Albspirit

Media/News/Publishing

Byzylykët e të dënuarve, Gjykata urdhëron Prokurorinë të regjistrojë procedim penal

Gjykata e Tiranës rikthen sërish çështjen e byzylykëve të mbikqyrjes elektronike të personave që u kufizohet lëvizja për shkak të veprave penale që dyshohen se kanë kryer.
Pas denoncimit të skandalit me byzylykët elektronikë nga ish-ministri teknik i Drejtësisë, Gazment Bardhi në gusht të këtij viti, çështja ju referuar për hetime Prokurorisë së Tiranës. Por kjo e fundit vendosi mosfillimin e procedimit.
Ky vendim i prokurorisë u ankimua më pas nga ministrja e aktuale e Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe Gjykata e Tiranës vendosi të pranojë këtë ankim duke urdhëruar Prokurorinë që të regjistrojë procedimin penal për byzylykët e mbikëqyrjes elektronike.
Më konkretisht, Prokurorisë i kërkohet të verifikojë dyshimet se byzylykët elektronikë që janë dorëzuar nga bashkimi i operatoreve nuk janë funksionale. Ky dyshim lindi pasi ish-ministri teknik Bardhi konstatoi se byzylykët elektronikë, që ishin blerë nga ministria, nuk mbaheshin nga qendra e mbikëqyrjes elektronike në Ministrinë e Drejtësisë, por nga bashkimi i operatoreve, të cilët ja kishin shitur institucionit.
Pas denoncimit të këtij rasti në gusht të këtij viti, ministri teknik Bardhi urdhëroi fikjen e shërbimit të mbikëqyrjes elektronike për gati 90 persona që mbanin byzylykët, pasi ishin evidentuar raste që personat e kishin hequr byzylykun pa u konstatuar nga salla e mbikëqyrjes.

Please follow and like us: