Albspirit

Media/News/Publishing

A do ta heqë Greqia Ligjin e Luftës me Shqipërinë?


-Sa dhe si do i përmbahet ministri i Jashtëm grek Kotzias kësaj deklarate?

 Sa ndikojë vendimi i qeverisë shqiptare për të financuar plotësisht një operacion të kërkimit dhe rivarrosjes së ushtarëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës italo-greke, për heqjen e Ligjit të Luftës?

-Çfarë fiton Shqipëria me heqjen e Ligjit të Luftës?

-Po çamët a do të fitojnë gjë me abrogimin e Ligjit të Luftës?

– A do njihen zyrtarisht pasuritë e çamëve në tokat e të parëve?

-Pse dhe si u vendos ky Ligj famëkeq?

-Historia absurde e Ligjit të Luftës dhe qeveritë kuislinge

 

Albert Z. ZHOLI

Jo më shumë se katër ditë më parë kur qeveria shqiptare mori vendim për për të financuar plotësisht një operacion të kërkimit dhe rivarrosjes së ushtarëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës italo-greke Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias e ka quajtur vendimin e qeverisë shqiptare, një hap shumë pozitiv. I pyetur sesi e komenton vendimin e qeverisë shqiptare për varrezat greke, Kotzias ka deklaruar:

“Mendoj se ligji zbatues i miratuar nga Këshilli i Ministrave të Shqipërisë, më 13 të këtij muaji, dhe që u bë i njohur dje, me anë të të cilit zgjidhen çështjet e varrezave të ushtarëve dhe oficerëve grekë që ranë në luftën italo-greke, është një hap i madh për atë që themi në mënyrë metaforike ‘qetësimin e shpirtit të të rënëve’, por është gjithashtu një hap besimi mes dy vendeve tona”. Ndërsa  duke marrë në konsideratë këtë ligj të qeverisë shqiptare Nikos Kotzias, tepër i kënaqur,  është shprehur se tashmë Greqia duhet të rishikojë Ligjin e Luftës me Shqipërinë. Të hënën (18.2.2017) në mbrëmje, në Televizionin Publik të Greqisë, ERT, ku ishte i ftuar në emisionin “Epomeni Mera”, përballë një paneli gazetarësh ai dekalroi se: “Kjo është çështja kryesore që duhet zgjidhur pozitivisht. Ky ligj mund të rrëzohet me Dekret Presidencial se kjo do të rregullohet me një procedurë të veçantë”.  Por çfarë do të sjellë për popullin shqiptar heqja e Ligjit të Luftës?! Sipas shumë juristëve me heqjen e këtij ligji hapet rruga për dëmshpërblimin e pronave të shqiptarëve e sidomos të popullsisë çame që cilësoheshin të konfiskuara nga shteti grek. Këtë fakt për herë të parë nuk e ka refuzuar publikisht një zyrtar i lartë grek siç është ministri i Jashtëm që i pyetur nga gazetarët, posaçërisht për këtë çështje është shprehur se kjo do të rregullohet me një procedurë të veçantë.
Në lidhje me dëmshpërblimin e pronave të shqiptarëve që janë sekuestruar që nga koha e Luftës së Dytë Botërore nga Greqia, Kotzias bëri me dije se pala greke po e shikon me përparësi çështjen e abrogimit të Ligjit të Luftës me Shqipërinë, ligj që mban peng edhe çështjen e dëmshpërblimit të popullsisë çame.
“Çështja kryesore që duhet zgjidhur pozitivisht është Gjendja e Luftës. Pasojat ligjore që do vijnë do të rregullohen më pas me një procedurë të veçantë”, -theksoi Kotzias duke  qenë tepër i kujdesshëm në përmendjen direkte të popullsisë çame, pasi kur bëhet fjalë për pronat e shqiptarëve në Greqi, ajo e popullsisë çame përbën pjesën dërrmuese.

Abrogimi Ligjit të Luftës sipas Kotciaz
“Ligji i Luftës do të abrogohet me një Dekret Presidencial. Sipas këndvështrimit tim mënyra me të cilën Greqia i shpalli Luftë shqiptarëve u bë me Dekret Mbretëror. Ka dy mendime juridike për këtë. E para, dhe që unë jam më afër sepse i shkon mënyrën sime të të menduarit juridik, se në këtë periudhë Dekretit Mbretëror i korrespondon Dekreti Presidencial. Është edhe një interpretim i dytë, i cili sipas mendimit tim nuk është aq i drejtë, por kjo do të hajë diskutimi kur t’i vijë koha, që thotë se Dekreti Mbretëror për Luftën është bërë në një kohë kur nuk kishte Parlament dhe si pasojë nuk mund të kishte një Dekret nga Parlamenti, prandaj tani që egziston parlamenti e ka ai të drejtën. Por Mbretit nuk i korrespondon Parlamentit.”

Por kur dhe si u vendos Ligji i Luftës?

 

Lufta e dytë botërore dhe qeveritë kuislinge
Lufta e dytë botërore ka hyrë nëpër analet e historisë si lufta më e egër që ka parë historia e njerëzimit. Në këtë luftë jo vetëm që u vranë rreth 50 milionë njerëz, por kjo luftë do të kujtohet me dhimbje dhe me interes edhe për shumë probleme të tjera që kanë të bëjnë me rolin aktiv të spiunazhit, aviacionit por edhe sidomos për mënyrën më të perfeksionuar të efekteve politike –propagandistike që përdorën vendet agresore ndaj vendeve që pushtuan. Gjermania naziste, Italia fashiste dhe Japonia militariste, për interesat e tyre pushtuese, përdorën ndaj vendeve që pushtuan të ashtuquajturën aleanca, për të justifikuar krimet ç’njerëzore. Pushtimet e dhunshme me plumba, bomba predha, zinxhirë tankesh apo shpimet me bajonetë, këto vende u munduan që t’i mbulonin formalisht duke krijuar regjencat, qeveritë kuislinge, të cilat sipas pushtuesve do të kishin “autoritetin politiko-juridik të qeverive të pavarura”. Qeveritë kuislinge u bënë modë në këtë luftë, që megjithëse u propoganduan gjerësisht nga pushtuesit sidomos në vendet e lindjes. Ato në sytë e opinionit ishin tepër qesharake dhe pa vlerë, ku nga masat popullore ato u quajtën qeveri kukulla.
Dekreti mbretëror i Greqisë
Më 7 prill 1939 Italia fashiste pushton Shqipërinë. Një ditë më parë mbreti zog largohet nga Shqipëria. Pak kohë më vonë pas pushtimit, pushtuesi italian do të formonte një qeveri kuislinge. Dhe, një vit më vonë, pra më 1940, Konti Ciano, përgatiti një ultimatum që do t’i paraqitej ministrit të jashtëm të Greqisë Z.Metaksa. Ultimatumi i ngjante atij që kishte përgatitur dhe ia kishte paraqitur mbretit, Zogu i I, të Shqipërisë, ku përmblidhej “ose pushtimi, ose Lufta”. Në këtë ultimatum, Greqisë i kërkohej të pranonte menjëherë pushtimin Italian të disa bazave strategjike. Ambasadori italian në Greqi Z. Grazzi, që ia paraqiti ultimatumin në orët e vona të mesnatës Z.Metaksa nuk qe në gjendje t’i përgjigjej pyetjes së Metaksasë se për ç’baza strategjike bëhej fjalë. I nervozuar nga kjo heshtje, Metaksai, iu përgjigj me një “Oqi” “Jo “ ultimatumit. Më 28 tetor 1940 –tetë divizione të përbërë nga 140000 ushtarë – nën një shi të furishëm, italianët filluan sulmin në një front prej 200 km. Në këtë sulm, Duçja donte t’i jepte një “mësim” të mirë Hitlerit, mbase shumë pushtime të tijë, (Hitlerit) ai i merrte vesh nga radiot dhe nga gazetat Edhe Ducja tashmë dëshironte që Hitleri pushtimin e Greqisë nga Italia ta merrte vesh nga gazetat. Ai kishte besim tek kjo fitore, mbase informacionet për ushtrinë greke, ku numri i saj nuk i kalonte të 30. 000 vetët, nuk ishte i saktë, ashtu sikundër nuk kishte informacion të saktë për armatimin, përgatitjen dhe moralin e ushtrisë greke. Duke u nisur nga ky fakt, mbreti i Greqisë Konstandin nxjerr Dekretin Mbretëror nr. 2636 i vitit 1940 sipas të cilit shpallte “ Shqipërinë shtet armik dhe pasuritë e shqiptarëve pasri armike”. Njëkohësisht të gjitha pasuritë e shqiptarëve i vendosi në “sekuestro konservative”. Në deklaratën e saj zyrtare të sulmit nga Italia, Greqia rendiste si aleate të Italisë në këtë agresion edhe Shqipërinë. Sipas kësajë logjike, Shqipëria shfaqej “de jure” si pjestare e kësajë agresioni. Për këtë dekret u morën për bazë, ekzistenca e qeverisë kuislinge shqiptare, dhe se në këtë luftë Italia kishte organizuar dy batalione mercenarësh shqiptarë, të rreshtuar bri armatave italiane, por të cilat dezertuan nga fronti përpara se të fillonte lufta. Duke u bazuar në këto fakte absurde, Greqia monarkiste e konsideroi Shqipërinë “ shtet armik” dhe shpalli ndaj saj “ gjendjen e luftës”. Por këto “ fakte” absurde bien vetiu sepse;
1- Shqipëria në atë kohë nuk ishte një vend i lirë dhe sovran ku të ushtronte në mënyrë të pavarur vullnetin e saj politik.
2- Shqipëria nuk gëzonte zotësinë juridike dhe aftësitë politike për të deklaruar lëvizjet e saj të pavarura në hartën politike të Evropës.
3- Shqipëria nuk gëzonte me të vërtetë autoritetin e vërtetë dhe të plotë vetëveprues si një subjekt aktiv i Së Drejtësë Ndërkombëtare.
Dhe ajo që vlen për tu theksuar me forcë është se Dekteti Mbretëror kërcënonte se “DO TË KONSIDERONTE TRADHËTI KOMBËTARE AKTIN E CDO QEVERIE GREKE QË DO TË NDËRRMERRTE HAPIN E VENDOSJES SË MARËDHËNIEVE DIPLOMATIKE ME SHTETIN ARMIK SHQIPËRINË…”

 

 

MBAS LUFTE…
Jo shumë kohë mbas luftës së Dytë Botërore, vendet e shpallura agresore dhe vendet viktima të luftës u ulën në tryezat e bisedimeve për të sheshuar problemet e së kaluarës dhe për të shtruar urat e miqësisë të së ardhmes… Këtu mund të përmendim Gjermaninë me Francën … Në të njëjtën rrugë ecën edhe Italia me Greqinë të cilat nënshkruan pakte dhe marrëveshje miqësie dhe bashkëpunimi. Por këtu qëndron edhe çudia ! Me Italinë u nënshkruan sa e sa marrëveshje, ndërsa me Shqipërinë ngelej në fuqi Dekreti Mbretëror !!! Pra “Ligji i Luftës”. Dhe kjo gjendje me Shqipërinë nuk ishte çështje muajsh apo vitesh, por dekadash të tëra . Ende Shqipëria konsiderohej vend armik. Si rrjedhojë, midis dy vendeve ishin të ndërprera marrëdhëniet diplomatike, ekonomike, humane, kulturore-artistike… Ndërmjet dy vendeve ishte vendosur një perde e hekurt ndarje deri në armiqësi. Dhe një nga çuditë ndodh në Maj 1971. Në Greqi kryhet grusht shteti, dhe vjen në fuqi junta ushtarake e kolonelëve grekë me në krye Papadhopulin. Dhe ishte pikërisht ky ushtarak, që kërkoi vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë. Lind pyetja, se cilat ishin motivet kryesore që e nxitën Papadhopulosin të merrte këtë nismë!? Së pari mendohet se duke ardhur në pushtet me grusht shteti, i papërkrahur prej komunitetit ndërkombëtar, junta ushtarake e pa Shqipërinë si një faktor të ri, për të dalë prej izolimit. Së dyti, duke bërë një hap të tillë ndaj një vendi komunist, siç ishte Shqipëria, garda e kolonelëve mendonte se do të fitonte kredon e lakmuar, se gjoja ajo me këtë veprim nuk I përkiste së djathtës ekstreme, por një qeverie dhe një vendi demokratik. Së treti, mendohej që me këtë hap edhe komunistët grekë dhe në tërësi partitë komuniste në lindje dhe në perëndim do të besonin se nuk kishin të bënin me një juntë puçistësh ushtarakë apo me një klikë uzurpatore antidemokratike siç po cilësohej nga Komuniteti Ndërkombëtar. Dhe ndodhi ajo që nuk pritej. Midis Shqipërisë dhe Greqisë u vendosën marrëdhëniet diplomatike. Megjithatë dekreti mbretëror mbetej një kërcënim gjithnjë evident. Pavarësisht se u vendosën marrëdhëniet diplomatike, ku si rezultat juridikisht dhe praktikisht ishte zhvleftësuar Dekreti, dhe zyrtarisht kishte këmbime në të gjitha fushat ( sigurisht me kufizime), kuptohej që marrëdhëniet midis dy vendeve nuk arrinin nivelet e dëshiruara, mbase sërish ndihej frika e Dekretit dhe kufizimet midis dy sistemeve të kundërta. Marrëdhënie u vendosën, por Dekreti nuk u abrogua.

 

Abrogimi i Dekretit
Dekreti mbretëror, ngeli për dekada një relik e shëmtuar e shkruar e zezë mbi të bardhë, ndoshta edhe si një dëshirë dhe ëndërr e keqe e qarqeve ultranacionaliste, me paragjykime donkishoteske, tipike provinciale ballkanase. “Megaloidheja”, (Greqia e Madhe) kur heshtur dhe hapur, po vegjeton ende e kësaj dite si një ëndërr e keqe nëpër subkoshiencat e qarqeve greke. Dhe ky problem duket sikur u zgjidh në Korrik 1987 kur qeveria e PASOK-ut e kryesuar nga Andrea Papandreu shpalli me ligj abrogimin e “Dekretit Mbretëror”. Derisa të hidhej ky hap specialistë grekë të Së Drejtës Ndërkombëtare, vlerësuan se me çfarë lloj akti të barasvlershëm juridikisht duhej abroguar një dekret Qeveritar. Tashmë Greqia nga monarki, kishte kaluar në një sistem Repuplike Parlamentare. Sipas specialistëve abrogimi I një ligji të tillë I barazvlefshëm me një Vendim të Këshillit të Ministrave ( Vendim Qeverie). Me shpalljen e vendimit dhe firmosjen nga kryeministri, Greqia zyrtare e konsideroi publikisht Dekretin të hequr me ligj.

 

 

Dy pjesët e këtij ligji
Ky veprim i qeverisë Greke nga njëra anë abrogonte plotësisht pjesën politike të dekretit. Pra atë të heqjes së “LIGJIT TË LUFTËS”, Ndërsa shtojcën që fliste për pasuritë e shqiptarëve në Greqi nuk e prekte fare. Pra, dekreti u hoq i pjesshëm. Arsyet për këtë ndarje janë të shumta. Së pari tek pjesa e dytë e Dekretit prekeshin interesa të shumta të veçantë dhe të ndjeshme ekonomike. Së dyti kjo pjesë mund të prekë interesa individësh apo grupe individësh në Greqi (në planin ekonomik). Pra është kjo pjesë e dekretit për të cilën bëhet zhurmë sot e kësaj dite, nga ku pretendohet se “ Ligji i Luftës” me Greqinë nuk është hequr. Pra pjesa ku Dekreti shpall “…pasurinë e shqiptarëve, pasuri armike…” duke i vënë ato (pasuritë e shqiptarëve) në “sekuestro konservative”, është sot e kësaj dite pjesa e pazgjidhur e “Ligjit të Luftës”
Reagimet e qarqeve shoviniste
Është mëse e saktë, se ndërsa një pjesë e mirë e popullit grek as që e shkonte ndërmend se ekzistonte një ligj lufte midis Greqisë dhe Shqipërisë, sërishmi nga shumë që kishin dijeni për këtë ligj ky abrogim u prit me mirësi, sidomos nga forcat progresiste dhe demokrate greke, të cilët edhe e përshëndetën këtë hap të qeverisë së Papandreut. Ndryshe ndodhi me qarqet ultranacionaliste, monarkiste dhe një pjesë të qarqeve fetare. Në unison, të gjitha këto qarqe organizuan dhe filluan një sërë protestash kundër Vendimit të Qeverisë së Papandreut. Gjithë shtypi i djathtë e kundërshtonte me forcë këtë akt të Qeverisë. Thirrjet frenetike që arrinin deri në ekstazë, filluan të akuzonin Qeverinë për Tradhti Kombëtare. Në gjithë këtë valë antiqeveritare nuk munguan edhe rastet e violencës. Në krye të të gjithë këtyre protestave qëndronin ithtarët e klaneve fashiste EPEN. Organizatat nacionaliste të ashtuquajtura vorioepiriote, QEVA etj…sikundër grupimi antishqiptar i grekëve të Amerikës POAKA. Ata theksuan se Dekreti duhej hequr me anë të Parlamentit.

 

Dekreti përballë miqësisë së popujve
Aktualisht, në kohën kur po flasim, në Greqi ndodhen më shumë se 700 mijë emigrantë shqiptarë. Viti 1991, do të mbahet si viti i lidhjes së miqësisë më të madhe ndërmjet dy popujve tanë nga më të vjetrit në Evropë. Ky vit, ishte viti i shpërnguljes masive të shqiptarëve mbas rënies së komunizmit drejt fqinjit tonë jugor, dhe kjo për arsye ekonomike. Populli grek u hapi portat e shtëpisë, u shtroi sofrën me bujari vëllezërve shqiptarë. Politikat armiqësore shumëvjeçare i kishin ndarë artificialisht këta popuj që kanë shumë gjëra të përbashkëta. As “ Ligji i Luftës”, as telat me gjemba nuk mund të ndanin miqësinë e trashëguar në shekuj deri në lidhje gjaku. Duke parë realitetin e sotëm, ku shqiptarë e grekë punojnë bashkë, kanë krijuar lidhje martesore, aktivitete të përbashkëta tregtare, apo bashkëpunimi i vazhdueshëm kulturor, tregon qartë se “ de fakto”, e çdo Dekreti Mbretëror midis dy popujve nuk ka ekzistuar dhe nuk ekziston. Popujt duan paqe, punë, mirëkuptimì. Politikat duhet ta ulin peshën e tyre të acarimit përballë dëshirës së popujve për bashkëjetesë paqësore.

Please follow and like us: