Albspirit

Media/News/Publishing

Myslimanët e Kosovës, shembull për Evropën se si mbahet harmonia fetare

Gazetares zvicerane: Myslimanët e Kosovës nuk e festojnë Krishtlindjen, por janë shembull për Evropën se si mbahet harmonia fetare.
(Sali Kabashi – Historian)

E vërteta e festimeve:
Një gazetare e quajtur Aleksandra Hiltmann, paska vizituar Prishtinën në kohën para festës së Krishtlindjes dhe paska thënë se kosovarët me shumicë myslimane festojnë Krishtlindjen!
Kjo gazetare paska thënë se në Prishtinë janë ndriçuar sheshet me drita të Krishtlindjes dhe bredha të kësaj feste, një gjë të tillë e paska quajtur si “festim të Krishtlindjes” nga myslimanët kosovarë!
Kjo gjë nuk është aspak e vërtetë.

Së pari, Kosova nuk përfaqësohet vetëm nga Prishtina dhe po ashtu Prishtinë, nuk janë vetëm nga sheshet e Qytetit!
Kjo gazetare, nuk e di se ne kemi pushtete “laike” të cilat shpenzojnë shuma marramendëse në dekorimin e qyteteve të Kosovës, në veçanti të Kryeqytetit (pa i pyetur qytetarët fare), gjë e cila shumë herë ka irrituar qytetarët, kur Prishtina shpenzon rreth 60.000 euro për dekorimin e shesheve të Qytetit, ndërsa ka lagje ku nuk mund të kalohet nga balta dhe rruga e prishur!
Pastaj, në shumë raste qytetarët e thjeshtë, shtëpitë e tyre i zbukurojnë me drita, por këtë gjë e bëjnë për festën e Vitit të Ri, i cili nuk ka të bëj aspak me Krishtlindjen, ndërsa bredhat të cilët stolisen privatisht nga kosovarët mysliman, janë po ashtu për Vitin e Ri, bredh i cili në ideologji dhe stolisje, dallon shumë me bredhin apo pemën e Krishtlindjes.
Një gjë tjetër që ajo gazetare kishte thënë ishte se, kosovarët thonë që me raki festojmë për Krishtlindje dhe për Bajram! Athua, a ka qenë ndonjëherë kjo gazetare për Bajram në Prishtinë apo Kosovë? Aty do shihte se sa e festojnë kosovarët Bajramin me raki e verë.
Kjo gazetare, pyetësorit të përgjigjur nga disa njerëz që ka rastisur në ta dhe ata kanë folur në mënyrën e tyre, e ka publikuar si mendim të te gjithë kosovarëve, pa bërë ndonjë anketë më serioze, nga më shumë njerëz dhe nga vende të ndryshme të Kosovës, andaj nuk është aspak e vërtetë se kosovarët mysliman e festojnë Bajramin me raki e verë!
Sipas “Gallup International Poll”, Kosova është në vendin e tretë në Botë si vendi më fetarë, apo ndryshe sipas Gallup, 94% e qytetarëve të Kosovës janë deklaruar si besimtarë. Ky studim shumë serioz bie ndesh me deklaratat amatore të gazetares zvicerane, e cila në bazë të disa dritave, bredhave dhe përgjigjeve të disa kalimtarëve të rastit, thotë se myslimanët kosovarë festojnë Krishtlindjen dhe Bajramin e festojnë me raki!

Çuditen për harmoni fetare, ata që kanë Histori me luftëra të përgjakshme ndërfetare!

Kjo për të cilën ka shkruar gazetarja zvicerane, si festim të Krishtlindjes nga kosovarët mysliman, mendoj se është përzierje e asaj që gjeti në  Kosovë dhe natyrshmërisë së vet të trashëguar nga paraardhësit!

Çdo evropian i cili din pak nga Historia e këtij Kontinenti të vjetër, do të habitej apo do të mahnitej, kur në Kosovë do shihte një mysliman të shkoj t’i uroj Krishtlindjen një katoliku, apo një katolik hyn në Xhami dhe fal Namaz bashkë me myslimanët, apo rasti kur një burrë shqiptar katolik në një Odë thotë: “I’a kom fal gjakun tem Mulla Osmanit, me m’pas ardhë Don Lushi, nuk ia kisha fal”, apo edhe rasti kur Hoxha i famshëm Dr. Shefqet Krasniqi thotë: “Unë jam ai Shefqet Krasniqi i cili, mos me pas katolikët vend ku me u fal, ju them hajdeni kryne meshën në Xhami të Madhe” (https://youtu.be/Eb3Qrpi42rU – nga minuta 18:35)! Kur evropianët e shohin këtë harmoni fetare bashkëjetesë të shkëlqyer, atëherë nga habia mendojnë se njëra palë ka kaluar në ideologjinë e tjetrës, sepse nuk jane mesuar me një harmoni të tillë.

Kjo habi e tyre ndodhë për shkak se e dinë që Historia e Evropës, dëshmon për lumenj gjaku nga luftërat ndërfetare ndërmjet katolikëve dhe protestantëve, kjo gjë kurrë nuk ka ndodhur tek shqiptarët dhe as që do të ndodhë ndonjëherë!
Tek shqiptarët kurrë nuk kishte luftëra fetare, apo masakra si të “Natës së Shën Bartolomeut” në djepin e kulturës evropiane në Francë, ku natën e 23-24 gushtit 1572 katolikët francez masakruan mijëra protestant. Në Kosovë e Shqipëri, kurrë nuk kishte konflikte të tilla ndërfetare.

Për fund:
Nëse Evropa dhe evropianët dëshirojnë të marrin mësim për harmoni dhe bashkëjetesë fetare, le të vijnë në Kosovë dhe të shohin se çka quajmë civilizim modern dhe kulturë të lashtë shqiptare.

Please follow and like us: