Albspirit

Media/News/Publishing

Deputeti me dashnore, rrahja e deri te armët, këto janë skandalet e politikanëve gjatë 2017

Rrahje mes deputetëve, arrestime të deputetëve për mashtrim, arrestimi i deputetëve për gaz lotsjellës, afera dashurore jashtë martesore, ofendimi i gazetarëve nga kryeministri, gjuajtja me armë nga ministri, janë disa nga skandalet për të cilat do të mbahet mend viti 2017 në Kosovë.

Viti 2017 u karakterizua nga ngjarje të natyrave të ndryshme në vend. Por, ato që zgjuan kureshtjen e opinionit publik, përveç çështjes së Demarkacionit, ushtrisë dhe liberalizimit të vizave, ishin edhe të ashtuquajturat skandale të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Rrahje mes deputetëve, arrestime të deputetëve për mashtrim, arrestimi i deputetëve për gaz lotsjellës, afera dashurore jashtë martesore, ofendimi i gazetarëve nga kryeministri, gjuajtja me armë nga ministri, janë disa nga skandalet për të cilat do të mbahet mend viti 2017.

“Dueli” Zeka- Krasniqi

Rrahja mes deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje Frashër Krasniqi dhe atij të Nismës për Kosovën Milaim Zeka, në një emision televiziv, ngjalli reagime të shumta.

Pas akuzave të shumta dhe fyerje mes tyre, ishte deputeti Zeka, i cili fillimisht kishte sulmuar Krasniqi, duke e gjuajtur me gjësendet që kishte para vetes. Pas kësaj, Krasniqi ishte çuar në këmbë dhe e kishte grushtuar Zekën.

Në lidhje me “grushtet”, deputeti i Vetëvendosjes Frashër Krasniqi, i ishte caktuar masa e paraburgimit për 24 orë në Policinë e Kosovës. Ai më pas ishte liruar, por atij i është ndaluar që t’i afrohet Zekës në distancë prej 5 metrave brenda Kuvendit dhe 100 metra jashtë.

Pas këtij skandali, deputetin e Nismës Milaim Zeka, e përcolli skandali tjetër, arrestimi për mashtrim. Zeka akuzohet se ka mashtruar 920 qytetarë nga Kosova me viza punësimi në Gjermani, përmes një agjencie punësimi, në bashkëpunim me partnerin e tij, Ilir Krasniqi.

Emigrantët kishin paguar 50 deri në 3500 euro për një vizë, por që janë gjendur para një skene mashtrimi për të cilën prokuroria ka nisur hetimet.

Zekës fillimisht i ishte vendosur masa e paraburgimit, por më pas ajo është ndryshuar në masë e arrestit shtëpiak dhe ai po hetohet për krim të organizuar, mashtrim dhe shmangie nga tatimi.

Deputeti me dashnore

Një tjetër deputet i Nismës për Kosovën, kishte mbushur ballinat e mediave, gjatë vitit që lamë pas, jo për shkak të ndonjë çështjeje politike, por për shkak të aferës dashurore jashtëmartesore.

Haxhi Shalës i janë publikuar me dhjetëra fotografi nga një këngëtare e quajtur Anxhelina Shala, e cila ka pranuar se ishte në lidhje me deputetin, i cili është baba i dy fëmijëve.

Ky i fundit kishte mohuar marrëdhënien dashurore, duke thënë se Anxhelina ishte përkrahëse e tij dhe se fotot ishin bërë në takime elektorale. Por, këngëtarja për t’i “vënë flakën” edhe më shumë këtij skandali, kishte publikuar mesazhet kërcënuese të bashkëshortes së deputetit, e cila pranonte se ishte në dijeni të lidhjes së tyre, por që ajo do të bënte mirë ta fshihte nga fëmijët e çiftit një gjë të tillë, përndryshe deputeti do të shkonte në Gjermani dhe do “t’i priste kokën”.

Mirëpo, fotografitë e deputetit të Kuvendit të Kosovës me këngëtaren që jeton në Gjermani, ku shiheshin të dy të shtrirë në shtrat, folën më shumë se fjalët.

Në skandale, jo rrallëherë është përfshirë edhe kryeministri aktual i vendit Ramush Haradinaj. Ky i fundit, ishte kritikuar ashpër, pas ofendimit që iu kishte bërë gazetarëve në një konferencë për media.

I pyetur nga gazetarët se Ambasada Amerikane, sipas raportimeve në media, nuk do të përkrahë version tjetër të demarkacionit, Haradinaj nuk është përgjigjur për këtë çështje, derisa i ka quajtur gazetarët të pashkollë.

