Albspirit

Media/News/Publishing

SHBA paralajmërojnë sërish për Gjykatën e Posaçme

Ambasada amerikane në Prishtinë, ritheksoi të premten se çdo përpjekje për të shfuqizuar ligjin për Gjykatën e Posaçme për krime lufte, do të ketë pasoja të thella negative për të ardhmen e Kosovës dhe marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara.

Në një komunikatë të ambasadës amerikane thuhet se “gjatë kësaj jave udhëheqësit e Kosovës kanë bërë deklarata të përsëritura publike duke thënë se një nismë lidhur me Gjykatën e Posaçme e ndërmarrë në parlamentin e Kosovës, nuk do të dëmtojë marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës. Ata e kanë gabim. Çfarëdo përpjekje e tillë e përsëritur do të kishte pasoja të thella negative për të ardhmen evropiane të Kosovës dhe për marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara“.

Më 22 dhjetor, kryesia e parlamentit u mblodh dy herë për të caktuar një seancë të jashtëzakonshme për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën e Posaçme, pas një kërkese të nënshkruar nga 43 deputetë. Në mungesë të kuorumit ajo dështoi të caktojë seancë, meqë në takimin e kryesisë nuk morën pjesë përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike, lëvizjes Vetëvendosje dhe as të Listës serbe.

Përpjekja bëri që ambasadorët perëndimorë të paralajmërojnë Kosovën për pasoja të rënda. Ambasadori amerikan tha se “Shtetet e Bashkuara i kundërvihen çdo përpjekjeje për të ndryshuar apo shfuqizuar ligjin për Gjykatën e Posaçme. Këto përpjekje, nëse kanë sukses, do të kenë ndikime të thella negative për të ardhmen e Kosovës si pjesë e Evropës. Kjo do të konsiderohet nga Shtetet e Bashkuara si një thikë pas shpine”.

Më pas, parlamenti shkoi në pushim deri në mesin e janarit, por debatet rreth nismës vazhduan dhe zyrtarët e lartë të vendit, përfshirë edhe presidentin Hashim Thaçi, thanë se ndryshimi i ligjit për Gjykatën e Posaçme nuk do të dëmtonte marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Bashkimit Evropian.

Ideja për shfuqizimin e gjykatës pasoi nënshkrimin e një peticioni nga ana e Organizatave të veteranëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me anë të të cilit kërkohet nga parlamenti të ndryshohet dhe plotësohet ligji për Gjykatën e Posaçme për krime lufte, të cilën ata e cilësojnë diskriminuese për Kosovën. Peticioni me 16 mijë nënshkrime është dorëzuar në parlament.

Në fillim të muajit gusht të vitit 2015, parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën e Posaçme, e cila me emrin “dhomat e posaçme” do të veprojë në Hagë me gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë dhe do të trajtojë pretendimet për përfshirjen e ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte.

Ideja për themelimin e gjykatës së posaçme për krime lufte në Kosovë, pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty, raporti i të cilit i paraqitur ne Këshillin e Evropës gjashtë vjet më parë, përmban akuza ndaj ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Gjykata është vendosur në Hagë për faktin se siç është thënë dëshmitarët mund të ndiheshin të kërcënuar nëse proceset gjyqësore do të zhvilloheshin në Kosovë.

Hetimet rreth pretendimeve për krime lufte të kryera nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Zyrtarët perëndimorë pohojnë se Gjykata do të ndihmojë heqjen e reve të zeza mbi Kosovën dhe do të veprojë në përputhje me ligjet e Kosovës.

Jemi jashtëzakonisht të dëshpëruar me ata që do të sakrifikonin të ardhmen e shtetit të tyre dhe përkrahjen e patundur të Shteteve të Bashkuara në favor të interesave të tyre personale“, thuhet në reagimin e së premtes të ambasadës amerikane në Prishtinë. /Zëri i Amerikës/

Please follow and like us: