Albspirit

Media/News/Publishing

Afrim Krasniqi: Bilanci i një viti eksperimental

Ka një traditë të sjelljes politike në fundviti: pala që është në pushtet mendon se vendi po kalon ditët më të lumtura dhe se ajo po bën histori, pala që është në opozitë mendon se vendi po kalon ditët më të vështira dhe ajo ka një mision historik ndryshimi. Ligjërimi mbetet i njëjtë që prej vitit 1991 kur mori udhë pluralizmi politik. 2017 nuk bëri përjashtim. Shqipëria e Edi Ramës është vendi i reformave dhe ndryshimeve të mëdha, një imazh virtual që sheh çdo kryeministër kur është në kulmin e pushtetit personal. Shqipëria e Lulzim Bashës është vendi i krimit, drogës, varfërisë dhe kthimit në sundim personal, një imazh gjithashtu virtual që sheh çdo kryetar opozite kur kërkon të mbajë të ushqyer militantët. Midis tyre ka një opinion të qëndrueshëm dhe përcaktues, të 10-15% të qytetarëve që nuk bëjnë pjesë në partitë politike, të cilët si dje ashtu edhe sot shohin bilance modeste dhe progres mikroskopik në udhën e gjatë të tranzicionit drejt një shteti e shoqërie demokratike.

Faktet flasin se viti 2017 përbën një vit të veçantë në historinë tonë politike dhe sociale dhe se ecuria e tij do të kushtëzojë edhe 2-3 vitet e ardhshme. Kryefjala e vitit 2017 nuk ishin të vetme as aventura e çadrës në bulevard, as marrëveshja e 17-18 majit, as lista e deputetëve të inkriminuar që ikën apo janë në ikje, as emrat anonimë të ministrave që kishim e kemi, as këputa e gruas së Presidentit kundër kryeministrit, as beteja false në rrjetet sociale midis 2-3 liderëve kryesorë partiakë, dhe natyrisht as ëndrra verore e Vasilit pwr kryeministër apo atletet e veshja e sojit “çuni i fortë i lagjes” nga kryeministri. 2017 do të mbahet mend si një vit eksperimental, – eksperimental në qeverisje, eksperimental në politikë, eksperimental në politikën e jashtme, eksperimental në çështjet e sigurisë dhe testin e reformave, eksperimental në media dhe eksperimental me premtimin më të madh, reformën në drejtësi.

Të dhënat flasin vetë. Brenda pak muajve të vitit 2017 zhvilluam tri palë zgjedhje (presidenciale, parlamentare dhe zgjedhjet në PD) dhe në fund të tyre, nga buxheti shtetëror e partiak u harxhuan mbi 22 milion euro për të zgjedhur të njëjtët persona, Metën, Ramën e Bashën. Tri zgjedhjet ishin formale, Meta pa rivalë, Rama pa rivalë realë, Basha pa rivalitet. Tri partitë kryesore, PS, PD e LSI përjashtuan nga jeta politike politikanët kritikë të shefave të tyre, kryesisht figurat liberale dhe sollën në parlament një numër rekord prurjesh të reja, kryesisht biznesmenë apo stafe personale të kryetarëve. Nga 18 partitë konkurruese në zgjedhje asnjë prej tyre nuk bëri zgjedhje demokratike, dhe nga partitë parlamentare asnjë kryetar humbës nuk dha dorëheqje.

Gjatë 2017 Shqipëria eksperimentoi me qeverinë: ne kishim një qeveri pesë mujore me bazë PS-LSI, në maj u krijua një qeveri me bazë më të gjerë, PS-PD-LSI, dhe në shtator kemi një qeveri të re vetëm nga PS. Asnjëri nga tri eksperimentet nuk ka një bilanc zyrtar dhe as të shkruar, por sipas traditës, suksesi i përket kryeministrit, dështimi partive aleate të tij. Kabineti aktual ka numrin më të vogël të ministrave ndër vite, por njëherësh edhe numrin më të madh të zv/ministrave. Rekord më 2017 ishin numri i grave ministre, dhe risi përbën edhe heqja dorë nga praktika e vitit 2013 për ndarjen e mandateve të përfaqësimit midis ministrit dhe deputetit.

Më 2017 opozita parlamentare eksperimentoi të gjitha sjelljet, – nga sjellje konstruktive, në aksione destruktive, nga jeta parlamentare në bojkot parlamentar, nga kontestimi ekstrem i palës tjetër në bashkëqeverisje me të. Në shkurt 2017 opozita nisi protestat dhe bojkotin parlamentar me premtimin se nuk do të ketë kurrë më zgjedhje me kryeministër Ramën. Tre muaj më vonë opozita jo vetëm hoqi dorë nga kushti, por i dha mbështetje publike e institucionale Ramës kryeministër, duke paravendosur de facto edhe rezultatin dramatik të saj në zgjedhjet parlamentare. Gjatë vitit 2017 opozita premtoi reformimin tërësor të sistemit politik, krijimin e Republikës së Re, por në zgjedhjet parlamentare dhe zgjedhjet brenda saj, si dhe në produktin vjetor politik, opozita u bë garancia e mbijetesës së republikës së vjetër, duke hequr dorë nga 90% e premtimeve të saj në “çadrën e lirisë”.

Më 2017 Shqipëria eksperimentoi me Presidentin: ajo ka për herë të parë një President, i cili në momentin e zgjedhjes dhe betimit, tha se nuk e donte këtë post, dhe se është hera e parë që Presidenti është një politikan protagonist i një sërë skandalesh korruptive përgjatë viteve. Midis periudhës së zgjedhjes dhe periudhës së betimit, Presidenti u shfaq e kundërta e pozitës zyrtare, – një politikan agresiv me retorikë të ashpër që kulmoi në thirrjen ditën e votimit për armatosjen e mbështetësve të tij, – por pas betimit, është kthyer në normalitetin e funksionit presidencial. Kalimi i drejtimit të LSI nga bashkëshorti tek bashkëshortja përbën rastin e parë në një parti politike në një vend demokratik.

Më 2017 vijoi eksperimentimi me reformën në drejtësi. U desh një vit kalendarik (korrik 2016-korrik 2017) për të ngritur trupat e vetingut, dhe gjashtë muaj të tjerë për të plotësuar stafet e tyre ose për ti pajisur me zyra. Aktualisht reforma në drejtësi është në pikën më delikate, – shihet si sukses, ka pritshmëri të lartë, ende nuk ka dhënë rezultat dhe ka vullnet të qartë politik për ta pamundësuar atë. Asnjë prej partive parlamentare dhe kryetarëve të tyre nuk është mbështetës real i reformës, dhe secili prej tyre i frikësohet hetimeve për korrupsion nga BKH apo SPAK. Ngritja e strukturave të vetingut dhe vetë reforma në drejtësi përbëjnë eksperimentin më unikal në historinë moderne të sistemeve qeverisëse dhe sistemeve të drejtësisë.

Më 2017 vijoi eksperimenti në nivelet e larta vendimmarrëse, duke kulmuar me zgjedhjen emergjente të Prokurorit të Përgjithshëm, i pari Prokuror i Përkohshëm në historinë shqiptare, zgjedhur përmes një séance plenare që do lërë gjurmë në memorien negative të tranzicionit. Eksperimenti vijon edhe me Gjykatën Kushtetuese e të Lartë, të dyja në kapacitet 50-60%, me strukturat e hetimit dhe gjykimit të krimeve të rënda, secila zyrtarisht të shkrira që në gusht 2017, apo me një shërbim sekret ende me drejtor të përgjithshëm të komanduar.

Vit eksperimental mund të konsiderohet edhe tematika në lidhje me reformën zgjedhore. Gjatë 2017 komisioni parlamentar nuk arriti të mblidhej dhe për herë të parë pas 1996, rekomandimet e ODIHR nuk u reflektuan në zgjedhje. Në tetor 2017 është krijuar komisioni tjetër parlamentar, deri tani pa mbledhje, axhendë e rezultat, – ndërkohë që dy palët politike kanë imponuar dy elementë eksperimentalë zgjedhorë, – votimin e emigracionit dhe futjen e teknologjive elektronike në votim dhe administrimin e zgjedhjeve. Në zgjedhjet 2017 tre kandidatë “të fortë” siguruan mandate personale dhe morën më shumë vota sesa gjysma e partive të vogla politike parlamentare.

Temë dominuese sociale ishte eksperimenti midis “policisë që duam” dhe “rekordit historik të prodhimit të kanabis”. Në janar 2017 kishim një super-ministër dhe suksesi numër një i qeverisë konsiderohej reforma në policinë e shtetit, por në fund të vitit super-ministri është politikani i parë në 27 vjet që akuzohet për aktivitet kriminal dhe se premtimi kryesor i qeverisë është reforma e re në policinë e shtetit. Në fundin e janarit 2017 drejtuesit më të lartë të ekzekutivit shpallën fundin e operacionit më të suksesshëm në tranzicion kundër kanabis, por gjashtë muaj më vonë, qeveria dhe ministri pasues deklaruan se lejimi i kanabis ishte dështimi më i madh dhe se raportet e trafikimit të tij në shifra rekord vijuan deri në nëntor 2017. Aktualisht mbi 80% të kupolës drejtuese në policinë e qarqeve është shkarkuar e fajësuar për përfshirje në kabanizimin e vendit, por asnjë prej tyre nuk është paditur në prokurori dhe për pasojë, nuk është dënuar.

Natyra eksperimentale vijoi edhe në sektorë të tjerë, përfshirë median, politikën e jashtme, arsimin dhe qeverisjen vendore. E mbyllim vitin pa Akademi të Shkencave dhe në një sistem universitar eksperimental. Gjatë vitit 2017 nga qeveria qendrore e lokale janë miratuar projekte për ngritjen e ndërtesave më të larta në historinë shqiptare, në kontrast me ligjërimin dhe premtimet pro mjedisit kemi numrin më të madh në 10 vitet e fundit të lejeve të ndërtimit në qytetet kryesore, si dhe në kontrast me politikat sociale kemi aplikimin për herë të parë të koncesioneve në rrugët kombëtare, kundrejt pagesës nga çdo qytetar që i përdor ato.

Gjatë vitit 2017 mediat online e fituan garën rivalizuese ndaj mediave tradicionale, por gjithsesi, për shkak të modelit të ri të fake news dhe numrit të madh të mediave online të hapura në fushatën elektorale (mbi 120 media të reja), në fundviti rezulton se media vizive vijon të ketë shikueshmëri e ndikim shumë herë më të lart sesa të gjitha mediat e tjera. Zhvillim pozitiv ishin disa nisma civile për protesta, thirrjet për reagim qytetar ndaj korrupsionit dhe sistemit të mbyllur politik, si dhe vijimi i dekriminalizimit, me ikjen e njeriut me tre emra që drejtonte Kavajën dhe disa të tjerëve nga parlamenti.

Viti po mbyllet me disa detaje domethënëse: për herë të parë kemi një kryeministër që qëndroi një javë në SHBA dhe nuk arriti të takojë asnjë zyrtar të lartë politik apo të administratës, për herë të parë kemi një opozitë rrogëtare në kuotat jo konkurruese dhe pa mbështetje ndërkombëtare, për herë të parë kemi një qeverisje të një partie dhe një shumicë qytetare që preferon emigrimin, për herë të parë kemi fushatë denigruese kundër ambasadorëve të BE dhe SHBA, dhe po ashtu kemi një sistem politik konsensual që jo vetëm refuzon e injoron por edhe denigron kritikën ngado që ajo vjen, – nga media, shoqëria civile, qytetarët apo grupet me të drejta të mohuara.

Ka pasur përpjekje pozitive drejt shërbimeve publike elektronike, forcimit të regjimit të taksave, rritjen e raporteve me shtetet fqinje e rajonale, apo formalizimin ekonomik. Elementë të njëjtë vlerësues mund të gjenden edhe në sektorë të tjerë, por thelbi mbetet i pandryshuar: viti 2017 ishte një vit eksperimental, me shumë pritshmëri dhe pak rezultate, vit që forcoi akoma më shumë kryetarët e partive dhe klientelën e tyre politike e financiare dhe dobësoi akoma më shumë partitë si institucione, zgjedhjet si shprehje e sovranitetit dhe institucionet e të drejtës si mekanizma garancie dhe stabiliteti. Për pasojë, viti 2018 rrezikon të mbetet peng i eksperimenteve të vitit 2017 dhe në shumë aspekte, do të paguajë çmimin e lartë të gabimeve të tij. Me ndryshimin e vetëm, – nuk do kemi zgjedhje dhe BE do të na japë një shans tjetër, me standardet e dhuratës së të pasurit të qytetëzuar ndaj fqinjit të varfër e problematik.

Please follow and like us: