Kompania koncesionare kapet në shkelje të rënda
Një inspektim i Ministrisë së Transporteve në 5 qendra të kontrollit teknik të automjeteve ka zbuluar mangësi teknike dhe shkelje të mëdha ligjore nga shoqëria koncesionare SGS Albania.
Sipas raportit, në shumë raste koncesionari nuk kryen kontroll dhe verifikim të plotë mbi gjendjen teknike të mjeteve dhe emetimet ndotëse që ato shkarkojnë në mjedis.
Në të gjitha ritestimet e mjeteve të kaluara nga koncesionari ka rezultuar vlerat e gazrave ishin disa herë më të larta nga ato të shënuara në raportin e kolaudimit.
Cenimi i cilësisë, që lidhet direkt me sigurinë në rrugë dhe shëndetin e qytetarëve është shkelja më e madhe e konstatuara, por jo e vetmja.
Sipas Ministrisë, gjatë kontrolleve të ushtruara nga data 19 deri në 23 dhjetor, janë konstatuara radhë të gjata, që i detyrojnë qytetarët të presin me orë të tëra për të bërë kolaudimin e makinës.
Nga ana e koncesionarit nuk viheshin në përdorim Qendrat e Lëvizshme të Kontrollit për të lehtësuar radhët në pikat më fluksin më të madh të automjeteve.
Sipas Ministrisë së Transporteve, në Qendrat e Kontrollit Teknik janë konstatuar mangësi serioze në organizimin e punës dhe mosrespektim i radhëve. Paralelisht në të gjitha pikat mungojnë dosjet e personelit të punësuar, përfshirë dokumentacionin në lidhje me pozicionin e punës dhe kualifikimet e punonjësve.
Ministria thotë se i ka lënë kompanisë koncesionare një afat prej 10 ditësh për të marrë masa urgjentisht, në të kundërtën do të përballet me penalitete të forta sipas parashikimeve në kontratën e koncesionit. Kolaudimi i automjeteve u dha me koncesion në vitin 2009 për një afat dhjetëvjeçar.
Vitin e kaluar kompania realizoi një fitim neto prej 1.2 milionë eurosh, ndërkohë që KLSH dhe institucione të tjera monitoruese kanë konstatuar se kontrata e koncesionit e ka përkeqësuar shërbimin e koalidimit duke cenuar jo vetëm sigurinë, por edhe duke shkaktuar humbje të mëdha për qytetarët dhe buxhetin. / TCH