Albspirit

Media/News/Publishing

Neveria që buron nga gazetaria e turpit profesional

Armando Meta/

Mediat on line e kanë nisur si mos më keq edhe këtë fillim viti 2018, duke botuar lajme të rreme. Për këtë nuk kanë kursyer as fëmijët. Vetëm pak orë më parë në rrjetet sociale qarkulloi një lajm sikur një nënë nga Fieri kishte nxjerrë në shitje fëmijët e saj, të ardhur në jetë nga një martesë, e cila më pas ka shkuar në divorc. Qëllimi i shitjes ishte se ajo dëshironte të shijonte jetën si beqare!! Redaksia JavaNews vendosi të mos e botonte një lajm të tillë, duke ngritur dyshime serioze për vërtetësinë e këtij lajmi, që nga mënyra e publikimit të tij, teksti i hartuar dhe që asnjë s’kishte marrë mundimin minimal për të pyetur të ëmën e dy fëmiëjëve nëse lajmi ishte i vërtetë apo jo. Mediat ishin mjaftuar vetëm duke cituar ish bashkëshortin e gruas nga Fieri, i cili duket se është edhe burimi i këtij lajmi. Vetëm pak orë më pas e ëma e fëmijëve ka reaguar duke hedhur poshtë në mënyrë kategorike vërtetësinë e këtij lajmi. Ajo shprehet se autori i kësaj fabule të rëndë është ish bashkëshorti i saj. Gruaja përbetohet se lajmi është i rremë dhe se ajo i do fëmijët e saj me gjithë fuqinë e shpirtit.
Përtej debatit mes gruas dhe ish bashkëshortit të saj, ajo që bie në sy është fakti se tashmë mediat aspak serioze on line se kanë më për gjë të publikojnë pseudongjarje, pavarësisht pasojave që shkaktojnë. Për pak klikime ato se kanë për gjë të rrënojnë edhe jetë fëmijësh duke i nxjerrë edhe me foto. Mungesa e theksuar e seriozitetit, kthimi i shpifjes në institucion, përbuzja ndaj vlerave minimale të dinjitetit njerëzorë, po i kthen mediat on line jo në burime informacioni, por në gropa të zeza, ku gjithkush mund të hedhë çfarëdo, pa pyetur aspak për pasojat dramatike që shkatkojnë. Si për ironi në krye të linçimit të dinjitetit njerëzor, nëpërmjet lajmeve të rreme apo të sajuara, të cilat nuk merr mundimin askush t’i verifikojë qoftë dhe për zbatimin minimal të rregullave të gazetarisë, janë pikërisht ata individë të cilët nuk lenë ekran pa dalur duke folur për ‘moralin e gazetarisë profesionale’.
Qartësisht profesioni i gazetarisë po përjetonë një krizë të rëndë profesionalizmi. Deri dje kjo mungesë profesionalizimi arrinte të fshihej pas faqeve të gazetave. Kurse tani ka gëluar duke dëshmuar në fakt se kjo është gazetaria reale në Shqipëri: shaj, shpif, denigro, duke i sjellë dëme të pallogaritshme gazetarisë si profesion në sytë e publikut. Shqipëria më shumë se kurrë ka nevojë për një rregullim ligjor, sidomos për mediat on line, pasi nuk ka asnjë lidhje botimi i lajmeve të rreme me gazetarinë profesionale apo investigative. Është momenti që ky rregullim ligjor të bëhet mbase me konsulencën e mjaft gazetarëve me përvojë dhe seriozë në fushën e gazetarisë, dhe jo mbi konsulencën e 2- 3 shoqatave të gazetarëve, të cilat përfaqësojnë vetëm kryetrarët e tyre dhe s’kanë asnjë lidhje me gazetarinë profesionale. Lajmi për nënën nga Fieri që gjoja ka venë në shitje fëmijët e saj, vetëm sa na kujtoi edhe një herë se vendin e gazetarisë profesionale e ka zënë gazetaria e turpit profesional.

Please follow and like us: