Albspirit

Media/News/Publishing

Shqiptarët humbën dy ministri në Qeverinë e Zaevit

Si pasojë e zënkave dhe konflikteve politike, partitë shqiptare humbën dy poste ministrore në Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri socialdemokrat Zoran Zaev. Shqetësimi i tillë vjen nga diplomatë europerëndimor që janë të shqetësuar nga kjo dukuri e përçarjeve të partive shqiptare, që duke u marrë mes vete, humbin agjendat e tjera të shtetëformësisë dhe vendimeve të rëndësishme. “Është dëshpëruese se në fillim kishte një shpresë se dy parti shqiptare do të bashkëpunonin dhe do të ishin faktor i rëndësishëm dhe vendimmarrës në Qeverinë e re, por ndodhi e kundërta. Ato duke u përplasur ashpër me njëra tjetrën humbën peshën e tyre. Në situata kur bëhet luftë e tillë përfiton i treti. Kjo situatë ishte edhe gjatë qeverisjes së kaluar”, ka theksuar për INA një diplomat europerëndimor.

Shqiptarët në Qeverinë e re ishin të përfaqësuar me ministrin e Shëndetësisë që sipas ndarjes së kulaçit qeverisës i kishte takuar Aleancës për Shqiptarët, por që pas zgjedhjeve si pasojë e acarimit të raporteve mes ASH dhe BDI, krijoi rrethanat e reja që LSDM të zaptojë këtë dikaster ministror. Po ashtu sot nuk u votua edhe ministri për Investime, që i takonte BDI dhe që udhëhiqej nga Ramiz Merko. Nuk dihen rrethanat pse nuk u zgjodh ky ministër, apo po bëhen kalkulime për përfshirjen e një partie tjetër në Qeveri, siç po përflitet PDSH. (INA)

Please follow and like us: