Albspirit

Media/News/Publishing

Ta gëzojmë 2018, 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës!

 

 

Ana Mehmetaj

Sot në ndërrimin e viteve ka shumë gjëra që duhen kujtuar për mirë dhe ka të tjera sfida për Kosovën tonë që, pikërisht në 2018 kremton 10-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, të njohur ndërkombëtarisht nga mbi 100 shtete, përfshi vendet kryesore të Aleancës së Atlantikut Verior.

Pikërisht ky vit kërkon pikësëpari një sjellje më të përgjegjshme të klasës politike, pozitës dhe opozitës, për të realizuar sfidën e përfshirjes me vendet europiane dhe aderimin në NATO.

Është tashmë e ditur se në çështje të mëdha nuk ka ndarje mes atyre që qeverisin dhe atyre që kanë dalë në opozitë, sepse në këtë mënyrë i shërbehet më mirë interesit kombëtar.

Nga ana tjetër koalicioni qeverisës ka përgjegjësitë kryesore në zhvillimin e vendit dhe uljen e papunësisë, në forcimin e institucioneve dhe luftën kundër korrupsionit, në bashkëveprimin me diplomacitë perëndimore dhe sidomos me SHBA, etj.

Ndryshe nga kombe dhe popuj të tjerë, klasa politike në Kosovë nuk e ka luksin për të humbur kohë dhe për t’u zhytur në beteja të kota, pa thelb dhe që nuk sjellin asgjë në jetën e qytetarëve.

Si pjestare e Lidhjes Demokratike të Kosovës unë jam krenare për rrugën e deritanishme të saj, mbështetur në porositë e presidentit Ibrahim Rugova dhe do të doja që në 2018 ajo të jetë në ballë të proceseve që na afrojnë më shumë me SHBA, Europën dhe vende të tjera që kanë qenë dashamirëse dhe mbështetëse për popullin dhe kombin shqiptar.

Please follow and like us: