Vota në OKB dhe një mësim i vyer nga Brzezinski
Prof. Fatos Tarifa
“Replika” e djeshme ndaj shkrimit tim “Tërë ky filistinizëm”, botuar në këtë gazetë tri ditë më parë, nuk më habiti aspak. Jam mësuar me “replika” si kjo dhe autori i saj, Bledar Prifti, nuk është një “replikues” i ri. Por, këtëherë, që në fillim vura buzën në gaz kur lexova fjalinë e parë me të cilën e niste “replikën”e tij Bledari: “Nëse ju kujtohet, para katër vitesh, unë kam pasur një debat me Profesor-Ambasador Fatos Tarifën në lidhje me politikën e jashtme të Shqipërisë”! Si mund të mos u kujtohet lexuesve të Ditës “debati” i Bledarit me një profesor-ambasador, debat që, mesa duket, ai e konsideron si një arritje intelektualetë të tij. Në fakt, ajo çka ai e quan debat nuk ishte spak i tillë, por një dualog i mërzitshëm i Bledarit me Priftin. Lexuesve të kësaj gazete patjetër u kujtohet. Domosdo, ç’gjë tjetër mund të ketë pasur rëndësi më shumë sesa ai shkrim i Bledarit katër vite më parë?
E pra, katër vite më parë, ky djalë botoi, po në këtë gazetë, një replikë ndaj pikëpamjeve të shprehuranga unë publikisht në një forum të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave mbi kulturën strategjike dhe partneritetet strategjike të Shqipërisë në politikën e saj të jashtme. Në atë kohë, fillimisht, hezitova që t’i përgjigjesha shkrimit të tij, pasi kuptova se Bledari nuk e kishte dëgjuar dhe as lexuar atë çfarë unë thashë në atë forum, por vetëm kishte peshkuar dy-tri fraza nga ndonjë gazetë online, tërësisht të shkëputura nga konteksti teorik dhe gjeostrategjik i argumenteve të mia, për të prodhuar një “replikë” që vetëm e tillë nuk ishte. Por meqënëse bledarët po bëhen përherë e më shumë në shtypin dhe në mediat shqiptare një kategori që më shumë sesa analistë janë nihilistë, vendosa t’u përgjigjesha sulmeve të tij. Vura në dukje se “replika” e B. Priftit vuante nga tri të meta të mëdha—solipsizmi, narcisizmi dhe dilentantizmi—dhe, po kështu, përmbante tri gafa të mëdha, të cilat i quajta demografizëm, historimisticizm dhe gjeopolitizëm. Përgjigjen time për atë “replikë” të B. Priftit e titullova “Science Fiction: Ose si nuk duhet shkruar shkencë politike” ajoështë botuar nga unë në vëllimin Bona fide (Onufri, 2014).
Replika e djeshme e B. Priftit nuk më jep ndjesinë se duhet të merrem sërish, apo seriozisht me të, pasi në ato çfarë ai thotë vë re të njëjtat simptoma dhe gafa të replikës së parë. Sidoqoftë, meqenëse më jepet rasti, dua të them dy fjalë për vendimin e presidentit Trump në lidhje me Jeruzalemin (për votën e Shqipërisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së mbi këtë çështje jam shprehur qartë).
Është e vërtetë se, në vitin 1995, Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati i Shteteve të Bashkuara votuan të ashtuquajturin “Jerusalem Embassy Act”, i cili kërkon njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit dhe zhvendoshjen e ambasadës amerikane në atë qytet. Këtë të dhënë, B. Prifti e ka të saktë. Sidoqoftë, ai nuk thotë se çdo president amerikan që nga ajo kohë, pra në këta 22 vitet e fundit—Bill Clinton, George W. Bush dhe Barack Obama—për arsye të deklaruara që kanë të bëjnë me “sigurinë kombëtare” të Shteteve të Bashkuara, ka refuzuar ta vërë në jetë këtë akt, duke e shtyrë vazhdimisht zbatimin e tij, çka do të thotë se ai akt, ose ligj, kurrë nuk ka hyrë në fuqi. Edhe vetë presidenti Trump, vetëm pak orë pas deklaratës së tij, më 7 dhjetor, nënshkroi një vendim, siç kanë bërë të gjithë paraardhësit e tij në Shtëpinë e Bardhë, që e shtyn zbatimin e atij akti për të paktën 6 muaj. Nuk është e pamundur që, përballë presionit shumë të madh të aleatëve europianë, të Kinës, Rusisë dhe pjesës më të madhe të komunitetit ndërkombëtar, z. Trumptë vazhdojë ta shtyjë edhe më tej zbatimin e këtij akti, ndoshta deri në fund të presidencës së tij.
Është e çuditshme se si B. Prifti, i cili prezantohet si njohës i politikës së jashtme amerikane në Lindjen e Mesme, nuk arrin të kuptojë rrezikun real (aspak të imagjinuar) të konfrontimeve të ardhshme, edhe më të përgjakshme se deri më sot, në Lindjen e Mesme, pikërisht për shkak të një çështjeje të madhe të pazgjidhur, me rëndësi jo vetëm për popullin palestinez dhe Shtetin e Izraelit, por edhe për sigurinë dhe paqen në atë rajon dhe shumë më gjerë.
Nuk është thjesht presidenti turk Erdogan, siç mendon në mënyrë naive B. Prifti, por janë dy të tretat e të gjitha shteteve të globit, të përfaqësuara në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, që japin alarmin e një krize edhe më të thellë në Lindjen e Mesme, nëse z. Trump i përmbahet vendimit të tij. Ndër to bëjnë pjesë edhe Franca e Gjermania, qeveritë e të cilave e kanë penguar deri më sot—dhe janë shprehur hapur se nuk e dëshirojnë—anëtarësimin e Turqisë në BE. Ndër to bën pjesë edhe Britania e Madhe, aleatja kryesore dhe historikisht më e rëndësishmja e Shteteve të Bashkuara. Kryeministrja britanike Theresa May është shprehur se vendimi i z. Trump nuk i ndihmon “perspektivës për arritjen e paqes në rajon” dhe se vendi i saj nuk do ta ndjekë Amerikën në këtë veprim të saj. Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, gjithashtu, e kanë dënuar veprimin e presidentit Trump.
Kjo ndarje mes Amerikës dhe aleatëve të saj europianë për çështjen e statusit të Jeruzalemit duket se nuk ka asnjë rendësi për B. Priftin. Unë dëshiroj, me këtë rast, t’i kujtoj atij mësimin e vyer që na vjen nga i ndjeri Zbigniew Brzezinski, një ndër mendimtarët më të mëdhenj të të gjitha kohëve në fushën e gjeopolitikës, i cili, jo shumë kohë më parë, na ka lënë këtë postulat testamental: “Amerika dhe Europa, së bashku mund të jenë forca decizive për të bërë mirë në botë. Të ndara dhe veçanërisht nëse i kundërvihen njëra-tjetrës, ato garantojnë impas dhe kaos më të madh”.
- Prifti nuk thotë asgjë për këtë aspekt mjaft të rëndësishëm të çështjes, por thjesht mërmërit në fund të “replikës” së tij këto fjalë absurde: veprimi i z. Trump “jep më shumë një shpresë të re se sa një pesimizëm të vjetër”. Ndërkohë, presidenti palestinez Mahmoud Abbas ka deklaruar se, me veprimin e tij, presidenti Trump ka nënshkruar në fakt dorëheqjen e Amerikës nga “roli i saj si mediator në rajon” dhe se shanset për një zgjidhje të konfliktit izraelito-palestinez, që do të njihte dhe mundësonte realitetin e dëshiruar të dy shteteve të veçantë, tashmë bëhen të pamundura.
Deklarata amatoreskee B. Priftit më kujton Lolon në një prej veprave të Shekspirit, që thotë: “Duhet të jesh gomar që të mos e dish se kali e tërheq karrocën dhe jo së prapthi”. Kushdo që është i informuar për procesin e negociatave për zgjidhjen e konfliktit palestinezo-izraelit, qysh nga Marrëveshja e Oslos (1993) e këtej, e di fare mirë se statusi i Jeruzalemit do te ishte hapi final, fundi i negociatave mes të dyja palëve, konkluzioni i një procesi të gjatë paqeje dhe jo mënyra për ta filluar këtë proces, siç duket se beson edhe z. Prifti, ky diletant i analizave politike.
Ndër vite kam shkruar e botuar mjaft për politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara, duke argumentuar se lidershipi i saj global ka qenë dhe mbetet i domosdoshëm në kushtet e shoqërisë së sotme. Bota e sotme ka nevojë për një fuqi stabilizuese efektive dhe këtë rol—aktualisht dhe për një kohë të gjatë—nuk mund ta luajë asnjë fuqi tjetër e madhe veç Amerikës. Në mungesë të lidërshipit amerikan, alternativa më e mundur do të ishte kaosi dhe ne e pamë këtë së fundmi në Siri. Unë mendoj se shumë prej veprimeve unilateriste të z. Trump dhe retorika e tij nuk i shërbejnë forcimit të lidershipit global të Amerikës, por e dobësojnë atë, duke provokuar gjerësisht sentimente anti-amerikane, edhe në rajone e vende ku këto sentimente tradicionalisht nuk kanë qenë intensive. Rastii fundit është pikërisht i tillë. Edhe pse Amerika vazhdon të mbetet fuqia dominuese e globit, ajo, siç vinte në dukje me të drejtë Samuel Huntington, “nuk është në gjendje që t’i zgjidhë e vetme problemet e mëdha globale të kohës sonë”.
Së fundmi, si një footnote, më duhet t’i kujtoj replikuesit të zellshëm B. Prifti se argumentet, si të tillë, nuk mund të jenë “të pavërtetë nga ana ligjore”. Ligjet nuk kanë të bëjë me të vërtetën, madje, shumë herë, as me të drejtën, prandaj edhe shteti ligjor dhe shteti i së drejtës nuk janë e njëjta gjë. Po kështu, për shkak se ai ka studiuar për shkencë politike, më duhet t’i sqaroj se Bashkimi Europian nuk është një “konfederatë e krijuar për arsye ekonomike”, siç deklaron ai; këtë e di çdo student që ka marrë njohuritë fillestarenë këtë disiplinë.
Bashkimi Europian nuk është as një konfederatë, as një federatë. Ai është më shumë sesa një regjim ndërkombëtar, por më pak sesa një shtet supranacional. Për shkak të këtij tipari eluziv të tij, studiuesit e kanë të vështirë të bien dakord në gjetjen e një përcaktimi adekuat për Bashkimin Europian, i cili përcaktohet herë si një “sistem politik pjesërisht i formuar”, herë si një “sistem politik i mundshëm” dhe herë të tjera si një “sistem sui generis”. Përcaktime të tilla shprehin si faktin që integrimi europian është ende një proces i papërfunduar (Brexit u shton dilemave të djeshme një dilemë të re), ashtu dhe veshtirësitë për ta përcaktuar BE-në konstitucionalisht.
Koncepte të paqarta dhe njohuri të pathelluara çojnë në gabime dhe në një zell absurd për të kundërshtuar për hir të kundërshtimit.