Albspirit

Media/News/Publishing

Natasha Lako: Parfumi i një sigle

 

Sa kapërcen rrethinat e Korçës, Kolonja të del një rrafshaltë e zbrazët, e mbetur pothuaj pa njerëz, që të kujton menjëherë ekranin e televizionit publik. I injoruar ose i keqtrajtuar edhe pse varet nga përzgjedhjet parlamentare dhe një bord ku e çon fukarralleku i pergjithshëm, TV publik tregon aneminë e përgjithshme të shoqërisë shqiptare.

Megjithatë njerëzit vazhdojnë t’i kthehen këtij kanali televiziv, i cili ka shpëtuar disa programe të nostalgjive kombëtare për zërat e fuqishëm të artit të vet. Pjesë e këtij arti u bë edhe sigla e fundit që po rreket të trasmetohet si sukses i madh dhe është ndoshta jo për këtë gjigand të madh, por për ata që e kanë krijuar. Reklama është tepër pompoze, madje krahasuese, pasi herë pas here ka treguar edhe siglat e kanaleve të tjera, të cilat janë tepër normale dhe të qarta.

Dhe askujt nuk mund t’i shkonte mendja që sigla e një televizioni publik të ishte aq e stilizuar, së pari, që do të thotë e larguar nga këndvështrimi i shqiptarëve, madje edhe i më të vobektëve të kësaj bote, të cilëve ushqimi shpirtëror u vjen jo vetëm si me tallona, por kështu edhe me pesticide të dëmshme. Mund të jenë bërë konkurse të hapura mund të thotë dikush, madje për diçka që varet nga shije të ndryshme, por e vërteta nuk vonon, sepse kësaj rradhe mbetet jo në prag, por në ballë. Dhe kjo sigël e paraqitur me pompozitet nga më të çuditshmit, si betejë e madhe televizive do të jetë në krye të çdo emisioni.

Duhet të marrësh me mend dhe durim deri sa t’i dalësh në krye domethënies TVSH, si në ato testet e sigurive kompjuterike ku duhet të gjesh shkronjat e sakta për të krijuar një fjalë që vërteton se nuk je idiot ose një modul i vërtetë hakerimi. Lulëzimi i artit të minimizimit, që herë të kujton ndoshta edhe përpjekjet e para të shkronjave shqipe që nuk dinin nga t’ia merrnin vrapit, së fundmi 105 vjet pas Kongresit të Manastirit po merr përsëri rrokopujën sikur të mos ketë jetuar as Fishta, as Asdreni, as Mit’hat Frashëri, dhe më vonë as Komisia Letrare. Kanali televiziv publik kthen kohën prapa duke u fshehur pas kërkesave të BE dhe afateve te digjitalizimit.

Për të propaganduar këtë arritje të madhe, madje jo të digjitalizimit, por të siglës së re është njoftuar ditë për ditë hapësira e reklamave, ku për çudi shohim për krahasim edhe atë të BBC, ARTE dhe kanale të tjera televizive europiane, të cilave as u shkon ndërmend të provojnë marrëzira të tilla si të siglës së pakuptueshme të Televizionit Shqiptar, që duket sikur ka marrë borxh shkronjat e Azisë së largët ndoshta për të treguar se Shqipëria është anëtare e bindur e komonuellthit islamik.

Please follow and like us: