Albspirit

Media/News/Publishing

Diplomacia shqiptare, nga fotografia me Trumpin, tek Jerusalemi

Rafael Floqi

Të jesh diplomatik do te thotë ta transformosh vogëlsinë e një shteti në një pasuri kur promovojnë interesat kombëtare dhe ndërkombëtare. Edhe shtetet e vegjël mund ta kryejnë diplomacinë e tyre duke ndjekur objektivat e tyre të politikës së jashtme dhe për të menaxhuar pjesëmarrjen e tyre në bashkësinë globale të kombeve. Kjo ka dy aspekte si premisa: diplomacia siç është praktikuar nga shtetet e vogla në mesin e temave dhe metodave themelore të diplomacisë në përgjithësi; dhe në atë se shtetet e vogla, megjithatë të përcaktuara, janë partnerë të nevojshëm dhe aktivë në bashkësinë globale të kombeve. Është fatkeqësi se diplomacia shqiptare mbetet edhe sot në rastin më të mirë diletante.
Votimi i Republikës së Shqipërisë në OKB, lidhur me rezolutën që kundërshtonte vendimin e SHBA-ve për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit, me të drejtë është kthyer në një temë debati mjaft të nxehtë, por një debat në një gotë uji edhe në vendin tonë. Për askënd nuk është e tepërt të japë mendimin e tij, por duhen shmangur diletantizmit me pro amerikanizmin e shqiptarëve. Problemi është madhor po të shihet në këndin e gjerë se ka të bëjë me aleancat strategjike të vendit e për rrjedhim kushdo ndjehet i interesuar.
Për shtetet e mëdha të botës, mjetet më të sigurta, nëse jo ndoshta ideale, të vetë-ruajtjes janë përdorimi i fuqisë . Termi, “fuqi e madhe”, në thelb do të thotë se vendi i klasifikuar në këtë mënyrë është i aftë, nëse është e nevojshme, për të mbrojtur veten dhe për të mbrojtur interesat e tij – duke vepruar vetëm. “Vende të vogla” është një term reciprok. Me përkufizim, një “vend i vogël” është ai që nuk mund ta mbrojë veten nga përpjekjet e veta. Vendet e vogla kërkojnë aleatë – ose janë aleatë. Duke shtuar veten në koalicione, ata mund të shpresojnë ose të kontribuojnë në kundër balancimin e një fuqie të madhe kërcënuese ose për të siguruar sigurinë e tyre duke u hedhur në anën e fuqisë kërcënuese. “”Balancing” dhe “bandwagoning” – këto dy strategji alternative bazë janë quajtur në shkencën politike bashkëkohore. Po për shtetet e vogla, si Shqipëria besoj se as kjo strategji nuk është e përshtatshme. Shtetet shumë më të vogla në sistemin ndërkombëtar – ato 2.5 milion ose më pak në popullsi – vështirë se mund të mbështeten në fuqinë e tyre ose të të tjerëve, sepse nuk kanë mjaft peshë sa për të kontribuar në lojë. (Diplomacy And Small States In Today’s World Alan K. Henrikson).
Tani te kthehemi tek problemi i fundit i votës të Shqipërisë krahas 128 vendeve te tjera ne ndryshim nga vendimi i presidentit Trump dhe SHBA ne favor te status quo-se dhe njohjes se Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit. Nëse do të shprehja vendimi im unë mendoj se do të ishte më mirë për Shqipërinë të abstenonte në atë votim dhe ky abstenim do të ishte i kuptueshëm. SHBA vëzhgojnë se cilët vende e mbështesin në kohë të vështira, prandaj, qëndrimi më i mirë për Shqipërinë do të kishte qenë që ajo të kishte abstenuar. Dikush arsyeton se në prag të pritjes të ftesës për të aderuar në BE, Shqipëria është përpjekur të tregohet më e afruar me Evropën duke menduar se nuk prish ndonjë punë me aleancën me Amerikën.
Ndërkohë, Departamenti amerikan i Shtetit reagoi duke thënë se mënyra se si kanë votuar vendet e ndryshme nuk është i vetmi faktor që administrata amerikane do të mbante parasysh në marrëdhëniet e SHBA me vendet që zgjodhën të votojnë pro rezolutës.
Ministri Bushati reagoi për këtë duke thënë Në politikë të jashtme nuk e kemi luksin të mos dallojmë faktet nga trillimet. Për ata që ende besojnë te faktet, vota e Shqipërisë dje në “Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara nuk është një votë kundër SHBA, por shprehje e qëndrimit tonë koherent, parimor e të pandryshuar në vite, bazuar në konsensusin ndërkombëtar të shprehur në dokumentet e panumërta të OKB-së dhe Rezoluta të Këshillit të Sigurimit, të cilat kanë fuqi detyruese, sikundër në linjë të plotë me qëndrimet e shumicës dërrmuese të vendeve anëtare të OKB-së, NATO-s dhe BE-së, partnerë historikë të SHBA-ve” .Por në fakt Ministri Ditmir Bushati tha se vota kundër SHBA ishte e diktuar nga kërkesa e Bashkimit Europian. Por Bashkimi Europian nuk kishte një kërkesë të tillë dhe nuk kishte asnjë vendim për votim unanim. Prandaj dhe Çekia, Hungaria, Letonia, Rumania, Kroacia, Polonia vende anëtare këto te Bashkimit Europian iu përgjigjën kërkesës se qeverise se SHBA qe te abstenonin, dhe këto vende nuk votuan pro rezolutës. Përveç këtyre, këtë qëndrim mbajti dhe Bosnja Hercegovina një vend mysliman. Kështu çfarë do humbte Shqipëria po të mbante një qëndrim neutral. Atëherë lind pyetja pse ky qëndrim i Shqipërisë ?
Cilido të ishte qëndrimi i Shqipërisë nuk influencon fare në zgjidhjen e çështjes së Jeruzalemit dhe as të Palestinës. E gjithë kjo furtunë mediatike ngrihet për arsye politike.
Të jetë ky një qëndrim vetjak i kryeministrit apo të jetë ai i influencuar nga Soros, siç bënte aluzion ish kryeministri Berisha kur shkruan “Kështu, nga vakancat ne hotele ultraluksoze qe po bën në New York, ai urdhëron Ditziun e tij t’u serviri shqiptarëve për t’ju hedhur atyre hi syve dhe justifikuar qëndrimin e tij antiamerikan dhe në kundërshtim te mirëfilltë me interesin kombëtar”?
Si Rama papritur u bë antiamerikan, kur ka mbështetjen më të madhe nga Ambasadori Lu? A të ketë gisht në këtë vendim miqësia me vëllain Erdogan? Kur u bë kaq i guximshëm Rama? Mund te jetë kjo, mund të jenë të gjitha ose mund të jetë asnjëra? Për këtë Rama duhet të shpjegohet.
A mos vallë po e kërcënon ai Amerikën se do të kalojë në Bandwagon në vagonin e kundërt dhe pse? A nuk ishte ky Rama që nxitoi të vinte në New York për të bërë një foto tangjent me Presidentin Trump për të lëpirë atë që pat thënë publikisht në CNN pa ja kërkuar njeri, se po të zgjidhej “Trumpi President do të prisheshin marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Amerikës.
Eksperti amerikan për çështjet e Ballkanit, Janusz Bugajski, tha se nuk beson se vota e vendeve që u shprehën pro rezolutës do të ketë ndonjë efekt mbi këto vende.
“Shtetet e Bashkuara, tha ai, nuk mund të ndëshkojnë tërë ato vende që votuan pro, sidomos vendet myslimane. Zoti Bugajski tha se deklaratat amerikane më tepër se një kërcënim janë një paralajmërim. Për shembull, SHBA mund të shkurtojnë ndoshta kontributin e tyre ndaj Kombeve të Bashkuara në tërësi. Por nuk mendoj, tha zoti Bugajski, se do të kishte pasoja në kuptimin e marrëdhënieve dypalëshe me vendet që votuan kundër Shteteve të Bashkuara. “Çdo marrëdhënie dypalëshe, – tha ai, – do të shqyrtohej në bazë të meritës së saj dhe jo në bazë të një vote të vetme në OKB.”
Ndërsa Daniel Serwer i pohoi Zërit të Amerikës : “Se nuk besoj se do të ketë pasoja. Mendoj se ishte një kërcënim i zbrazët. SHBA sigurojnë shumë rezultate të mira në OKB. Vetëm javën e kaluar, SHBA siguruan një rezolutë mjaft të mirë që impononte sanksione të reja kundër Koresë së Veriut. Nuk mendoj se OKB-ja do të ndëshkohet dhe as Shqipëria. Mendoj se ishte diçka që ia ulte reputacionin administratës së Shteteve të Bashkuara duke bërë një kërcënim të tillë.”
Kuptohet fakti se opozita do ta shfrytëzonte këtë fakt, por vlerësimet e Berishës, se “qëndrimi i kundërt që mbajti klika mosmirënjohëse e Shqipëria, qe u detyrohej SHBA jo vetëm ekzistencën e saj, shpëtimin nga copëtimi përfundimtar ne vitet 20 te shekullit te shkuar, por edhe çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës ne dy dekadat e fundit”, janë patetike, duke pasur parasysh se ç’tha ai dy javë më parë kundër presionit të ambasadorit Lu. Berisha mund të ketë të drejtë se ne vitin 2012 qeveria nuk votoi pro rezolutës për dhënien e statusit te vëzhguesit te vendit jo anëtar Palestinës ne OKB, pra nuk mbështeti një rezolute qe e kundërshtonin SHBA dhe Izraeli, por abstenoi dhe për këtë u falënderua nga qeveria e SHBA. Por vallë a lypset që Shqipëria të mbajë të njëjtin qëndrim si SHBA në çdo aspekt dhe në situata të ndryshme.
Por më mjerane duket gara për t’u dukur sa më pro amerikanë dhe kur ky karshillëk shfaqet e dhe nga Presidenti i vendit z. Ilir Meta, cilado pozita e rëndomtë e diplomacisë shqiptare, cilat do qofshin motivet, pasi siç thonë dhe italianët” I panni sporchi si lavano in casa” .(Rrobat e pista lahen në shtëpi), nuk mund të veprohet kështu në diplomacinë e mirëfilltë.
Ka vërtet shqiptaro amerikanë që gjenden të shqetësuar nga kjo situatë, ata mund t’i shohin me idealizëm edhe marrëdhëniet shqiptaro amerikane edhe për faktin se kanë punuar aq shumë për forcimin e tyre, por ata duhet ta kuptojnë se aleancat janë përputhje interesash në rastin e Amerikës me Shqipërinë, interesa gjeopolitike dhe është e mirë që ato të ruhen të forta. Diaspora dhe shoqatat e diasporës kanë të drejtë të reagojnë, pasi ndjehen të zhgënjyer aq më tepër kur diaspora e Amerikës e sidomos Liga Qytetare Shqiptaro Amerikane, ka punuar shumë për të siguruar mbështetjen e lobit hebre ne Kongres. Duhet maturi. Klasa politike shqiptare nuk duhet të luajë farsën e ndryrë të parlamentit Shqiptar, edhe me politikën e Jashtme dhe nuk u lejohet edhe shoqatave apo individëve të diasporës për hatër të inateve apo politikave personale t’u fryjnë urave, për t’u treguar më amerikanë se amerikanët. Kur vetë analisti i Ballkanit Serwer shprehet, se “Ata (administrata )duhet ta kishin parashikuar se do të kishte një kundërshtim të fortë ndaj vendimit për Jeruzalemin dhe duhet ta kishin pranuar këtë. Kjo rezolutë e Asamblesë së Përgjithshme nuk ka fuqi ligjore, pra në fakt nuk ka ndonjë peshë. Ishte gabim nga ana e amerikanëve që i vunë asaj një theks aq të madh. Nëse nuk do ta kishin bërë këtë, rezoluta do të ishte miratuar qetësisht dhe askush nuk do ta kishte vënë re.”
Në këtë shkrim nuk kemi synim të themi ka a po nuk ka të drejtë Presidenti Trump në deklaratën e tij që ishte një premtim elektoral që ai kërkon t’ua shtojë atyre që ai ka plotësuar, atë që deklaronin po s’guxonin ta bënin presidentët e mëparshëm amerikanë. Ne këtu nuk po analizojmë politikën e jashtme të superfuqisë amerikane apo qëllimet e strategjisë së jashtme të administratës Trump. Nga ana tjetër as dhe qëndrimin paradoksal të Palestinës kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës, që mund të shihej si një shkak për të votuar pro qëndrimit amerikan, as deklaratën boshe të ministrit të Jashtëm se “vota pro ishte votë pro paqes”. Por faktin që diplomacia e vendit tonë si diplomacia e një vendi të vogël të dobët duhet të kuptojë se në skakierën e diplomacisë botërore nuk janë as kuajt, as oficerët apo torret e shahut ndërkombëtar – por vetëm ushtaret duke numëruar vetëm secili me një pikë. Por ushtarët edhe kanë forcë të vogël të vetën, ata ndonjëherë mund të kenë avantazhe pozitive. Por në masë të kufizuar, dhe rrallë mund të hyjnë në lojëra ndërkombëtare të mëdha, të komplikuara dhe strategjike. Mundësia më e madhe për sigurinë dhe mbijetesën për shtetet e vogla qëndron, në ligj, në institucione, dhe, veçanërisht, në diplomaci.
Politika ndërkombëtare nuk është me të vërtetë tamam si shahu. Është në thelb një rend normativ. Edhe shahu ka kuadratet dhe rregullat e tij. Diplomacia e re, ndryshe nga koha e vjetër, gjithnjë e më shumë do të jetë një diskurs me rregulla. Në mënyrë që të ketë sukses në diplomacinë e tij një shtet duhet të jetë tërësisht sovran – jo thjesht në kuptimin e pavarësisë ligjore dhe njohjes ndërkombëtare, por në kuptimin e plotë të vetëpërmbajtjes kombëtare. Çfarë vetëpërmbajtje ka deklata e presidentit tim, nuk di ta them!
Një shtet-komb në botën e sotme duhet të jetë i sigurt për identitetin e vet, të njohë interesat e tij politike dhe të tjera, të njohë të dyja si forcat dhe dobësitë e tij dhe të ketë mbështetjen e një publiku të informuar dhe të bashkuar. Sovraniteti nuk është vetëm një koncept juridik. Ajo përfshin vetëvendosjen e çdo lloji – politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe emocionale. Një shtet duhet të jetë në gjendje të përcaktojë veten dhe politikën e tij në mënyrë që të bëjë dhe mbajë angazhime ndaj aleatëve të tillë si SHBA. Të ruajë balancën.
Dhe ajo nuk ruhet as me “resme “ qesharake të tipit alla “facebook “ me presidentët Amerikanë, as me deklarata si “yes man”, por me dinjitet të prirur nga interesi strategjik i vendit. Dhe të mos harrojmë asnjëherë se Jerusalemi i shqiptarëve është Shqipëria, ne i kemi të gjitha fetë e Jerusalemit dhe kemi bashkëjetuar. Prandaj duhet të sqarohet se kjo nuk ishte lajthitje e diplomacisë shqiptare në të kundërt ky qëndrimi jo pro amerikan i qeverisë shqiptare ndaj është mirë që vetë Rama të shpjegohet përndryshe kemi të drejtë të mendojmë se kësaj i vjen era “kurban –vetting “.

Please follow and like us: