Salma Hayek: I thashë jo disa herë Harvey Weinstein, më kërcënoi se do të më vriste
Salma Hayek ka bërë një rrëfim tronditës në faqet e “New York Times”. 51-vjeçarja ka zbuluar se është shtyrë nga miqtë e saj, duke përfshirë këtu edhe aktoren Ashley Judd, që të fliste për eksperiencat e saj me ish-presidentin e kompanisë “Miramax”, Harvey Weinstein.
Ajo nuk e kishte bërë një gjë të tillë më përpara, sepse kishte bindur veten se “gjithçka kishte mbaruar” dhe se kishte “mbijetuar”. Gjatë xhirimeve të filmit “Frida”, një prodhim i kompanisë “Miramax”, për të cilin ajo ka qenë kandidate për çmimin Oscar, Hayek ka kuptuar se miku i saj Weinstein nuk ishte personi që ajo mendonte.
“Isha shumë entuziaste që do të punoja me të dhe kompaninë e tij. Isha naive, mendova se ëndrra imë ishte kthyer në realitet. Ai i kishte dhënë vlerë 14 viteve të fundit të jetës sime. Më dha një mundësi mua, që nuk isha askush. Ai tha po”, ka shkruar Hayek për “New York Times”. “Në atë moment nuk e dija se unë do të bëhesha ajo që do të thoja jo”.
“Kam refuzuar t’i hap derën në çdo orë të natës, hotel pas hoteli, vend pas vendi, ku ai shfaqej papritur”, ka vazhduar ajo, duke shtuar: “Duke përfshirë edhe një vend ku po xhiroja një film që nuk ishte i kompanisë së tij. I kam thënë jo propozimit për të bërë dush me të, që të më shihte teksa lahesha unë, që të më bënte masazh. I kam thënë jo seksit oral dhe që të zhvishesha lakuriq bashkë me një femër tjetër”.
Hayek e kuptoi shumë shpejt se Weinstein nuk pranonte “jo” si përgjigje. Aktorja e famshme e Hollywood-it ka zbuluar gjithashtu se ai “më largoi nga mbrëmja gala e Festivalit të Venecias, që u bë në nder të ‘Frida’-s”, për ta marrë me vete në një festë private me të dhe disa modele, të cilat, siç mësoi ajo më vonë, “ishin prostituta shumë të shtrenjta”.
Ajo ka thënë edhe se ai e ka kërcënuar. “Unë do të vras, mos mendo se nuk mundem”, i ka thënë Weinstein, shkruan telesport. Në shenjë hakmarrjeje, ai e detyroi atë të ndryshonte plotësisht skenarin e filmit, ndryshoi të gjithë aktorët dhe shumë gjëra të tjera. Hayek bëri gjithçka duhej dhe kjo e zemëroi akoma më shumë producentin.
“Ishte një makth për mua, që kam vuajtur një formë të ‘sindromës së Stokholmit’ (kur pengu ndien keqardhje dhe kërkon të kënaqë pengmarrësin), doja që ai të më shihte si artiste…”, ka pranuar ajo. Hayek vazhdoi të fitonte betejat me Weinstein, duke fituar edhe dy Oskar për kompaninë e tij. “Por nuk pashë asnjë gëzim tek ai. Nuk më ofroj më asnjë rol në një film të kompanisë së tij”, ka përfunduar Hayek.