Albspirit

Media/News/Publishing

Dashuri klandestine me gruan e mbretit

Vishej si ushtare dhe braktiste pallatin mbretëror për t’u takuar vetëm pak kilometra më tej me të dashurin e saj.
Bëhet fjalë për mbretëreshën dhe gruan e 12-të të mbretit Msuati III të Suaziland,  një shtet i vogël mes Afrikës së Jugut dhe Mozambikut.

Lidhja intime sekrete e mbretëreshës me ministrin e Drejtësisë në vend, njëkohësisht edhe shok fëmijërie i mbretit, u zbulua prej shërbimeve sekrete mbretërore.

Menjëhërë, sipas Pallatit Mbretëror, ministri i Drejtësisë ka paraqitur dorëheqjen.

Dënimi që pritet të jepet kundrejt tij prej Mbretit Msuati III mund të jetë dëbimi nga mbretëria, ndërsa për mbretëreshën mendohet se do të rikthehet sërish pranë prindërve të saj.

Por disa zëra brenda administratës mbretërore shprehen se dënimi mund t’u konvertohet të dy personave me një gjobë sipas traditës vendase, që përkthehet në disa kokë lopë.

Në Suaziland jetojnë rreth 1 milion banorë, dhe mbi 70 përqind e popullsisë përfiton pak më shumë se 50 cent në ditë edhe pse mbreti i lejon vetes luksin e mbajtjes së 13 grave dhe dhjetra makinave BMË.

Forma e qeverisjes në vend është monarkia absolute dhe mbreti nuk mund të kundërshtohet.

Msuati III njihet në të shkuarën për ligjet e nxjerra: Në 2001 për të ndaluar përhapjen e AIDS dhe duke u bazuar në një traditë të vjetër ai nxori një normë e cila ndaloi marrëdhëniet seksuale për femrat nën 50 vjeç që nga 9 shtatori i 2001 deri më 19 gusht të 2005, por vetëm 2 muaj nga hyrja në fuqi e normës ai e shkeli vetë atë duke u martuar me një 17 vjeçare.

Për shkeljen e kryer mbreti u gjobit me një lopë, me të cilën dëmshpërbleu të afërmit e gruas së tij të 13-të.

Please follow and like us: