Albspirit

Media/News/Publishing

Kastriot Islami: Kush është “peshku i madh shqiptar”?

Sa më shumë i vjen fundi aplikimit të reformës në drejtësi, ose më saktë sa më pranë ngritjes së SPAK dhe BHK, aq më i qartë bëhet përcaktimi i “peshkut të madh” shqiptar. Një “peshk” i madh dhe i dhjamosur, pothuajse i të njëjtave përmasave e “cilësive” si në Rumani, Kroaci…e gjetiu në ujërat e ndotura ballkanike.

Metodika e përcaktimit dhe kapjes së peshkut të madh të “korrupsionit” të ujërave ballkanike ka qënë e njëjtë, edhe në Rumani, edhe në Kroaci, dhe e tillë është e do të jetë edhe në Shqipëri. Sepse edhe tiparet e këtyre peshqve që “notojnë” në ujërat e ndotura ballkanike, nga korrupsioni, lidhjet e krimit me politikën dhe narkotrafiqet janë pothuajse të njëjta. Ndërkohë që janë të njëjtët peshkatarë.

Këta “peshq të mëdhenj” por të trashur nga trupi e truri, nga dhjamosja janë “joshur” fillimisht të udhëheqin reformën në drejtësi me fuqinë e autoritetit korruptiv dhe klientelist që ata zotërojnë, ta çojnë atë deri në fund dhe në fund të shndërrohen në viktimën e parë të rrjetës/lakut të ngritur nga po ata vetë.

Ndonëse që nga fillimi e në vijim ata kanë pasur dyshime për “kurthin” që po iu ngrenë apo i ngrenë vetvetes, prapëseprapë e kanë pasur të pamundur ti shpëtojnë apo dalin prej saj, sepse skema e kapjes së tyre ka qenë shumë e sofistikuar dhe e pamundur për tu kuptuar nga truri i tyre i sklerotizuar nga dhjamosja.

Frika nga fundi i tmerrshëm për shkak të kundërshtimit eventual për pengimin e reformës nga njëra anë dhe tmerri pafund për shkak të dyshimeve nga laku që do ti ngushtohej çdo ditë nga reforma që progreson, i ka vendosur ata gjatë të gjithë kohës në një stres dhe dilemë vetëshkatërrimtare, nga e cila e kanë pasur të pamundur të dalin e shpëtojnë. Ata kanë mundur të qetësohen vetëm duke marrë çdo ditë doza gjithnjë e më të mëdha lëndësh narkotike.

Edhe “peshku i madh shqiptar” është si të gjithë të tjerët, një “peshk i dhjamosur” në lëkurë e në përmbajtje, i tipit të ballgjërit të gjoleve ballkanike të “korrupsionit e narkotrafiqeve”, pavarësisht tentativave të tij të dështuara për tu shfaqur një “peshkaqen kontemporan” i kuruar me “atlete shumëngjyrëshe”, pavarësisht pozave fshatareske në “zyrat e mobiluara me zhgarravinat depresive” apo komplekseve të inferioritetit të demostruara me humorin banal përmes “barcaletave të rëndomta”.

Dhe kjo vjen si për shkak të genit por edhe të ushqimit në ujërat e korrupsionit e narkotrafiqeve dhe shoqërimit me klanet e bandat mafioze. Përmbajtja, forma dhe sjellja e tij janë tashmë të njohura nga “peshkatarët e stërvitur” dhe iu shërbejnë atyre si kritere për ta stigmatizuar e ngritur kurthin e kapjes së “peshkut të madh”. Këto veti e sjellje i ka edhe “peshku i madh” shqiptar.

“Peshku i madh” është i korruptuar, por kjo nuk mjafton vetëm kjo “cilësi” për tu goditur e kapur. Peshku i madh, që do të kapet nga rrjeta e SPAK-ut e BHK, duhet të ketë edhe një “cilësi” tjetër, ai duhet përmes “autoritetit korruptiv e klientelist” për të marrë peng e kontrolluar në të gjithë aspektet sistemin, duhet të garantojë realizimin e plotë të reformës në drejtësi deri në kapjen e “peshkut të madh” që është po ai vetë. Madje duke mos bërë asnjë kundërshti apo tentativë për të shpëtuar; ai do të duhet të jetë “lideri” i reformës e njëkohësisht edhe ‘viktimë e saj”. Nuk ka si të jetë ndryshe, sepse ky “peshk i madh” është më i “dhjamosuri” por edhe ai që ka marrë peng e kontrollon gjolin ku notojnë edhe peshqit e tjerë, të cilët ai ka treguar se mund ti eliminojë.

Këto dy “cilësi”, ky “peshk i madh” e ka demostruar e provuar, me fakte e prova, me ose pa dashje, që nga dita e parë që ka pranuar, i detyruar, të vendoset në krye të reformës në drejtësi, për të realizuar të gjithë detyrat, deri në minutën e fundit, kur do të gjëndet i kapur në rrjetën e ngritur po prej atij vetë. Kjo ka ndodhur në Rumani me ish-kryeministrin më të suksesshëm të historisë moderne të Rumanisë. Kështu ka ndodhur në Kroaci me ish-kryeministrin e saj më të lavdishëm. Kjo do të ndodhë edhe në “gjolin shqiptar” me “ballgjërin e dhjamosur” që prej 20 vitesh ushqehet me ndotjet e mbetjet e korrupsionit, krimit dhe narkotrafiqeve.

‘Peshku i madh” shqiptar, duke menduar se është ndryshe nga ai rumun apo kroat, apo duke tentuar të “mësojë” prej pësimit të tyre, po përpëlitet për ti shpëtuar këtij kurthi/laku. Në fillim tentoi të mos udhëhiqte reformën apo kundërshtonte pa rënë në sy atë, por menjëherë u shfaq kërcënimi për “llogarinë off shore”. I tmerruar nga ky kërcënim dhe ndërkohë i “joshur” nga “garancitë” e dyshimta të “miqve” të tij pranoi të vihej në krye të reformës duke tentuar të stigmatizonte si kundërshtarë dy personazhe të tjerë.

Kurse tani që po vjen fundi, për ti shpëtuar kurthit/“lakut” që po ngushtohet cdo ditë, po tenton të shpëtojë përmes dy manovrave të ndërlidhura mes tyre. Të definojë një “peshk tjetër të madh” për të cilin ka premtuar se është i gatshëm ta fusë vetë në rrjetën e peshkatarëve dhe menjëherë pas kësaj “të lërë të lirë sistemin” duke u larguar me vullnet të lirë. Dy përpëlitje që ende nuk është e qartë nëse do të dështojnë apo do të jenë të suksesshme?! Sepse sjelljet e tij në sytë e “peshkatarëve” janë jo vetëm të njohura por edhe tejet qesharake e paradoksale. Nga njëra anë ata e dinë shumë mirë se ky “peshk” është më i dhjamosuri në gjolin shqiptar, por që edhe kontrollon sistemin.

Madje ai gjatë të gjithë kohës, duke premtuar definimin e kapjen e një personazhi tjetër si “peshk të madh” ka demostruar pa dashje se me paratë e korrupsionit, me lidhjet me klanet mafioze e narkotrafiqet është i vetmi që kontrollon sistemin. Dhe peshkatarët më së pari kërkojnë të kapin e ndëshkojnë “peshkun e dhjamosur” që ka marrë peng sistemin dhe kështu përmes një sistemi të cliruar e kanë më të lirë kapjen e të gjithë peshqëve të tjerë.

Pra është shumë e qartë edhe për shqiptarët, por edhe “peshkatarët” ndërkombëtarë, pavarësisht perceptimeve të përkohshme, se cili është “peshku i madh dhe i dhjamosur shqiptar” që ka marrë peng dhe kontrollon sistemin shqiptar, që duhet kapur e ndëshkuar për të çliruar sistemin. Për më tepër që kapja e cilido peshku tjetër, sigurisht më të vogël, nuk e zgjidh problemin e çlirimit të sistemit nga korrupsioni, krimi dhe narkotrafiqet.

Please follow and like us: