Albspirit

Media/News/Publishing

Përshkrimi që bëhet në Bibël për dashurinë e vërtetë

Ndoshta ju ka rënë rasti të shihni filmin “Një shëtitje e paharrueshme”, apo të lexoni librin me po të njëjtin titull nga Nicholas Sparks, nga i cili është bazuar edhe filmi i mësipërm. Në fund, kur vajza që luante rolin e personazhit kryesor në film dhe në libër vdes, ajo i lë bashkëshortit të saj një letër me vargjet nga letra e parë drejtuar Korintasve në Bibël. Bëhet fjalë për një përshkrim shumë të bukur që i bëhet dashurisë së vërtetë, asaj që të gjithë e ëndërrojnë ta përjetojnë në jetë.

Ndërkohë jo vetëm në këtë rast, por edhe në shumë filma apo raste të tjera, mund të keni dëgjuar të citohen po të njëjtat vargje, ndoshta pa ia ditur origjinën. Ato burojnë nga letra e parë e apostulit Pal drejtuar Korintasve dhe vargjet që trajtojnë përkufizimin e dashurisë së vërtetë, janë:

“Dashuria është e durueshme; plot mirësi; dashuria nuk ka smirë, nuk vë në dukje, nuk krekoset, nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon të sajat, nuk pezmatohet, nuk dyshon për keq; nuk gëzohet për padrejtësinë, por gëzohet me të vërtetën, i duron të gjitha, i beson të gjitha, i shpreson të gjitha, i mban çdo gjë.

Dashuria nuk ligshtohet kurrë; por profecitë shfuqizohen, gjuhët pushojnë dhe njohuria do të shfuqizohet, sepse ne njohim pjesërisht dhe profetizojmë pjesërisht.

Por, kur të vijë përsosmëria, atëherë ajo që është e pjesshme, do të shfuqizohet. Kur isha fëmijë, flisja si fëmijë, mendoja si fëmijë, arsyetoja si fëmijë; kur u bëra burrë, i flaka gjërat fëminore. Tani në fakt, ne shohim si në pasqyrë, në mënyrë të errët, por atëherë do të shohim faqe për faqe; tashti njoh pjesërisht, kurse atëherë do të njoh thellë, ashtu sikurse njihem. Tani, pra, këto tri gjëra mbeten: besimi, shpresa dhe dashuria; por më e madhja nga këto është dashuria”.

Please follow and like us: