Kori, erinite dhe furitë elektronike të dashurive dhe urrejtjeve
Natasha LAKO
Duket se erinitë ose furitë, pjesëmarrëse në tragjeditë e Eskilit, Sofokliut ose Euripidit kanë gjetur mënyrën të shfaqen pas kaq e kaq shekujsh në formën elektronike.
Nuk është se pushuam së zgjaturi kokën si kureshtarë, njësoj si në telenovela, të shohim ndonjë kalimtar a kalimtare që na bën përshtypje, njësoj si bënin plakat e ulura te pragu i shtëpive, mbi një copë guri të rendë. Sepse Shqipëria është e vogël.
Nuk është se nuk e ndezëm edhe më të përflakur zjarrin e bisedave të kafeneve tona mesdhetare, si mund t’i komentonte si dikur, edhe sot Salvador Dali.
Nuk është se nuk mbetemi të ngurosur para bisedave televizive dhe nuk u hedhin një sy seancave parlamentare, pavarësisht se mundohemi të themi se i sfidojmë.
Të gjitha këto nuk na mjaftojnë më. Pasioni i komunikimit është bërë edhe më i vetëdijshëm për të shpallur veten nëpërmjet miqësive të distancave të mëdha, madje pa asnjë dëshirë për t’u parë me njëri- tjetrin përballë. Pa shtrënguar duart.
Secili prej nesh ka mundësi të shprehë veten dhe të gjejë kështu armata të pafundme. Por, as kjo nuk mjafton. Ne kërkojmë të jemi pjesëtarë në gjithçka dhe në çdo gjë, gati t’i bashkëngjitemi si hije edhe çdo njeriu tjetër, të bëjmë në mënyrë virtuale gjithçka që pasardhësit tanë e kanë bërë në mijëra vjet, rolin e gladiatorëve që të kthyer në skllevër, i detyronin të luftonin kundër njëri-tjetrit për vdekje, rolin e mecanateve po të duam, shtrigat e mjeruara, shpalljen e madhe të armiqësive dhe urrejtjeve që nuk dihet se ku i kanë rrënjët, diversitetin e natyrshëm dhe eksperiencat e ndryshme njerëzore, mosdurimin për të dëgjuar tjetrin deri në fund, lajkat më të mëdha dhe urimet më të ngrohta. Shkurt dhe gjithmonë për të bërë katarsin e shoqërisë. Atje ku jemi bashkërish. Jo në materie.
Dhe për çudi fillojmë të njohim më shumë veten, madje atëherë kur nuk përdorim emrat tanë.
Letrat e famshme anonime, do të thotë dikush. Shpërthimet tona gjuhësore, pastrimin tonë të brendshëm. Kundërshtimet gati të vetvetes.
Dhe ndodh që energjia që lëviz dhe shpërthen në të kundërt të lëvizjes së ngjarjeve, thua se do të shkaktojë një “Forward” tjetër i ri.
E kaluara dhe e tashmja, që përplasen me njëra- tjetrën, lamtumirat e mëdha që nuk thuhen dot lehtë, masivi i madh që ndjek gjithnjë si gur protagonistët kryesorë, ja t’i nxjerrë në breg, ja t’i fundosë nga rëndesa nëpër thellësi, të tjerët, etja e re për veten. Dhe pjesëmarrja indirekte në gjithçka që ndodh si shenjë e demokracisë së nisur diku larg.
Ja ç’na bën elektronika e sotme korale, kundërpërgjigjet në “Twitter” dhe buzëqeshjet e tjera, që ndërhyjnë kudo. Ky sistem riparimi, që i bënte edhe ngjarjet e tragjedive të vjetra, me të qarta dhe më të komentueshme, ose si kundërthënie ku ecën jeta.
- Ndërhyrja e parë. Reformimi i periudhës së kopjistëve.
Nuk është fjala për kopjuesit e ndonjë provimi vjetor me telefon, apo me ca formula të shkruara në shalë. Është fjala për një nga periudhat më të gjata të historisë, ku dëshirojmë të ndërhyjmë të gjithë.
Po të kemi parasysh Kinën, ku edhe sot të ndalin në rrugë për të bërë kaligrafi, si mijëra vite të shkuara, epoka e parë e njerëzimit, duket sikur stërzgjatet deri në guvat murgatore, ku dhjetëra libra shkruheshin dhe kopjoheshin nën dritën e kandilave me vaj.
