Marina britanike ndjek luftanijen ruse në Detin Verior: Nuk do të tolerojmë agresione
Marina mbretërore britanike ka njoftuar se ka ndjekur një luftanije ruse nëpër Detin Verior, afër ujërave territoriale të Britanisë. Në nje deklarate, marina tha se një luftanije britanike është nisur para tri ditësh për monitorimin e luftanijes së Rusisë, Admiral Gorshkov, ndersa ajo lëvizte nëpër Detin Verior, raporton Rel.
Marina mbretërore tha se luftanija britanike, HMS St Albans, e ka vëzhguar anijen ruse gjatë ditës së djeshme dhe do të kthehet në Britani gjatë ditës së sotme. Rusia nuk ka bërë komente. Sekretari i mbrojtjes i Britanisë, Gavin Williamson, pas incidentit ka thënë se ai “nuk do të hezitojë në mbrojtjen e ujërave britanike ose nuk do të tolerojë çfarëdo forme të agresionit”.
Shefi ushtarak britanik, Sir Stuart Peach, më herët këtë muaj tha se Rusia mund të paraqesë kërcënim madhor për vendet e NATO-s duke i sulmuar kabllot nënujore të komunikimeve, që janë tejet të rëndësishme për tregtinë ndërkombëtare dhe Internetin.