Albspirit

Media/News/Publishing

Opozita ruse, thirrje për bojkot të zgjedhjeve presidenciale

Udhëheqësi i opozitës ruse Alexei Navalny bëri thirrje për protesta në të gjithë Rusinë më 28 janar për të mbështetur një bojkot të zgjedhjeve të ardhshme presidenciale.

Zoti Navalny e bëri thirrjen për protesta sot, të njëjtën ditë që Presidenti Vladimir Putin u regjistrua zyrtarisht si kandidat për t’u rizgjedhur.

Sondazhet tregojnë se zoti Putin ka të ngjarë të fitojë një mandat tjetër gjashtë-vjeçar në zgjedhjet e 18 marsit.

Zoti Navalny është ndaluar të marrë pjesë në zgjedhje për shkak të një dënimi me burg që ai thotë se ishte i fabrikuar. Dënimi i tij është pezulluar.

Ai thotë se zoti Putin, i cili 17 vitet e fundit ka qenë ose president ose kryeministër, ka qenë në pushtet për një kohë tepër të gjatë. Sipas udhëheqësit të opozitës, popullariteti i zotit Putin ka ardhur kryesisht për shkak të mediave shtetërore të njëanshme dhe një sistemi zgjedhor që përjashton kundërshtarët legjitimë.

Zoti Putin, ish-oficer i KGB-së, kandidon në zgjedhje si i pavarur, vendim që disa vëzhgues besojnë se do ta rriste imazhin e tij si udhëheqës kombëtar në vend që të dilte në rolin e një figure politike partiake.

Aleatët e kanë lavdëruar presidentin Putin për rikthimin e krenarisë kombëtare dhe forcimin e pozitës së Rusisë si udhëheqëse globale me ndërhyrjet ushtarake në Siri dhe Ukrainë.

Please follow and like us: