Manjani: Letra e Metës për Trump ishte e gabuar
Në debatin që ka shpërthyer mbi votën e Shqipërisë kundër SHBA-ve në Asamblenë e OKB-së është përfshirë edhe ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani. Ai me anë të një postimi në Facebook kritikon Presidentin Ilir Meta për letrën që i dërgoi homologut të tij amerikan Donald Trump, duke e konsideruar një veprim të nxituar.
“Letra që Presidenti i Republikës sonë i dërgoi Presidentit të SHBA, për çështjen e votimit në OKB ishte e nxituar! E gabuar sa më s’ka! Kryetari ynë i shtetit i “ankohet” kryetarit të një shteti tjetër, për shtetin e tij që nuk ekziston fare! Kjo fabul nuk shkon në asnjë rrethanë, pavarësisht nëse ka patur apo jo dijeni për votimin që do bënte qeveria”, shprehet Manjani.
Duke theksuar se kjo letër mund edhe të shkruhej, Manjani shpërthen kundër palëve politike, të cilat i fajëson për kompetencat e pakta që ka lënë në duart e Kreut të Shtetit me ndryshimin e Kushtetutës.
“Presidenti i Republikës mund të kërkonte shpjegime për atë çështje. Kaq do të mjaftonte për të kuptuar rolin e tij! Të tjerat ishin të tepërta. Republika e Shqipërisë tashmë edhe ligjërisht është pushtet dhe jo më shtet. Të paktën që prej vitit 2008 kur filloi shkërmoqja e Presidentit si kryetar i Shtetit. Kushtetuta super konsensuale që miratuan vjet e fshiu fare edhe atë pak shtet që kishte mbetur tek Presidenti i Republikës”, nënvizon ish-ministri i Drejtësisë.
Në vazhdim Manjani thotë se Rama si kryetari i pushtetit, bëri një lëvizje pushteti me votimin në OKB dhe i dha jetë një krisje të marrëdhënieve edhe me ambasadorin amerikan në Tiranë.
“Duke shfrytëzuar një deklaratë të Presidentit Trump mbi ndërprerjen e ndihmës Amerikane, Rama mjeshtërisht i nguli thikën pas shpine Ambasadorit Lu (bashkëpunëtorit të tij) për të justifikuar mashtrimin që kanë bërë me FBI në Tiranë. Që të jem më konkret, FBI nuk ka prezencë në Tiranë siç u trumpetua para një muaji, kur u anoncua operacioni dështak “Forca e Ligjit”! Janë vetëm dy punonjës të Departamentit të Drejtësisë (oficerë të FBI), që vijnë këtu njëherë në tre muaj për qëllim marrje informacioni për Amerikanët që hyjnë e dalin në Shqipëri. Kaq bëjnë! Marrëveshja që ata janë këtu ka të bëjë me shkëmbim informacioni për kufinjtë që i duhen SHBA, jo ne. Në mënyrë qesharake Ministri i Brendshëm i ka venë edhe një zyrë në dispozicion pa ja kërkuar askush. Këtë e bëjnë vetëm që të dalë nami që FBI po ‘bën hatanë’”.
Sipas Manjanit, “në fakt policia politike dhe grupe prokurorësh luajalë të pushtetit aktual kanë filluar të punojnë sipas një axhende politike tashmë. Në këtë moment po vendosen “kufinjtë ndërmjet njëri-tjetrit. Pra po vendoset se ku fillon e ku mbaron pushteti i Kryeministrisë në Ministrinë e Brendshme. Debati i tensinuar për praninë e Haki Cakos ende në krye të policisë e dëshmon këtë gjë… Emri FBI përdoret thjesht si dordolec që tremb njerëzit. Mjeshtër i propagandës mbetet shefi i pushtetit! Tani Rama shpreson që Trump të mbajë fjalën dhe të ndërpresë ndihmën për Shqipërinë, që do të thotë në fakt largim ose të paktën zbythje të atyre amerikanëve që janë kryesisht të OPDAT dhe që i kanë dhënë gojës vend e pa vend”.
Manjani shton se kjo vlen gjithashtu edhe për Ambasadorin Lu, i cili sipas tij po sfumon shefin e pushtetit këtu me daljet e tij publike.
“Kështu gjendet dhe alibia se për mos ardhjen e FBI, sic është propaganduar se ajo do na luftojë korrupsionin tonë! Ja kaq është kjo punë! Të tjerat janë tjerrje koti! Nuk ka mbetë politika e jashtme Amerikane e botërore me sytë nga Shqipëria! Ndaj them që Presidenti është nxituar me atë letër. Duhet ta kishte analizuar më parë sjelljen e pushtetit, se është i lexueshëm! Shtet nuk ka më, pushtet ka pafund!”, përfundon ai.