“Kam respekt për media shumë, por shumica prej juve, as nuk dini të lexoni anglisht, as nuk po dini t’i kuptoni se çfarë kanë thënë, problemi është i juaji, nuk kam ndonjë koment. Ju po raportoni pa ditë se si po raportoni, besoni, shkoni më shumë në shkollë, shikoni çfarë po thonë ata. E kam lexuar deklaratën e amerikanëve dhe kjo që po thua ti nuk është ashtu. Nuk ka asnjë fjalë diku që thotë ‘nuk pajtohemi me këtë apo me atë’”, kishte thënë Haradinaj, duke iu drejtuar një gazetareje në konferencën për media.

Krerët e shtetit festuan me armë

Në skandale nuk mbetën të pa përfshirë as anëtarët e tjerë të qeverisë PDK-AAK-NISMA-Lista serbe. Kështu zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Diasporës, Dardan Gashi, ish-kryetarit të komunës së Skenderajt dhe këshilltarit të zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj, Endrit Shala, u është publikuar një video, ku shiheshin duke gjuajtur me armë në një aheng të organizuar nga Limaj pas lirimit nga akuza në rastin MTPT. E veprimin e tyre, e ka arsyetuar vet kryeministri Haradinaj, duke pranuar se edhe ai vet ka shkrepur armë nëpër ahengje.

Madje, ai nuk ka përjashtuar mundësinë që “traditën dukagjinase”, ta bëjë edhe me ligj.

“Nuk e di qëllimin e asaj ndeje, por të jem i sinqertë, edhe unë ‘qes’. Më ka ndodhë në Dukagjin ‘kanunqe’… ta sjell i zoti i shtëpisë armën që të gjuash, dhe gjuan. Mund ta bëjmë dhe me ligj ndoshta që në raste gëzimi të përdorim armën. Nuk është gjest i mirë prej një ministri… Më ka ndodhur në një aheng kur i zoti i shtëpisë më ka thënë se ma ke nderuar truallin e konakun dhe ma ka dhënë armën dhe kam gjuajtur… Më ka thënë se këtë armë e kam të bekuar që e preku dora juaj… Çka të bësh… nuk është mirë… është shkelje ligjore sikur kur e tejkalon shpejtësinë me veturë, por ndodh kjo në Kosovë. Me Gashin nuk kam folur për këtë temë. Për mua nuk është kiamet kjo punë. Në ato fshatrat e tyre, nuk ke kë ta trembësh nëse gjuan me armë…”, kishte thënë Haradinaj.

Skandal është quajtur edhe arrestimi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje për hedhjen e gazit lotsjellës në legjislaturën e kaluar, “në mbrojtje të vendit nga Demarkacioni dhe Zajednica”.

Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi dhe Albulena Haxhiu, janë arrestuar nga Policia e Kosovës në bazë të një urdhërarresti të Gjykatës Themelore, pasi nuk u paraqitën në seancën gjyqësore të hedhjes së gazit lotsjellës.

Deputetët janë arrestuar derisa po hynin në objektin e Kuvendit të Kosovës për vazhdimin e seancës. Deputetes Haxhiu i është caktuar masa e arrestit shtëpiak, derisa Kurti dhe Kadaj-Bujupi, Vitin e Ri, e kanë pritur në paraburgim.

Skandali shpërtheu edhe brenda Lëvizjes Vetëvendosje, përmes mesazheve të publikuara në “Grupin e Viberit” të këtij subjekti politik.

Aty shihej gjuha e ashpër e përdorur nga deputetja Aida Dërgutit ndaj themeluesit të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti. Këtij të fundit ajo i ishte referuar me fjalën “mut”.

Dërguti kishte kërkuar falje nga Kurti, madje kishte dhënë edhe dorëheqje nga Kryesia e Vetëvendosjes, mirëpo përçarjet mes anëtarëve të VV-së, nuk u ndalën. Vet Kurti kishte pranuar kërkim faljen e Dërgutit, por kishte thënë se atë e ka falur edhe kërkuar falje.

Pas gjithë kësaj, Këshilli i Përgjithshëm i VV-së, mori vendim që të mbahen zgjedhjet për kryetar të kësaj Lëvizje. Deri më tani, është zyrtarizuar si kandidat për kryetar vetëm Albin Kurti.

Skandalet e kryeministrit Haradinaj

Në lidhje me gjithë këto skandale, kanë folur edhe analistët e çështjeve politike.

Sipas analistit Faton Mehmeti, skandalet e vitit 2017, e kanë burimin nga klasa e papërgjegjshme. Ai ka përmendur disa nga ato që morën vëmendjen e të gjithëve dhe nxitën reagimin e klasës politike dhe shoqërisë civile.

“Kosova e vitit 2017, karakterizohet nga një sërë skandalesh të njëpasnjëshme, e të cilat kanë burimin nga klasa e papërgjegjshme. Skandaloze mund të quhet rrahja e deputetëve Milaim Zeka e Frashër Krasniqi, si rezultat i dy personave të papërgjegjshëm. Pastaj, afera e deputetit Haxhi Shala, i cili ndonëse i martuar, kishte lidhje jashtëmartesore. Gjithashtu, edhe gjuajtja me armë e zv.kryeminstrit dhe anëtarëve tjerë të Qeverisë, për më tepër mbrojta që iu bëri këtyre kryeministri”, është shprehur Mehmeti në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Analisti ka theksuar edhe skandalet e kryeministrit Haradinaj, duke theksuar këtu edhe premtimin për liberalizim vizash brenda tre muajsh, premtim ky që nuk u realizuar.

“Ky i fundit njihet për skandal dhe gafa të shumta, qysh në ditën e parë të punës së tij si kryeministër tha se shëndetësinë do ta rregullojë për një ditë, absurd ky në vete. Pastaj, premtimi për liberalizim të vizave brenda tre muajsh, që nuk kishte shanse as teorike e as praktike. Gjithashtu, skandal është edhe arrestimi i deputetëve të VV-së, për hedhje gazi, ndërsa të atyre të AAK-së dhe Nismës jo, kur të gjithë kanë hedhur gaz. Ky është skandali i drejtësisë, i cili prodhon padrejtësi. Skandal është fyerja e kryeministrit ndaj gazetarëve për të mësuar gjuhën angleze, etj.”, është shprehur më tej Mehmeti.

Ai ka parashikuar që edhe në vitin 2018, do të ketë skandale të reja, nga klasa politike.

“Edhe në vitin 2018 do të ketë skandale nëse kjo klasë politike udhëhiqet nga këta njerëz, të papërgjegjshëm dhe krejt të paditur. Përfundimisht, 2017, doli të jetë dështim për Kosovën, derisa kemi stagnuar në sektorët kryesor, për më tepër kemi bërë hapa prapa”, ka shtuar Faton Mehmeti.

E publicisti dhe njohësi i zhvillimeve politike Faik Krasniqi, konsideron se legjislatura e tanishme, përveç që është njëra nga më të dobëtat për nga cilësia, është përcjellë edhe me rrahje, sharje, fyerje, arrestime të deputetëve të VV-së, skandale dhe afera të ndryshme të deputetëve.

“Prej çlirimit të Kosovës asnjë legjislaturë e Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk mund të vlerësohet për cilësi dhe efikasitet. Legjislatura e pestë nëse mbahet në mend për tym e gaz, duke lënë nën hije ligje të miratuara e seanca produktive të mbajtura, legjislatura e tanishme përveç që është njëra nga më të dobëtat për nga cilësia, është përcjellë edhe me rrahje, sharje, fyerje, arrestime të deputetëve të VV-së, skandale dhe afera të ndryshme të deputetëve”, ka thënë Krasniqi.

Skandalet e Veselit

Ai ka theksuar se në skandale është përfshirë edhe kryeparlamentari Kadri Veseli, i cili sipas Krasniqit, më shumë ka treguar përkushtim për turneun e tij dëgjimor, sesa për obligimet si kryesues i institutit legjislativ.

Krasniqi ka vlerësuar se për shkak që pozita qeveris me një shumicë të thjeshtë, Kuvendit i ka humbur legjitimiteti.

“Edhe vetë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, sikurse edhe në mandatin e kaluar, më shumë ka treguar përkushtim për turneun e tij dëgjimor sesa për obligimet si kryesues i institutit legjislativ. Por, edhe deputetët i kanë përdorur fare pak mekanizmat që i kanë në dispozicion për ta realizuar punën e tyre ashtu siç duhet. Ata kanë dështuar në mandatin e tyre kushtetues që e kanë qoftë në miratimin e ligjeve, qoftë në kontrollin e Qeverisë, qoftë në përfaqësimin e qytetarëve. Ajo çfarë më së shumti bie në sy është mos efikasiteti për të vendosur për çështjet më të rëndësishme për qytetarët e Kosovës. Ndoshta për shkak që pozita qeveris me një shumicë të thjeshtë, këtij Kuvendi i ka humbur pak a shumë, legjitimiteti. Shpesh edhe për mungesë kuorumi, shumë projektligje nuk kanë arritur as të procedohen”, është shprehur në prononcimin për “Bota sot”, Faik Krasniqi./BotaSot/

Please follow and like us: