Lulzim Basha: RD erdhi si uragan, një ditë e reflektimit për lirinë e fjalës
Kreu demokrat Lulzim Basha e ka cilësuar Rilindjen Demokratike, gazetën e parë opozitare në Shqipëri, pas 45 vitesh diktaturë, si dritën e parë në errësirën shpirtërore për qindra mijëra shqiptarë.
Në 27-vjetorin e themelimit të kësaj gazete, Basha tha se, “ajo erdhi si një uragan dhe pa frikë mund të them se asnjë institucion tjetër nuk ka bërë më shumë sesa RD për europianizmin dhe lirinë e shqiptarëve”.
“RD do të ketë një vend të veçantë jo vetëm në historinë e PD, por edhe të Shqipërisë. Duhet ti jemi mirënjohës atyre që sollën në jetë këtë gazetë që nga numri i parë deri në ditën e sotme”, tha Basha. “RD do të ketë përherë një vend të veçantë në historinë jo vetëm të PD-së por edhe të Shqipërisë. RD është nga të paktat media të lira. Është një ditë e reflektimit për lirinë e fjalës”, tha Basha.
Gazeta Rilindja Demokratike, media e parë opozitare në Shqipëri pas 45 vitesh diktaturë, festoi sot 27 vjetorin e themelimit të saj në një ceremoni të organizuar në “Rogner” në Tiranë. Në këtë festë kanë marrë pjesë shumë figura të rëndësishme të Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj.