Ilir Levonja: Flisni për Hoze Muhicën…
Hoze Muhica (Jose Mujica) është presidenti i Uruguajit. Ai sot konsiderohet një ndër njerëzit më të shikuar në botë, kjo për shkak të një reforme individuale në raportin e presidentit me Institucionin. Por edhe për faktin se prodhimi bruto i vendit, ka një rritje impresionuese. Një ish i burgosur politik për shkak të pjesmarrjes në njësitet guerile. Socialist, por jo i tipit Çavez. Ai njihet si njeriu që legalizoi marihuanën, menjëherë sapo erdhi në pushtet më 2010-tën.
Djali i një familje emigrantësh italianë. Një fermer i cili ka vënë në dispozicion pronën për emergjencat civile, si tërmeti, përmbytjet natyrore etj. Merr vetëm 1200 dollarë në muaj, ku gati 90% e kësaj vlere, shkon për insitucionet në ndihmë të të varfërve. Udhëton me makinën personale golf zhuzhak, por shpesh përdor edhe autobuzët urbanë. Kjo, jo për t’i treguar botës ndonjë stil trendi revolucionar, por thjesht, siç edhe e pohon ai, për t’ju përshtatur jetës që bën pjesa më e madhe e popullatës në Uruguajin latino-jugor.
Deviza e jetës së tij, përderisa një qytetar uruguajan jeton me më pak se kaq, pra 10 përqindshi i pagës së presidentit, përse të mos jetojë edhe unë.
Hoze Mujica të paktën ka arritur të kuptojë një gjë, i vetëm njeriu nuk e ndryshon botën. Nuk përmirëson jetën e popullit. Nuk mund t’u fali atyre parajsën, apo tua bëj realitet përrallat orientale të Njëmijë e një netëve, etj. Por i vetëm, njeriu ka mundësi t’u qëndrojë pranë njerëzve.
Po, politikanët tanë? A fal ndokush, gjëkafsh nga rroga e tyre? A shkojnë në punë me urban. Me zhuzhak?
Para pak ditësh, një e përditshme italiane i adresohej presidentit të vendit me gërma të mëdha, me foton e Hoze Muhicës. Zoti president merr vetëm 800 euro në muaj.
Ky titull sarkaistik nuk i referohej vetëm krizës. Por mungesës së solidaritetit për të qënë një me gjithë vendin.
Mirëpo në Shqipëri ka garë markash, Jaguar, Porsche Cayenne,Volkswagen Touareg, Daimler, Genesis, etj.
Ndërkohë flasim për krizë, rënie të GDP, tradhtarë, rrënues, borxhaxhinj.
Përballë kësaj, për shoqërinë tonë figura si Hoze Mujica apo filozofia politike e tij kur thotë se është gabim të mendosh që pushteti vjen nga gjithësia, atë të jep vota e juaj, duken fare larg. Ndaj filloni të mendoni dhe flisni për tipa si Hoze Muhica, njeriu politikan që shkon më këmbë në zyrë, që e punon vet kopshtin.
M’u ballafaquan të gjitha këto, pasi i hodha një sy shtypit.
Një president që vetëm ndan dekorata me shumicë.
Një kryeministër i cili bën skupin e radhës se do hedhi sheshit 1 miliard euro. Si çeku i bardhë në fillimet e demokracisë sonë. Ndërkohë para 3 viteve premtoi 350 mijë vende pune. Kur deri më sot ka siguruar me sukses të plotë, 18 mijë, veçse partiakë të tij të thekur.
Një kryetar kuvendi, një socialist i vjetër dhe LSI-st i ri, hedh për qejf malanjaken e radhës.
Pra larg Hose Muhicës, larg Uruguajit, në vendin tim, një socialisti qeveritar nuk i dihet rroga. E jo më ta ndajë me të varfërit. Nga ana tjetër nuk e ka problem të ndajë gruan, me gjëndje civile, me letra si i thonë, thjesht për histeri biznesi. Nuk i dihet se sa i kushton prona. Nuk i dihen se sa ka. Dhe ku i ka. Nuk udhëton me makinë personale zhuzhak rrangallë. Madje i nxjerr jashtë ligjit, nën presionin e tregut informal. Nuk e legalizon marihuanën, as nuk e ndalon. Ditën bën sikur i djeg parcelat, kurse natën çon zjarrfikëset për ta vaditur. Vret e pret si i do qejfi. Nuk pjerth për kënd. Dhe Hose Muhicat, i ka si ato stampat në letrën higjenike të banjos ku ka harxhuar miliona për të sjellur mermer të kuq siçilie.
Aferim ju qoftë.