkencore sot e konsiderojnë Mjekësinë, jo vetëm si Shkencë, por edhe si Art. “Arti i Mjekësisë”!
Mjeshtëria artistike
Fjala “Art” rrjedh nga gjuha latine “Artis – Ars”, që do të thotë “aftësi artizanale, njohuri teknike”. Njerëzit, që kishin këto aftësi për një punë të caktuar, quheshin zanatçinj.
Në Europë, deri në periudhën e Rilindjes, nuk ka patur dallim të qartë në mes të zanatçiut: atij, që merresh me mjekësinë dhe, atij, që merresh me punë artistike. Zanatet brenda fushës së Mjekësisë grupoheshin me zanatçinjtë, p.sh. farmacistët ishin në një grup me shitësit e erëzave e parfumeve…
Kirurgët ishin në një grup me berberët dhe parukierët. Kirurgu do të dallohej nga berberi vetëm nga veshja. Ata, të veshur me fustan të gjatë dhe me kapele katrore në kokë, quheshin Berberë-Kirurgë dhe, ata me veshje të shkurtër, quheshin berberë. Mjekët kirurgë jepnin vetëm këshilla kirurgjikale, ndërsa operacionet kryheshin nga berberët. Në vitin 1745 u bë ndarja juridike midis kirurgut dhe berberit.
Në periudhën e Iluminizmit dhe, në veçanti, në atë të Romantizmit(Shek.XIX-të) , u bë përkufizimi profesional i fjalës “Art dhe artist”. Në këtë periudhë të Rilindjes, pikasin pikturat dhe skulpturat e Leonardo da Vinçi, (babai i Anatomisë topografike), Mikelanxhelo, Rafaello etj. Vetëm, në shek. XVI-të, puna e mjekut u njoh si profesion më vete. U bë dallimi midis midis punës së Mjekut dhe punës së Artistit!
***
Në Mjekësi kemi një ndërthurrje të mjeshtërisë artistike
Mjekësia, në përgjithësi, përmban gjithë përbërësit e mjeshtërisë artistike! Mjekësia nuk mund të ekzistojë pa intuitën, pa imagjinatën, pa fantazinë, pa përfytyrimin e pa kreativitetin, të cilat janë elemente të mirëfillta të Artit.
Mjeku dhe artisti e bazon punën e tij tek vëzhgimi dhe tek mjeshtëria teknike dhe estetike.
Personeli mjekësor në ushtrimin e profesionit ka nevojë për elementet e Artit: Shkathtësinë dhe saktësinë e violinistit, veshin e dirigjentit, mendimin e shkrimtarit, mprehtësinë dhe ndjeshmërinë e poetit, impulsivitetin e aktorit, aftësinë në dallimin e ngjyrave të piktorit, perceptimin e formave të skulptorit. Artisti në krijimtarinë e tij artistike ka nevojë për elementet e Mjekësisë.
Në vizitën mjekësor “Instrumentet” bazë të diagnozës janë shqisat njerëzore të personelit mjekësor: sytë, veshët, hunda, goja, duart . Mjeku, me anë të shqisave realizon me mjeshtëri teknikat tek pacienti: inspeksion, palpacion, perkusion, auskultacion, ashtu si piktori apo skulptori, që realizojnë një vepër artistike.
Episod mjekësor. Prof. Pandeliu u shpjegon studentëve të mjekësisë lendën e propedeutikës pranë shtratit të sëmurit: “Perkusioni. Kur ne trokasim mbi mushkëritë e pacientit me majat e gishtave dhe dëgjojmë një tingull të thellë,mbytës, kjo tregon për praninë e një lëngu apo infeksioni në mushkëri. Auskultacioni. Kur dëgjojmë me stetoskop zemrën dhe dëgjojmë një jehonë zhurme mbi një arterie kryesore, kjo tregon për një enë të ngushtuar apo për një bllokim të pjesshëm të arteries. Kur gjatë frymëmarrjes së pacientit dëgjojmë rale,”fishkëlluese”,”krepitante” apo “të thella”, këto na tregojnë për mos funksionimin normal të bronkeve, kurse, kur ne dëgjojmë një ekofoni, kjo na tregon për çarje të pleurës, që mbështjell mushkëritë”.
Në disa nënspecialitete të Mjekësisë, mjeshtëria artistike del në plan të parë, p.sh. në kirurgji, neurokirurgji, kirurgjinë plastike, ORL, ortopedi, stomatologji, kirurgji e dermatologjinë estetike, si dhe në ndonjë fushë tjetër. Artistikisht, në ditët e sotme, ajo gjen aplikim dhe në transplantin e qelizave e organeve…
***
Ku ndahet puna e mjekut dhe puna e artistit?
Midis Mjekësisë dhe Artit ka dallim thelbësor.
Puna në Mjekësi duket si Art i mirëfilltë, por thelbi i saj mbetet gjithmonë shkencor.
Mjeku nuk ka përpara një objekt, por një qenie njerëzore!
Mjeku, gjatë ushtrimit të profesionit: kupton, vepron dhe ndjen dhe nuk drejtohet nga emocionet e çastit, por vë në funksion trurin, mendjen, zemrën dhe shpirtin e tij. Mjeku, vëzhgimet, impresionet dhe konstatimet i hedh në planin e tij terapeutik. Mjeku, planin terapeutik ndaj pacientit, detyrimisht ia nënshtron arsyes, ndërgjegjes, moralit dhe verifikimit të rreptë shkencor.
Kirurgjia plastike korrigjuese dhe rindërtuese e fytyrës konsiderohet tejet e vështirë, sepse këtu përfshihen dijet e kirurgut, specializimi adekuat, talenti, guximi, logjika në komunikim me subjektin, koha e ndërhyrjes, përgjegjësia, në krahasim me skulptorin apo piktorin, të cilëve u duhet vetëm talenti dhe koha në dispozicion për të kryer veprën e tyre, që zgjat ndoshta edhe me vite.
Artisti, para veprës artistike, drejtohet nga emocionet e çastit (muza, frymëzimi) dhe vë në funksion shpirtin e mendjen. Artisti, përfytyrimin, fantazinë e intuitën i hedh në veprën e tij artistike: kompozime, poezi, pikturë, skulpturë, romane etj. Puna e artistit krijohet mbi idenë e së bukurës e dominuar nga ana estetike, ku vëzhgimi, shqisat dhe emocionet e tij janë të dorës së parë.
Piktori bën kombinimin e ngjyrave për të marrë një ngjyrë të caktuar dhe, kështu, arrihet efekti artistik. Mos kombinimi i duhur i ngjyrave në një pikturë, ndikon vetëm në ngarkesën emocionale të pikturës. Piktori mund ta ribëjë përsëri pikturën…
Artisti kupton, vepron, por nuk e ndjen veprën artistike. Buza e piktorit apo e skulptorit në vepër, krijon imagjinatën tek shikuesi, kurse kirurgu plastik realizon funksionin e saj biologjik, natyral.
P.sh. Goja dhe buzët e Mona Lisës së Leonardo Da Vinçit të krijojnë ndjesinë e imagjinatës, por u mungon funksioni i vërtetë biologjik: tingulli i zërit, ndjenja mishtore (puthja) etj.
Mjekët diferencohen ndërmjet tyre nga interpretimi i imazhit dhe veprimi realist ndaj pacientit.
Artistët diferencohen ndërmjet tyre nga mënyra e perceptimit dhe realizimit të veprës artistike.
Përjetësia!
Puna e gjallë artistike e mjekut e ka jetën të shkurtër, sepse humbet sëbashku me jetën e pacientit. Mund të ngelen vetëm disa foto të pacientit ndoshta, sëbashku me mjekun kurues…
Puna artistike e artistit si: skulptura, piktura, muzika, mbeten ndërshekuj të “gjalla”, të admiruara nga brezat e ardhshëm edhe pas vdekjes së artistit. Leonardo Da Vinçi dhe Giuseppe Verdi janë larguar prej shumë kohësh nga kjo jetë, por piktura e famshme Mona Lisa dhe opera Nabucco janë në përjetësi…
Augusto Guzzo ( italian, shek. XX-të) citon:
“Shkenca dhe Arti nuk e kundërshtojnë dhe nuk e pengojnë njera tjetrën… Shkencë nuk ka Art dhe, pa Art nuk ka Shkencë”!
Konkluzion
- Mjekësia e frymëzon Artin me subjektin.
- Arti e ndihmon Mjekësinë me mjeshtërinë artistike.
- Mjeku artist është privilegj për pacientin!
Informacion plus:
- You Tube Andrea Gudha Mjekësia dhe mjeshtëria e Artit
- You Tube Andrea Gudha La Medecine et la maitrise de l’Art
- You Tube Andrea Gudha Mjekë artistë shqiptarë
- You Tube Andrea Gudha “Médecins artistes albanais”