Janullatosi shqiptar? Mirëpo “Paqja” nuk zbret dot akoma në mes nesh!…
Artur Zheji
Presidenti Meta bëri një gjest të njëanshëm, duke dekretuar nënshtetësinë e Janullatosit dhe duke ç’pluhurosur pas 25 vitesh kërkesën e kryepeshkopit, për nënshtetësinë shqiptare.
Si të gjitha veprimet paqedashëse të njëanshme, ky është një veprim që përkon me Krishtlindjen dhe që kultura liberale, në fushë të fesë e bektashinjve, e bën lehtësisht të mundur.
Janullatosi kishte mundësinë në harkun e 24 orëve të thoshte: “Faleminderit!”, ose së paku të rrëfehej sadopak shqiptar dhe jo vetëm grek, në krye të Kishës Ortodokse të Shqiptarëve!
Zoti, Perëndia apo Hyjnia, e solli rastin menjëherë. Një grup besimtarësh shqiptarë ortodoksë, shkuan në Përmet të bëjnë një meshë përkujtimore për një prift shqiptar, të masakruar në vitin 1917, sepse meshonte në gjuhën arbërore.
Mirëpo me urdhër, sepse sistemi kishtar ortodoks, është shumë i disiplinuar, Kisha ortodokse e Përmetit, u mbyll me zinxhirë, për të mos lejuar meshën në kujtim të shqiptarit hero shqipdashës, At Stathit, për tu kujtuar, për tu respektuar, për të mbijetuar kohërave në Tokë të tij.
Çfarë domethënë kjo?
Që Përmeti është Vorio-Epir? Që kisha e shqiptarëve mbyllet me zinxhirë ditë të Diel, për arsye të panjohura, për të penguar përkujtimin e At Stath Melanit?
Mos duhet tani që Presidenti të shkojë në Përmet dhe të heqë zinxhirët edhe për At Stathin, ashtu si edhe hoqi “zinxhirët” që pengonin shtetësinë shqiptare për Anastas Janulullatosin?
At Nikollë Marku, ka edhe ai mbi 20 e më shumë vjet që rri i ngujuar, në Kishën historike shqiptare të Elbasanit, i urryer dhe i luftuar nga struktura klerike ortodokse “shqiptare”, që nuk njeh Fan Nolin, dhe etërit themelues të Autoqefalisë së Kishës ortodokse shqiptare.
Mirëpo asnjë politikan, nuk e viziton At Nikollë Markun, megjithëse ai ka vendosur në varfëri të thellë dhe të dhimbshme, një flamur shqiptar në krye të Kishës, meshon shqip dhe ruan deri në vdekje vlerat shqiptare të Kishës së vjetër të Elbasanit. Madje At Nikollë Marku nuk ka asnjë titull mirënjohjeje nga Shteti shqiptar dhe dikush kur ja përmenda, më kujtoi se më parë, në kohë të komunizmit, kishte qenë thjesht një marangoz.
Pikërisht atë zanat që kish pasur mbi 2000 vite më parë, Jozefi, bashkëshorti i virgjëreshës Marie, nënës biologjike të Jezu Krishtit. Ndërkohë që në Përmet, u fol për një prift zyrtar që kishte qenë ish polic në kohë të komunizmit…
Porse ata që mbyllën me zinxhirë derën e Kishës së Përmetit, për të ndaluar Ringjalljen e Kujtimit të At Stath Melanit, në ditë Krisht-Lindjeje, na bënë një shërbim shumë të mirë: Na rizgjuan akoma edhe më fort Kujtesën, se mjerisht “lufta e veladonëve vazhdon”.
Se besimi i Krishterë ortodoks, pavarësisht nënshtetësisë së re shqiptare të Janullatosit, është, krejt kundër Besimit të Krishterë, një arenë e luftës politike të ftohtë dhe qindravjeçare, ndërmjet shqiptarëve të çoroditur dhe të përçarë në intriga politike të brendshme dhe që ka përballë, një strategji të marrë dhe të pandërprerë dhe helenizuese të Kishës ortodokse shqiptare.
Mirëpo kjo luftë me zinxhirë dhe mallkime të mërmëritura, luftë e humbur e shqiptarëve, ka në krah të shqipove një aleat të Madh, ose e thënë ndryshe, vetë: Të Vërtetën e Perëndisë!
Që nuk manipulohet dot si edhe duket nga tokësorët.
Ndryshe nuk do të kishte Shqipëri, megjithëse kemi në mes tonë shumë pak shqiptarë, që meritojnë të quhen të tillë. /360grade.al/