Albspirit

Media/News/Publishing

Fjalimi i rallë i Enver Hoxhës për amerikanët, anglezët dhe jugosllavët

Ish-kreu i arkivës në ministrinë e Brendshme, Kastriot Dervishi ka publikuar pasditen e së hënës një pjesë nga fjalimi i Enver Hoxhës në vitin 1946.

Postimi i Dervishit:

Enver Hoxha në v.1946: Të luftojmë tendencat shoviniste të shqiptarëve që ngjallin mëritë e vjetra kundër popujve jugosllavë

Në fjalën e tij në plenumin e 5 të PKSH-së, më 21 shkurt 1946, Enver Hoxha, para anëtarëve të Komitetit Central ka thënë se Jugosllavia ishte përkrahësja më e madhe dhe direkte e luftës. Nuk e di se cili prej enveristëve mund të na e shpjegojë këtë pohim, pra si e përkrahën luftën “direkt” komunistët jugosllavë, sepse në gjithë festimet e sotme ata nuk përmenden dhe nga magazina e dekorit nuk dalin asnjëherë për ekspozim fotot e shokëve Tito, Miladin, Dushan, etj. Hoxha ka deklaruar gjithashtu se në të kaluarën ka pasur “mëri kundër popujve të Jugosllavisë” dhe se kush ishte kundër këtyre marrëdhënieve kishte prirje shoviniste (shovinizmi është i panjohur për shqiptarët në fakt).
Ndërsa akuzon Britaninë e Madhe dhe SHBA-në (disa muaj para se të prisheshin edhe ato marrëdhënie formale që ekzistonin), E.Hoxha thotë se fati i Shqipërisë ishte i lidhur me atë të BS-së dhe Jugosllavisë.

Pjesë nga fjala e 21 shkurtit 1946

“Gjithashtu për Jugosllavinë duhet të ngjallim në popull dashurinë dhe vëllazërimin që u lind në këtë luftë. Jugosllavia ka qenë përkrahësja më e madhe dhe direkte në luftën nacionalçlirimtare, ajo do të vazhdojë të jetë një nga ndihmëset më të mëdha të popullit tonë dhe të pushtetit. Duhet të luftojmë me mish e me shpirt tendencat shoviniste të atyre shqiptarëve që kërkojnë të ngjallin mërinë e vjetër kundër popujve të Jugosllavisë. Kjo është vija e anglo-amerikanëve, të cilët trashëguan politikën e fashizmit dhe synojnë të shkëpusin popullin tonë nga mikja e saj Jugosllavi dhe ta lidhin pas qerres të një Italie ose Greqie fashiste. Me Jugosllavinë gjithashtu duhet të krijohen marrëdhënie konkrete dhe të sinqertë në çdo lëmë aktiviteti. Mundësitë janë shumë të mëdha, lufta na ka lehtësuar shumë në këtë drejtim, nuk mund të lëmë të na humbasë asnjë rast…
Popullin duhet ta mësojmë të ruhet nga këta njerëz (anglo-amerikanët-shënim), si djalli nga temjani pse këta punojnë për të keqen e tij. Kjo mendoj unë se është manovrimi më i mirë që ne mund të bëjmë karshi anglo-amerikanëve se fati i vendit tonë është i lidhur ngushtë me Bashkimin Sovjetik dhe me Jugosllavinë”.
25995083_1534034746644355_190385789505192330_n.jpg
Screenshot_1_copy_copy.png

Please follow and like us: