Albspirit

Media/News/Publishing

Nexhmije Hoxha: Kush e dëshironte vdekjen time

 

 

Pas lajmit që mori dhenë e më pas u përgënjeshtrua se gruaja e ish-udhëheqësit komunist Enver Hoxhes kishte ndërruar jetë, vjen reagimi i Nexhmije Hoxhës.

Ajo ka treguar si e ka marrë vesh lajmin e rremë që u përhap për vdekjen e saj. Ajo ka dhënë një letër me urimin e Vitit të Ri, për gazetën ‘Dita’, ka bërë edhe një bisedë me gazetarin. Pyetur se kjo letër duket si një përgjigje për ata që të “vdiqën” disa ditë më parë…, ajo u përgjigj: Mund të merret edhe ashtu, si një përgjigje për ata që sajuan atë lajm të rremë me shumë keqdashje dhe ligësi,- ma ktheu ajo. Por unë nuk e them këtë në letrën e urimit që po u jap për Vitin e ri 2018. Unë u drejtohem veteranëve, miqve e dashamirësve dhe gjithë shqiptarëve.

Me tej, Nexhmija tregon edhe si e mori lajmin dhe si e përjetoi atë: “U zbavita. Ju e kishit shkruar shumë mirë në gazetë përgënjeshtrimin. E përgënjeshtruan publikisht edhe Pranvera dhe Teuta. Unë u zbavita dhe kemi qeshur me atë marrëzi. Isha shtrirë dhe po pushoja si çdo ditë, kur më vjen Pranvera dhe më zgjon: “Po ngjallu, më tha, se të kanë vdekur para kohe…” Nuk e morëm vesh se kush e fabrikoi atë lajm, por pak rëndësi ka kjo, pasi janë ata që na sulmojnë prej më shumë se njëzet vjetësh… Por mendoj se në përhapjen e atij lajmi kanë përgjegjësi edhe gazetarët, ata që e shpërndanë nëpër portale, pa e verifikuar. Ku është profesionalizmi dhe etika profesionale në këtë rast?”- thotë ajo.

Letra

Urime për Vitin e Ri 2018

Të dashur shokë e shoqe veteranë, miq e dashamirës shqiptarë, brenda e jashtë Shqipërisë, ju uroj me gjithë zemër: Gëzuar Vitin e Ri 2018!

Qoftë një vit i mbarë për të gjithë ju, familjet e fëmijët tuaj.

Qoftë një vit më i mirë për Shqipërinë tonë, më i qetë, pa konflikte, më i sigurtë për qytetarët në atdheun e tyre, për të rinjtë e të rejat e të ardhmen e jetës së tyre.

Dëshira dhe urimi i të gjithë neve, shqiptarëve, është që Kombi Shqiptar, me historinë dhe kulturën e tij mijëra vjeçare, në kontinentin e Europës të fitojë dinjitetin e dikurshëm, të kohës së luftërave të vjetra, të 5-6 shekujve më parë të Skënderbeut dhe ato të mëvonshme, të Rilindësve tanë e deri në luftën e fundit Nacionalçlirimtare të partizanëve e patriotëve për Lirinë, Pavarësinë e Unitetin Kombëtar të shqiptarëve.

Në saje të këtyre luftërave, “me pushkë e penë”, me trimërinë e mençurinë e bijve të shquar të Kombit tonë, si edhe të gjuhës së përbashkët shqipe, që ruajtën e bashkuan shqiptarët gjatë shekujve, në hapësirën e tyre Iliro-Arbërore, bënë që Kombi ynë i vogël të mos shuhet, të mbetet i gjallë, në këmbë e vital.

I tillë do të mbetet edhe në të ardhmen.

Nexhmije Hoxha

27 dhjetor 2017

Please follow and like us: