Rrogat në Superiore, ja milionerët në 10 klube
Suksesi në një klub futbolli nuk është e thënë të arrihet vetëm nga ata që paguajnë më shumë për rrogat e lojtarëve. Mbi të gjitha diferencën e bëjnë drejtuesit që dinë të menaxhojnë financat dhe, nga ana tjetër, trajnerët që arrijnë t’u marrin maksimumin e lojtarëve, edhe pse këta të fundit mund të kenë paga modeste. Shembujt në futbollin shqiptar janë të ndryshëm.
Ka klube që harxhojnë miliarda, por nuk fitojnë dot një trofe. Rasti konkret është ai i Partizanit. Nga ana tjetër, ka edhe klube me buxhete modeste si Laçi, që arrijnë të mbyllin kampionatin në vende nderi apo të fitojnë trofe.
Në një vëzhgim të “Panorama Sport” për buxhetin që kanë klubet sa u përket pagave të lojtarëve, duke iu referuar burimeve të sigurta pranë drejtuesve të tyre, rezulton se 80% e ekipeve kanë në dispozicion mbi 50 milionë lekë të vjetër për rrogat në muaj. Këtu nuk përfshihen pagat e trajnerëve, por vetëm të futbollistëve, teksa në çdo ekip lejohet federimi për 25 prej tyre. Në pjesën e parë të këtij sezoni, klubet që paguajnë më shumë janë Partizani dhe Skënderbeu, ndërsa Lushnja dhe Laçi kanë buxhetet mujore më të ulëta për pagat. E, megjithatë, fakt është se kurbinasit janë të tretët, pasi kanë menaxhuar më së miri një grup lojtarësh të rinj, ndërsa nga ana tjetër, Lushnja e administruar nga bashkia mbyll tabelën e klasifikimit.
PARTIZANI
Partizani është klubi që paguan më shumë se kushdo në Shqipëri. Gazeta mëson se buxheti mujor i pagave për futbollistët shkon rreth 180 mijë euro. Lojtari më i paguar i të kuqve është sulmuesi Edgar Çani, i cili vendosi një rekord në historinë e futbollit shqiptar, pasi merr një pagë prej 20 mijë eurosh në muaj. Natyrisht, kontrata e tij ka të parashikuara disa klauzola, por edhe bonuse, në varësi të ecurisë së klubit, që ia rrisin dhe njëkohësisht ia ulin kontratën vjetore.
Deri më tani sulmuesi ka rezultuar një dështim, por kjo për shkak të dëmtimeve dhe një operacioni të bërë jo mirë në verën e këtij viti. Një tjetër lojtar që merr rrogë të lartë te “demat” është hungarezi Kristjan Adorjan, me 9 mijë euro neto. Pagat te Partizani kanë ardhur duke u rritur vit pas viti, por gjithsesi ky sezon ishte kulmi i epokës së presidentit Gazmend Demi. Të ardhurat më të mëdha Partizani i ka pasur në vitin 2016, kur fitoi mbi 1 milion euro pas eksperiencës europiane, teksa kaloi një tur në Ligën e Kampioneve.
SKËNDERBEU
Deri një sezon më parë, buxheti i Skënderbeut ka qenë më i larti në futbollin shqiptar. Të ardhurat u shtuan shumë pas suksesit në Ligën e Europës në vitin 2015. Mirëpo, goditjen e madhe klubi korçar e mori me mospjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve gjatë edicionit 2016-2017, kur dhe u dënuan nga UEFA për manipulime ndeshjesh. Aktualisht korçarët japin 130 mijë euro paga në muaj. Lojtari më i paguar është mesfushori korçar, Sabjen Lilaj.
Edhe pse kohët e fundit është lakuar emri i sulmuesit çek, Martin Nespor, “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se Lilaj merr një pagë prej 13 mijë eurosh në muaj, më shumë se kushdo te bardhekuqtë. Ndërsa Nespor merr 10 mijë euro, për të vijuar më pas me mbrojtësin Kristi Vangjeli, me 8 mijë euro në muaj dhe sulmuesin Ali Soue, që përfiton thuajse të njëjtën shifër sa lojtari korçar.
KUKËSI
Ky sezon ka shënuar kulmin për kampionët në fuqi sa i përket rritjes së buxhetit. Klubi shpenzon 80 mijë euro në muaj për pagat e lojtarëve, ndërsa ashtu si Partizani dhe Skënderbeu, lojtarin më të paguar nuk e ka pasur efikas në pjesën e parë të sezonit. Bëhet fjalë për Rauf Alijev, që dy javë më parë prishi kontratën me Kukësin, në një kohë që merrte një pagë prej 9 mijë dollarësh.
Shumica e titullarëve të Kukësit kanë pasur dyfishim rroge pas shpalljes kampion. Elis Bakaj merr afërisht 6 mijë euro, por kontrata e tij është e bazuar edhe te golat që shënon. Ndërsa qendërmbrojtësi Ylli Shameti merr 5 mijë euro në muaj, po aq sa portieri Enea Koliçi.
FLAMURTARI
Vlonjatët futen në “top” 4 klubet që paguajnë më shumë në Shqipëri. Fondi për pagat shkon 80 mijë euro në muaj dhe shumica e lojtarëve marrin të njëjtën pagë. Mesatarja është 4-5 mijë euro në muaj, ndërsa diferencën e bën sulmuesi brazilian Danilo Alvesh. Ky i fundit merr 7 mijë euro, duke qenë futbollisti më i paguar në tri vitet e fundit te Flamurtari.
Në dekadën e fundit vlonjatët kanë qenë një klub ku shpenzimet për rrogat kanë arritur shifra të çmendura. Madje jo më larg se katër vite më parë, mesfushori aktual i Skënderbeut, Muzaka, firmosi një kontratë për 105 milionë lekë në sezon me kuqezinjtë.
TEUTA
Investimi që klubi Teuta ka bërë këtë vit është i madh në të gjitha aspektet. Madje, pak muaj më parë, presidenti Edmond Hasanbelliu theksoi se në Durrës është shpenzuar këtë sezon sa për 10 vitet e fundit. Fondi për rrogat është 55 mijë euro në muaj, ndërsa më shumë paguhet sulmuesi Onyeka Osemene (5 mijë euro pagë). Ky i fundit ka zhgënjyer drejtuesit, duke qenë larg pritshmërive, pasi nuk ka arritur të shënojë asnjë gol deri më tani në kampionat. Edhe pse durrsakët janë klub i mirëpaguar, ndodhen pas 16 javëve kampionat në luftë për mbijetesën. Europa kërkohet me çdo kusht, ndërsa tani rruga më e shkurtër është nga Kupa e Shqipërisë, ku përballë do kenë Skënderbeun.
VLLAZNIA
Klub bashkie, por Vllaznia është e mirëpaguar. Fondi për pagat te kuqeblutë shkon 55 milionë lekë të vjetër në muaj. Mesfushori nigerian, Nuredin Orelesi, është lojtari më i paguar, me një rrogë prej 4 mijë eurosh. Pas tij vjen Edon Hasani me 4 milionë lekë të vjetër, ndërsa edhe lojtarët e tjerë kanë paga të kënaqshme, që variojnë nga 2.5 milionë në muaj deri në 3.5 milionë. Vllaznia është shembulli tipik i një klubi që nuk di të administrojë financat që ka, teksa prej vitesh endet në luftë për mbijetesë në Kategorinë Superiore. Edhe ky sezon i gjen shkodranët më të rrezikuar se kurrë.
LUFTËTARI
Klubi gjirokastrit funksionon si shoqëri aksionere, teksa 75% të aksioneve i ka presidenti aktual Grigor Tavo, ndërsa pjesën tjetër Bashkia e Gjirokastrës. Luftëtari ka një buxhet mujor për pagat prej 55 milionë lekësh të vjetër. Në ndryshim nga skuadrat e tjera, gjirokastritët kanë shpenzime ekstra, pasi 90% të lojtarëve nuk i kanë vendës.
Vetëm për akomodimin e tyre dhe trajtimin ushqimor, klubi paguan çdo muaj 10 milionë lekë të vjetër shtesë. Lojtari më i paguar, por që ende nuk ka debutuar me Luftëtarin për shkak të problemeve me dokumentacionin është Vasil Shkurtaj. Sulmuesi ka firmosur për një pagë prej 3 mijë eurosh në muaj. Ndërsa yjet e skuadrës si Dejvi Bregu dhe Kristal Abazaj marrin afërsisht nga 2 milionë lekë të vjetër.
KAMZA
Klubi i ngjitur këtë sezon në Kategorinë Superiore jep 50 milionë lekë të vjetër për pagat e lojtarëve në muaj. Financuesit janë bashkia dhe presidenti Naim Qarri. Lojtari më i paguar është Sebino Plaku, i cili merr 4 milionë lekë të vjetër në muaj. Pagat e futbollistëve të tjerë variojnë nga 2 deri në 3 milionë lekë të vjetër. Edhe japonezi Masato Fukui është një prej më të paguarve me afro 3000 dollarë në muaj.
LAÇI
A doni një shembull se si me një buxhet modest mund të bësh gjëra të mëdha? Pyesni presidentin e Laçit, Pashk Laska. Buxheti i rrogave nuk shkon më shumë se 25 milionë lekë te kurbinasit, që e mbyllën pjesën e parë të sezonit në vendin e tretë, duke tejkaluar të gjitha pritshmëritë. Laska ka goditur në merkato, duke afruar një sulmues të afirmuar në Superiore gjatë sezonit të kaluar. Bëhet fjalë për Arturo Rexhinaldo, që merr 3 mijë dollarë në muaj. Pagat e futbollistëve të tjerë janë të ulëta, madje ka edhe që s’marrin as 1 milion në muaj.
LUSHNJA
Lushnja është një klub i varur 100% nga bashkia. Kjo e fundit është munduar të vendosë paga maksimale për lojtarët, duke mos abuzuar me ligjet që zbaton një institucion shtetëror. Fondi i rrogave shkon 22 milionë lekë në muaj. E veçanta është se 90% e lojtarëve nuk marrin më shumë se 700 mijë lekë të vjetër në muaj. Kapiteni Fatjon Sefa mund të quhet më i paguari, teksa paguhet me rreth 1 milion lekë të vjetër.