Klara Buda dhe një dashuri e humbur në vitet 80-të
Promovimi i librit të Klara Budës, kthehet në një tryezë debati mbi raportin kulturor mes Tiranës dhe Prishtinës
Shkelzen Maliqi: I kam dobësi autoret femra me origjinë shqiptare
Sepse ka personazhe që të befasojnë me dhembjen e tyre. Shkëlzen Maliqi një figurë e njohur e mendimit shqiptar do të shprehej kështu gjatë promovimit të romanit “Pëshpërimë gruaje”, me autore Klara Budën, organizuar nga Botimet Mapo, në ambientet e Soma Book në Prishtinë. Figura të njohura të kulturës në Kosovë iu bashkuan takimit mbi librin e Budës, i cili u kthye në një takim mbi nevojën e komunikimit përmes librave që intelektualët e të dyja anëve të kufirit duhet të kenë me njëri tjetrin. Shkëlzen Maliqi, që kishte lexuar librin në dorëshkrim foli për mbresën që i ka lënë dhimbja dhe hidhërimin i situatave nëpër të cilat kalojnë personazhet e romanit… duke nënvizuar kalimthi se ai i ka dobësi autoret femra me origjinë shqiptare. Drejtorja e Botimeve UET PRESS, Alda Bardhyli u shpreh se letërsia e Budës na tregon rëndësinë që ka kujtesa, si një proces i domosdoshëm për të mbajtur gjallë jo vetëm identitetin por dhe për një lloj refleksioni të domosdoshëm në çdo kohë. Personazhet e Budës, sipas saj nuk fshihen, por janë të vërtetë duke na sjellë përmes jetës së thjeshtë e tepër komplekse të kohës, dramën përmes së cilës kalonte jeta e individit shqiptar gjatë komunizmit. Për të, zgjedhja e Mapo edition për të ftuar lexuesin e Prishtinës në një bisedë mbi librin e Budës, është një ftesë për ngritjen e një ure komunikimi të domosdoshme përmes letrave mes Tiranës dhe Prishtinës.
Abdullah Zeneli, botues i “Buzuku” tha se përben vërtet art, tek arrish të transmetosh dhimbjen në formën që e bën këtë Klara Buda. Për autoren “Pëshpërimë gruaje”, përmes magjisë së dashurisë zbulonkatakombet (një ekzistencë në bodrum) e kolektivi tetit mbytës, të Tiranës së viteve 80-të, ku Alma, Adriani, dhe gjithë rrethi i miqve, duhet të fshihen nga syri i opinionit, për të jetuar në mënyrën e tyre, me artin dhe muzikën e tyre.
Ndryshe nga ç’mund të pritet, këta të rinj nuk kanë asnjë qellim politik, as revolucionar dhe as kundërrevolucionar. Besnikë të dashurisë së tyre ata janë apolitikë, si vetë dashuria. Qëllimi i tyre i vetëm është të jetojnë veç jetën e tyre, të cilën nuk kanë frikë ta mbrojnë.
Po a ngelet revolta e tyre veç Pëshpërimë…? Dhe pse pëshpërimë gruaje kur terrori i godet pa mëshirë të dy të dashurit ?
“Përgjigjen do ta gjeni në roman”, i joshi të pranishmit autorja, ajo i siguroi ata, se romani lexohet me një frymë, po aq për të mësuar fundin e historisë dhe për të zbuluar, se terrori më i egër i botës së lindjes, kishte pllakosur pikërisht, gjysmën tjetër përtej kufirit. Atje ku shqiptarët e Kosovës ëndërronin të kishin Atdheun e tyre, shqiptarët terrorizoheshin nga vetë shqiptarët.
Takimi u konceptua edhe si një diskutim i hapur mes Bardhylit dhe Budës, por dhe pyetjeve të lexuesve të pranishëm në takim. Pyetjes së si lindi ky roman, dhe si ka qenë procesi i rishikimit ndër vite i librit, Klara i është përgjigjur se romani ka qenë brenda saj, dhe gjithçka ka ardhur si një thirrje e natyrshme për tu hedhur në letër.
Ndër pjesëmarrësit mund të përmendim intelektualë, shkrimtarë dhe artistë si Bejtullah Destani, Deputetja dhe aktivistja e të drejtave të njeriut Saranda Bogujevski, vajza të cilës iu masakrua gjithë familja gjatë luftës, autoret si Dan Ibrahimi, Anton Berisha, Abdullah Zeneli, Dan Kosumi, tenori Luan Durmishi, përkthyesi Elvi Sidheri, Kryetari i Federatës së Minigolfit të Kosovës, Lavdim Zylfiu, që i dhuroi autores një top Golfi, prodhim i kësaj federate.