Desada Metaj: Standardi i dyfishtë për mandatet e hequra nga KQZ
Kërkesa e KQZ për materiale shtesë nga Prokuroria e përgjithshme për heqjen ose jo të mandatit për deputetët Rakipi dhe Rehovica rrezikon ta shndërrojë seancën e ardhshme të mbledhjes së saj në një show politiko-mediatik të ngjashëm me seancën kur Krimet e Rënda kërkonin heqjen e mandatit për Saimir Tahirin. Arsyetimi i 4 anëtarëve të KQZ (partitë e të cilëve preken nga heqjet e dy mandateve) se materialet nuk mjaftojnë nuk qendron për të paktën dy arsye: E para, sektori i Dekriminalizimit si strukturë e veçantë por edhe si pjesë e Prokurorisë së Përgjithshme nuk mund të dorëzojë provat për shqyrtim askund tjetër veçse në gjykatë. Së dyti, vetë deputetët, përfshirë disa që e kanë lënë mandatin legjislaturën e kaluar dhe këta dy të fundit kanë votuar për një ligj që thotë qartë: “Pasqyrimi i të dhënave të pavërteta, të paplota dhe të pasakta në formularin e Dekriminalizimit sjell përjashtimin e menjëhershëm dhe në çdo kohë nga kandidimi, zgjedhja, emërimi apo funksioni publik.
Për saktësi, në rastin e deputetëve Aqif Rakipi dhe Gledion Rehovica nuk është kërkuar ndërprerja e funksionit në bazë të ligjit të Dekriminalizimit por në bazë të vendimit të Parlamentit që është miratuar në funksion të ligjit të mësipërm. Me fjalë të thjeshta, vendimi i Kuvendit shprehet qartë kur kërkon që edhe nëse ke gënjyer për ndalime policore apo identitete të rreme jashtë vendit, duhet të largohesh menjëherë nga funksioni publik.
Kërkesa e sektorit të Dekriminalizimit dërguar KQZ-së dhe publikuar dhe nga disa media online përmbante qartas rastet kur deputetët e sipërpërmendur ishin hetuar nga policia italiane. Edhe pse detajet e dy deputetëve mund të duken si banale apo thjesht “të harruara” duhet të jetë e qartë se mandati i tyre rrezikohet jo për shkak se ata janë dyshuar si vjedhës në Itali, por për faktin se nuk e kanë deklaruar ndalimin nga policia italiane dhe hetimin që ajo ka zhvilluar.
Memoria e shkurtër nuk i ka ndihmuar as ish-kolegët e tyre deputetë apo ish- kryetarë të bashkive të cilët për të njëjtat arsye kanë dorëzuar mandatin jo më larg se 6 muaj më parë. Shkëlqim Selami thuajse për të njëjtat arsye, Dashamir Tahiri për shkak se ishte proceduar në Itali për përdorimin e një patente të falsifikuar janë vetëm dy nga rastet e ngjashme, për të cilat KQZ vendosi heqjen e mandatit ndërsa duket se këtë herë po kërkon të përdorë standarte të dyfishta.
Asnjë anëtar i KQZ, madje dhe asnjë deputet nuk mund të gjykojë mbi provat e prokurorisë, për më tepër që këto prova si në rastin e Tahirit mund të kenë elementë të sekretit apo të përfshirjes së personave jopublikë që nuk janë subjekt i vetëdeklarimit. Sikundër ishte rasti i deputetit Rehovica që kishte deklaruar në policinë italiane emrin e një personi tjetër i cili u bë gjithashtu publik.
Por kjo duket të jetë e keqja më e vogël përballë një vendimi gjysmë të paralajmëruar të KQZ- së, që ka në dorë standardin e zbatimit të një ligji kaq të rëndësishëm, atij të Dekriminalizimit, investimit shumëvjeçar dhe të lodhshëm të politikës shqiptare dhe të ndërkombëtarëve. Këta të fundit të paktën deri më sot për këtë çështje kanë shprehur interesimin maksimal ndërsa rreziku i standardit të dyfishtë mund ta rrezikojë rëndë këtë proçes, që është kaq i rëndësishëm për Shqipërinë ku bota e krimit dhe politika prej disa vitesh bashkëjetojnë thuajse të pashqetësuar.
Bashkëngjitur ligji për formularin e vetedeklarimit
KREU III. PËRMBAJTJA, EFEKTET DHE MODELI I FORMULARIT TË VETËDEKLARIMIT
…………………………………………………………………………………
3. Formulari i vetëdeklarimit përmban detyrimisht një rubrikë ku pasqyrohet se:
a) ky formular përbën dokument zyrtar dhe i nënshtrohet publikimit;
b) pasqyrimi i të dhënave të rreme në këtë formular përbën vepër penale dhe dënohet me burgim, sipas nenit 190 të Kodit Penal;
c) të dhënat e pasqyruara në të i nënshtrohen një verifikimi të plotë dhe të gjithanshëm, brenda dhe jashtë Shqipërisë, nga organet shtetërore dhe Prokuroria e Përgjithshme;
ç) pasqyrimi i të dhënave të pavërteta, të paplota, dhe të pasakta në të passjell përjashtimin e menjëhershëm dhe në çdo kohë nga kandidimi/zgjedhja/emërimi apo nga funksioni publik;