Nuk është e nevojshme të lexosh novelën e Melville, ku flitet për një kopjist. E mbaj mend nënën time mespërmes viteve ‘50, që shkruante letrat që komshinjtë dëshironin t’u dërgonin larg motrave a kushërinjve, apo zyrtarëve më të lartë të vendit, të cilëve u luteshin për diçka. Dhe ndoshta vinin tek ajo edhe hallexhinjtë më të largët se kishte shkrim të bukur. Koha e kaligrafisë dhe e kopjuesve nga papirusi deri në korrespondenca shtetërore, e gjatë në histori, por nuk lodh askënd edhe sot, sepse u jemi kthyer si asnjëherë tjetër diskutimeve të mëdha.
Ndoshta sepse periudha kaligrafike e kopjistëve përkon me kohën e diturisë. Kjo është periudha e dijetarëve dhe filozofeve të mëdhenj anekënd botës, ku zbulohej dhe vendosej nga e para rregulli ose rendi kozmik dhe njerëzor, që nga vizatimet e para të molekulës deri te sistemi i Kopernikut dhe zbulimi i qarkullimi të gjakut ose të autopsisë të trupit njerëzor, i mbetur nëpër piktura. Kryeveprat më të mëdha të njerëzimit, madje në sajë të madhështive dhe kapërcimeve shekullore duket se janë shkruar në kohën e kandilit, deri te poezia e magjishme e Naimit, ‘në mes tuaj kam qëndruar dhe jam duke u përvëluar’
Dhe pikërisht nën këtë dritë qirinjsh u krijua edhe renditja e re e kombit shqiptar, me sythe si thoshte Naimi, dhe i çelur me një gjuhë Perëndie, që kur pellazgët, para Akropolit, vinin gurët e tyre deri në Dodonë.
Kjo është periudha e vendosjes së rendeve shoqërore dhe hierarkive. Madje, edhe Ferri i Dantes ka renditjet e veta…
Shqiptarët kanë avantazhe të mëdha për këtë periudhë të errët.
Së pari, se sistemi i trashëgimisë së tyre gojore ia kalon sigurisë së bankave të sotme, që vidhen gjithmonë.
Së dyti, se këto periudha të largëta nuk mund t’u shpëtojnë interpretimeve të mëvonshme të interesave të kundërta, pavarësisht se gjenitë e shekujve na kanë lënë testamentet e tyre.
Së treti, sepse nuk kanë komplekse të mëdha vetëm e vetëm se nuk kanë gjetur gjurmë të paraardhësve të tyre gjuhësore, kur e gjithë periudha shprehet me gjuhë zyrtare perandorake, qoftë greke, qoftë latine dhe ende gjuha “popullore” ishte tjetër.
Megjithatë, kjo është periudha që shqiptarët e internetit mund të kalërojnë pa fund.
Është njësoj si të krijosh një invazion të ri atje ku nuk mundeshe më parë të arrish edhe sot madje deri atje ku zbulohen dhe shkëlqejnë dy kupat e rralla të arta mbretërore të Mikenës, më të lashta se të Gralit të Madh, që nga Brown krijoi sensacion dhe sikur u harrua, në sajë të pasionit të shqiptarëve për të krijuar me nja 2000-3000 vjet vonesë mijëra dhe mijëra kthime prapa në historinë që u takon si një pjesë e banketit të sotëm.
Kjo ndodh me të gjithë popujt e varfër, që zakonisht kanë një traditë të madhe lashtësie, si pasuri të vetme që mbajnë në duar. Por kjo është edhe një kërkesë e brendshme e çdo shtrese të re të sapogarantuar ekonomikisht, që kërkon të ketë të kaluarën si shpurë të vogël. Të gjithë këto mund të tingëllojnë edhe si kundërshti galaktikash dhe vendosje të ngjarjeve për të cilat ndonjëherë dhe për çudi, kërkohet edhe një riparim i çuditshëm, ku përfshihen edhe shqiptarët.
Askush nuk mund të shpëtojë nga këto kundërthënie galaktikash, që sot amerikanët i shprehin në filmat e tyre fantastikë shkencorë si “Lufta e yjve”. Edhe shqiptarët kanë fantashkencën e tyre, ku herë ngec karkaleci dhe herë fluturojnë shqiponjat.
Erinitë elektronike flasin shumë, të entuziazmuara nga zbulimi që gjejnë kur ndonjë historian si Berry thotë në një botim të vitit 1911, se para perfeksionit të hegzametrit që solli Homerin, Akeasit ishin si emigrantë në Thesali, në mall ilire, e deri sot kur ndonjë si unë e ndonjë tjetër gjen deri te porta kryesore e kalasë së Beratit ngjashmëri me portën kryesore të pallatit mikenas, të zbukuruar me luanë. Dhe pasioni të çon drejt Tebës.
Por ky nuk është një rol mitologjik, siç pretendojnë ata që mund të shpleksin një nyje gordiane mijëravjeçare. As vërtetim në të kundërt të tij, që shkon në drejtim të thellësive, ku edhe zbatimi i ligjit të mohimit, që ka sjellë marshimin e historisë, kërkon të mohojë pohimin e vet, pavarësisht se asgjë nuk mund të mbarset vetëm me vetveten, si gjallesat më primitive, megjithëse kjo është një lojë e bukur elektronike. Dhe që tregon se edhe mund të na bëjë krenarë që paraardhësit tanë kanë konservuar në breza shumë gjëra të humbura nga të tjerët, për shkak të zhvillimeve të mëdha. Por, kjo nuk na pengon sot t’u afrohemi kodikëve të qyteteve tanë të ngjashme me ato të qytezave të tjera përtej Adriatikut dhe të jemi të ndërgjegjshëm për afrimet tona me qytetërimin egjeo-jonian nëpërmjet asaj formës të organizmave të vogla, por të mrekullueshme, qytete-shtete që mund t’i përshkosh brenda një dite si thotë Berry, por që mund të na çojnë edhe te larmia e principatave shqiptare, si pasuria jonë më e begatë. Dhe mund të na kujtojë ky qytetërim kaq i gjatë nën dritën e kopjistëve, gjenialitetin e Skënderbeut, që diti të krijojë nga këto asi shtetesh fshataro-qytezash, por që është vënë në epiqendër të erinive shqiptare të sotme të elektronikës.
Punë shumë e madhe kjo për të shfaqur sa urrejtje të pakuptimshme, sa dashuri.
- Periudha e dytë. Periudha e librit të shtypur dhe të përhapur gjerësisht, ose e lirisë. Periudha më traumatike dhe e stërmundimshme e shoqërisë shqiptare. Dhe çfarë thonë erinitë e sotme.
I madh dhe i pacenueshëm qëndron në historinë e zhvillimit europian dhe botëror gjermani Johanes Gutemberg, i cili nuk e dinte se po krijonte periudhën më të bukur të njerëzimit, atë të librit të shoqëruar me lirinë. Bashkëkohës me Skënderbeun dhe për rastësi fati, i ikur nga kjo botë në vitin 1468, njësoj si heroi i shqiptarëve. Asnjë erini nuk e ka zbritur ndonjëherë nga froni, sepse askush nuk dëshiron të cenojë lirinë e mendimit që libri solli, pavarësisht se sisteme më të vogla të riprodhimit të librit ishin aplikuar në Kinë që në vitet 800. Parimi i shkronjave lëvizëse, radhitja, shtypja e plot të tjera ishin ngjarje e madhe edhe për shqiptarët, të cilët gjithnjë e më shumë e shumëfishojnë diturinë njerëzore në formën më demokratike të shpërndarjes, atë të shumëfishimit, që realizohet plot mundim për tekstet e para shkollore, por të përgjakura edhe ato.
Në krahasim me periudhën e parë të pergamenit dhe letrës, periudha e librit dhe e shtypshkronjave nuk mund të ketë një kufi të përcaktuar, ndonëse në disa shtete të Europës nuk përdoret më libri në shkolla. Por ajo është e lidhur me fatin e shtypshkronjave të para, e cila në tokën shqiptare ngrihet në Voskopojë sipas Lewis, që në vitin 1720, shtatë vjet para Stambollit. Kjo është edhe periudha më e mjegulluar për erinitë tona, që nuk dinë si të vrapojnë.
Dhe nëse Voskopoja fjala vjen mori lavdinë e saj përtej zjarreve dhe zhuritjeve, është edhe fakti i shtypshkronjës së saj që funksionon edhe për librat në shqip dhe greqisht, si “Frika”, “Metafizika” i Theodor Kavaliotit, i cili krijon edhe alfabetin e parë të shqipes. Por, që përmendet rrallë e më rrallë në betejat se kush duhet të jetë i pari.
Duke pasur një shkrirje të kulturës helene, vllahe dhe shqiptare, deri atje ku gojëdhënat thonë se mund të arrijnë edhe rrezet e vendlindjes së Akilit kontinental grek a europian, a ballkanik është e qartë se Voskopoja vetë krijonte një pështjellim të madh të pikëvendosjeve historike, si prapavijë ilire e kulturës greke, apo si pararojë e një kulture të re tregtare europiane, që nuk mund të rezistonte jashtë vëmendjes së perandorisë osmane. Aq më shumë si pikë e avancuar edhe për helenizmin, si mund të shpjegoheshin ithtarët e tij. Fakti i shumë librave të shtypur deri aso kohe me alfabetin e Stambollit, shpjegon edhe kontradiktat e Konicës me Frashëllinjtë në kohën e filozofive të reja shoqërore.
Pa harruar se këto përpjekje të betejave të lirisë së mendimit përfshijnë edhe periudha të tjera të errëta botërore, si djegien e librave të Hajnes dhe shkrimtarëve të tjerë të mëdhenj nga Hitleri dhe historinë e mjeruar të librit shqiptar deri në vitin 1990, ku nuk hyn brenda Shqipërie asnjë farë mendimi i lirë. Thjesht një shoqëri pa libër të vërtetë në shqip, me përjashtim të shkëndijave të viteve ‘30-t dhe letërsisë pa frymë, nën një asfiksi të madhe të para ‘90-tës.
E gjithë kjo ka bërë që lëvrimi i mendimit njerëzor të hyjë me një vërshim kaotik saqë nuk mund të absorbohet ende. Dhe në panairin e sivjetshëm të librit, vetëm 5% përfaqësonin mendimin e shqiptarëve vetë.
Kjo është periudha ku shqiptarët fillojnë njësoj si historinë të rizbulojnë autorët e dikurshëm shqiptarë. Madje, duke qenë në kohën e falsifikimit të tapive, e kanë më lehtë të besojnë se librin për Betovenin, Fan Noli e ka përvetësuar prej Konicës, meqë duket i mbështetur në arsyen e frekuentimit ë tij të dendur në metropolitanin e famshëm të Nju Jorkut… Pa marrë parasysh se Noli vetë, i pari mbrojti diplomën në Haward për muzikologji.
Por erinive, as kjo nuk u mjafton.
Edhe për ketë periudhë nuk përfundojnë për shqiptarët debatet se kush duhet të radhitet i pari dhe kush i dyti, si në garën e vrapimeve, duke fshehur thellë- thellë se bëhen mbrojtës i përkatësive të tyre edhe më individuale, krahinore ose klanore.
Madje, ka të dhëna, ka zëra të erinive, të logjikës së vjedhjeve të bankave, se të gjitha dijet e Lef Nosit i ka përvetësuar komunisti Dhimitër Shuteriqi (e pse jo?) e kështu me radhë… Dhe meqë ky Shuteriq ka qenë komunist, pak njerëzve u intereson shkruesi i fundit i pergamenave botërore Simon Shuteriqi, që vërteton se si kryqëzohen epokat. Dhe të gjitha këtyre u shtohet terreni i gladiatorëve të rinj, ose për progres i gladiatorëve të rinj shqiptarë, që gjenden përça e sundo jo vetëm nëpër parti, por synojnë përçarjen e thellë të letërsisë më të re shqipe, pa e ditur se janë vënë pikërisht në arenë për t‘u eliminuar më lehtë. Komentet dhe shfrimet janë këtu edhe më të thella.
Dhe ngandonjëherë duket, si asnjë herë tjetër sikur edhe librat kanë lindur të shtypin njëri-tjetrin. Kjo ndodh në një vend ku etja për Niçen dhe Antikrishtin e tij, aq e përhapur gjatë viteve të para post-komuniste do të shuhet dalëngadalë për t’ua lënë vendin librave sipas modës së ditës ose shijeve “më të larta” elitare.
Libri, ky shok i lirisë shqiptare, vazhdon të konsiderohet në Shqipëri si kategori ideologjike. Aq sa më shumë të hyjë një botë shkrimtari në botën e njeriut të sotëm, aq më tepër mund të karakterizohet i deklasifikuar. Në kohën që duhej të ndodhte e kundërta, në vazhdën e betejave të kryeveprave shqiptare, që fillojnë nga De Rada e marrin më tej prehtësinë e Konicës, ose melankolinë e Migjenit.
Të shtypësh, a ndrydhësh sot librin duket absurde, por shumica e shkrimtarëve e paguajnë vetë shtypjen e tyre, si shtypje nëpërmjet shtypjes, meqë janë dy fjalë pothuajse të njëjta. Ndërkohë përditë shohim se si punojnë shtetet e huaja dhe sa sponsorizojnë fondacionet e tyre, mjafton që një libër i ri i shkrimtarëve të tyre të hyjë në Shqipëri. Dhe le të përmendë qoftë se si punojnë fondacionet japoneze, që të hyjë në një vend të vogël, pa ndonjë ndërlidhje të madhe tregtare, qoftë një shkrimtar i tyre i madh dhe i dëgjuar.
Njerëzit kanë të drejtë të nervozohen nga tregimet e gjata rreth shtrëngesa të vazhdueshme të librit shqiptar, që nga koha e hedhjes në lumë të Bogdanit në fshatin Lumi i Bardhë deri në hedhjen e librave të sotme nëpër plehra, përderisa nuk funksionon shpërndarja e tyre.
Por, për ketë nuk janë të interesuar të dëgjojnë as zyrtarët e lartë që i dinë vete të gjitha, as mund të na thotë ndonjë gjë komisioneri Hanh, megjithëse ka si mbiemër atë të albanologut të vyer botëror. As njerëzit që thonë se janë të lodhur nëpër kafenetë e shumta nuk i dëgjojnë fort çështjet e librit shqiptar. Kështu, liria kthehet në formën e vërshimeve pa fre të fjalës, pa menduar kurrë për dhunën e saj.
Është më mirë të bësh fotografi pa fund dhe t’i vendosësh në “Facebook”. Dhe më kujtohet se një nga librat më të vegjël të botës, punuar me litografi është me 12 faqe të 12 stinëve. Dhe pastaj fillojnë të përpjeta të tjera të mëdha, siç është kinematografia, me të cilën shqiptarët kanë qenë gjithnjë jashtëzakonisht miqësorë. Nuk ka sharje, se përjashtohen aktorët e filmave.
III.
Ata që mendojnë se renditja e periudhave botërore mund të përcaktohet nga ajo e hierarkëve ose emrave të mëdhenj, e kanë kot. Periudha e internetit mund t’i rrëzojë të gjithë, sepse është shumë e fuqishme. Ajo i ndryshon përmasat e kufizuara të gjykimit. Ajo bashkon çdo lloj dëshire me diturinë, ose me rrjedhat e ngjarjeve të kaluara.
Falë kësaj periudhe elektronike, ne kemi mundësi që në disa giga të përfshijmë të gjithë historinë e njerëzimit.
Fotot që transportojmë shpejt e shpejt te miqtë dhe të afërmit tanë, ua kalojnë pikturave të shpellave dhe vërtetojnë njëkohësisht sigurinë e ndërkombëtarizuar të gjuhës së imazhit. Imazhi është primar në kohën e sotme. Deri në billboard që të marrin mendje e deri në grafika elektronike.
Vetëm furitë dhe erinitë nuk shfaqen si imazh, ose kur nuk kanë guxim fshihen në koralet, si në debatet e hapura të erinive të antikitetit. Sepse ato shprehin aq qëndrime të ndryshme, sa vazhdojnë të gërryejnë të gjitha hapësirat. Mund të flasim për forma destruktivizimi, nga i cili për disa fillon krijimi vetë. Dhe këtë më tepër se të tjerët mund ta kuptojnë skulptorët, apo ata që rrëzojnë godinat e vogla për të krijuar godinat shumëkatëshe, hotelet e vogla për të ndërtuar pesëyjësh, madje pa taksa fare. Ndërsa njerëzit gërryejnë faqet elektronike… Kjo është një infrastrukturë e re, që mund të ndërthuret si të dojë dhe që të kujton të paktën për Europën, hapjen e parë të rrugës nga Argos në Korint, ku shkohej me mushka, si në fshatrat tona deri dje.
Në sajë të këtij komunikimi ultras, një student i Kembrixhit, Tiranës ose Oksfordit mund të gjejë pika takimi me ndonjë murg të mallkuar dhe të ngurosur në ndonjë shpellë të dikurshme. Me ndonjë poet tajlandez, vepra e të cilit mbrohet nga UNESKO, por që kur ndërroheshin dinastitë, i biri i të atit e kthente në burg dhe më mbasandaj kur kthehej i ati në pushtet, e nxirrte në liri prapë. Bota ka lëvizur, të paktën kësaj ane së bashku me peshën e lirisë së vet.
Është mirë së pari të duash veten. Nuk është periudhë e neoindividualizmit, as e neoliberalëve. Është më tepër se kaq kjo liri individuale elektronike, që do të sjellë fryte, se ende nuk janë të parashikuara.
Sidoqoftë, njeriu ditë përditë dhuron diçka, dashuri ose urrejtje. Fundja është një dhuratë. Ose e njëjta gjë. Por gjithnjë në progres të pandalshëm, përderisa nuk është aq prapa krahësh./Gsh.al/