Ilir Levonja: Kalendar për RD-në e sotshme
Më 5 janar të vitit 1991, doli në qarkullim e para gazetë opozitare, Rilindja Demokratike. Ose RD-ja, siç edhe e njohin njerëzia sot. Ato emocione kohe janë të vështira të riprodhohen, por një gjë është e qartë, brezat që i provuan janë me fat. Kuptuan dobinë e ekzistencës së mendimit ndryshe, si pjesë e lirisë dhe të drejtave të individit. Provuan se kur lëvizjet mbartin frymë popullore, shoqërisë i ka mbetur akoma aftësia për t’u përmisuar. Megjithatë unë nuk do merrem me përfundime sociologjike, por tek atmosfera. Ndofta kjo do të ndihmojë në ndijimet e demokratëve për të kuptuar se sa larg masave, është sot demokracia në Shqipëri.
E sidomos PD-ja dhe RD-ja e saj, jo e demokratëve.
Duke qënë se jetoja në një qytet kryqëzim midis jugut dhe veriut, gjithçka vinte e ndërsjellë me autobozët e linjave, trenat, e ato pak makina tregtie. Edhe nga dritarja e autobuzit më kaë thirrur, më kanë kërkuar numrin e RD, pasagjerë të linjave të jugut. Gjithçka vinte përmes valëve të stacioneve italiane, pasi tonat ngjanin me ca garderoba kohe, ku ekzekutive kishte mbetur tashe jeta shablone dhe e vdekur e anormales. Në fakt gjithkush kishte ndijimet e kafshëve të safarit, vesh përpjetë, shikonin qoshet dhe vendet ku mbaronin rrugët që dilnin nga qyteti; gjithkush i druhej gjithkujt, edhe pse gjithkush e kishte kuptuar se kishte nevojë të merrte vesh për diçka ndryshe. Gjithkush kishte nevojë të shikonte të flitej të paktën një here ndryshe për një sekretar partie, a një drejtor ndërrmarrje. Figura të cilat tashmë ishin bërë objekte barcaletash. Ca për arrogancën në emër të partisë dhe ca për injorancën si mode e produkteve nga shkollave të saj, katedrat e të cilave konsideronin shkencë veprat e udhëheqësve. Kështu që nuk ishte e rastësishme që një sekretare me pushtet të kërkonte mbledhje për dhënie llogari të Warinskyt, një tip skllavatori që për një apo dy arsye teknike nuk kishte pastruar kanalet vaditëse. Rilindja e atëhershme që një lloj disku alienësh, një objekt magjik, t’i gëzonte sytë, t’i digjte duart, të shuante etjen, të mbushte sytë me lot e ta bënte ditën mezi të prisje deri tek e nesërmja, a numri i radhës. Në hapat e pluralizmit politik kisht edhe përpjekje absurde për ta ndaluar, por ishte e pamundur.
Kush e merrte në dorë, ndihej kaq triumfator sa nuk do ta kënaqte asnjë bufe, lavatriçe, a frigorifer, gjëra që për kohën ishin dallim klasor, ndikonin deri në fate krushqish, caktonin kufirin midis njeriut të kamur dhe shtresave të varfëra. Ca budallallëqe kohe që ishin pjesë e asaj mendësie me autorizime etj. E për më tepër në një kohë, ku Iphonet ishin endrra të të çmendurve. Megjithatë ato faqe linotipësh nga shtypshkronjat e Tiranës, kishin vlerën që sot e ëndërrojnë vet Iphonet. E kam fjalën për efektin në masë. Madje vet komunistët a socialistët ishin më të përvëluar për të kuptuar efektet e masturbimit nga bëma dhe luftrat e brendshme. Sa nuk është e rastësishme që sot Shqipëria ka për kryeministër një djalë nomlekature, komunisti, madje me termin efekt rilindje, rilindas, rilindje për këtë e atë. Janë të gjitha nga efektet e rilindjes së viteve 1991, nga masat, por që koha i ka atashuar në ca pozita, ku gjithkush mban vetëm me mburrje dhe dekoratat fallco. Pasi efekti tashmë është një nocion i memories. Një pllakë qivuri ku në përvjetorë këta kufomat e lirisë dhe të drejtave të njeriut, të transformimeve imagjinare të shoqërisë, kanë shancin të ngren dolli me gota kristali në emër të saj. Një RD e atëhershme ka qënë më shumë se sa e gjithë zhurma bashkë që bëjnë këta emetues dixhital sot, me përpjekjet e tyre të panumurta anti sociale, si e si të tërheqin vëmendjen e një mase që është krejt e budallepsur brenda hashashit të partive. Atëhere Rilindja demokratike ishte një revolucion masash, 120 mijë kopje, shpërndarë e shitur me shpejtësinë e elektronit. Sot një kavje e vetvetes për shkak të lojrave brenda llojit, pa masat, një kavje që as përvjetorin e saj nuk e kujton në faqet e saj. Madje nuk e di që sot ka ditëlindjen. Dhe kjo është fare e thjesht, është pushtuar nga teknicienët. Dhe mire që nuk del më me letër, se do e gjenim si lëndë të parë për banjot publike. Se ato thirrje nga dritaret e autobuzëve, për të patur një kopje të saj, janë tashmë një vegim.