Glaundiola Palushi, vajza shqiptare ngre biznesin e saj në Francë
E rëndësishme është të mos dorëzohesh dhe të kërkosh gjithmonë rrugën e drejtë dhe kur rrethanat e bëjnë të pamundur. Në fund suksesi do të jetë në duart e tua, siç është për vajzën nga Kukësi, Glaundiola Palushi, e larguar në Francë pas kërcënimeve që po i bëheshin familjes së saj, e cila zotëronte një hotel në qytetin verilindor.
Nga Verilindja e Shqipërisë, shkuan në Verilindje të Francës, në rajonin e Alsasës. Një gazetar i këtij rajoni na shkruajti për Glaundiolën, vajzën që ka tërhequr vëmendjen e mediave franceze, pasi dhjetorin e vitit 2016, fitoi “Women’s Awards” të Fondacionit Positive Planet, për suksesin e saj në sipërmarrjen e hapur në Francë.
Glaundiola, e cila u detyrua të linte studimet përgjysmë në Tiranë, filloi punë në të zezë, në Francë. Paguhej pak dhe lodhej shumë, megjithatë nuk u dorëzua. Mësoi gjuhën, pa ndjekur asnjë shkollë dhe ndërsa aplikonte për dokumente të rregullta, vazhdonte të mbështeste familjen me punën e saj.
“Unë erdha në korrik 2013. Isha 21 vjeç. Me prindërit e mi, kemi aplikuar për azil. Por na u refuzua disa herë. Ne u rregulluam në janar 2016. U strehuam për një vit nga shoqata Açes në Mulhouse. Por më pas, pasi ishim pa dokumente, duhej të largoheshim”.
Në fillim të vitit 2016 do të ndryshonte gjithçka në jetën e saj dhe atë të familjes së saj.
Ajo vendosi të hapë një biznes të sajin në fushën e pastrimit. Për këtë, gjeti mbështetjen e Mulhousienne të Planetit Adam, një nga entitetet e Positive Planet. Ata e ndihmuan të krijojë administratën e këtij biznesi të vogël dhe të regjistrohet. Kështu u lind “Shërbimet L’Ola”, ndërmarrja e Glaundiolës.
Aktualisht ka tre klientë. I pari që e kërkoi ishte banor i Pfastatt. Ajo kujdeset dhe për mjediset e arkitektëve Andréa dhe Antonio D’Onghia, në lagjen Rebberg të Mulhouse, të cilët shprehen të kënaqur nga puna e Glaundiola-s.
Edhe Glaundiola është e kënaqur me punën e saj! Ka atë lloj kënaqësie që të jep puna e ndershme, por edhe atë që ndien kur sheh dritë pas shumë mundimesh./Class/