Historia e veçantë e beqarit 90-vjeçar: S’i doja nuset e partisë, më pëlqente një aktore e huaj
As punoi dhe as u martua kurrë. Pavarësisht presionit të Partisë-shtet dhe presionit familjar e shoqëror, Xhemal Halili nga fshati malor Vlash është ende një beqar në të 90-at, që kush në jetë nuk i ka thënë “punë e mbarë”!. Ai mbeti jetim që i vogël, por edhe pa shtëpi.
Kur ishte i ri dhe kërkonte nuse, Xhemali nuk kishte një strehë ku ta çonte. Kur u moshua dhe fshati i ndërtoi një banesë me kontribut vullnetar, atëherë nuk i pëlqente më të martohej. Kjo sepse sugjerimet i vinin nga Partia e Punës, ndërsa Xhemali ëndërronte për një bukuroshe të huaj, ashtu siç e kishte parë njëherë në një film. Në një intervistë për “Panorama”, ai, shprehet se jeta është kalim kohe kur shkon te 90-at. “Jeta kur shkon tek 90-at nuk është më jetë, por kalim kohe. Tashmë e kaloj duke vizituar miqtë, fjetur gjumë, por edhe duke menduar për vitet që ikën dhe nuk kthehen më…”
I pyetur nga “Panorama” se çfarë do të kishte bërë ndonjë gjë në të kaluarën që nuk e bëri dot, Xhemali ka pohuar: “Të martohesha dhe të kisha një familje, në mënyrë që sot të mos isha vetëm. Unë mbeta jetim që i vogël dhe nuk kisha shtëpi. Rrija me të afërm. Kur isha i ri dhe doja të martohesha, tërhiqesha se më vinte keq për nusen që do ta merrja; Ku do ta çoja? Ku do të flinte? Ku do të rrinim, të hanim? Nuk kisha shtëpi. Nuk kisha punë, nuk kisha asgjë.”. Pyetjes se pse nuk kishe punë, Halili iu përgjigj se kishte pak klasë shkollë dhe asnjë profesion. “Kisha pak klasë shkollë dhe asnjë profesion. Isha në kooperativë, por nuk më pëlqente. Asokohe janë bërë gjithë ato mbledhje partie, se pse nuk shkoja të punoja. Të them të drejtën isha pak mendjemadh, por edhe dembel nga natyra. Nuk më punohej në kooperativë. Unë kisha probleme me organizatën bazë të partisë. Por gjithsesi brigadierët ishin të mirë, nuk më spiunonin. Duke qenë se kooperativat përgjithësisht ishin me gra dhe unë isha beqar ndiheshin më të qetë, që unë si burrë të mos shkoja në punë. Unë nuk i ngacmoja në fakt, pasi ishin gratë, bijat apo motrat e shokëve të mi. Por gjithsesi ishte më mirë që të mos punoja mes grave, që gjithsesi çdokush të rrinte pa merak.”
Më tej, Xhemal Halili shton se edhe pse pa punë bënte një jetë të bukur. “Edhe pse pa punë, bëja një jetë të bukur. Vërtet isha i varfër, por jetën e bëja tamam si beqar. Dilja, shëtisja, shkoja nëpër sebepe te familjet që kishin lindje, fejesa, martesa etj,. Vera ishte stina më e mirë për mua, se gati çdo të enjte dhe të diel kishte dasma në zonë dhe shkoja për urime. Ndërsa në dimër, zakonisht shkoja për kuvende me burrat, nëpër ‘shtëpitë e oxhaqeve’, ku nxirrej kafe turke dhe muhabeti vazhdonte deri në mengjes”.
Edhe pse fshati ia ndërtoi shtëpinë me kontriubut vullnetar, ai sërish nuk u martua, pasi për Xhemalin ishte vonë.
“Shtëpinë ma ndërtoi fshati me kontribut vullnetar, por atëherë ishte vonë dhe nuk doja të martohesha më. Kjo pasi kishin kaluar vitet, nuk isha më i ri. Ndërkaq, nuset që më sugjeronin ishin nga ato të partisë. Unë nuk doja nuse partie, apo të ma sugjeronin ata. Të them të drejtën, unë doja një nuse të huaj. Kisha parë njëherë një film dhe më mbeti në mendje ajo, por që emrin nuk ia mbaj mend. Tani me të thënë të drejtën jam penduar që nuk u martova. Se sot që mezi lëviz, nuk do të isha vetëm në shtëpi, por do të bisedoja me dikë”. Por pse nuk ka dashur një nuse vendi, Xhemali ka pohuar se kishte frikë.
“Duke qenë se refuzoja nuset e partisë, kisha frikë se mos më fusnin në burg, nëse merrja ndonjë nuse që e pëlqeja vetë. Kështu që i rashë shkurt, nuk u martova fare.” Por pyetjes nëse ka pasur ndonjë të dashur, ai i është përgjigjur: “Epo është një shprehje që e përdor sa herë më kritikojnë se pse nuk kam punuar. Kau (demi) që përdoret për nderëzim nuk futet në hulli”, – ka përfunduar 90-vjeçari, Xhemal Halili.
Please follow and like us: