Trump dhe marrëveshja bërthamore me Iranin
Administrata e Presidentit Trump këtë javë shprehu hapur mbështetjen për mijëra iranianë që protestuan kundër korrupsionit dhe vështirësive ekonomike të qeverisë. Dhe ndërsa zyrtarët amerikanë kanë kërcënuar se do të vendosin sanksione kundër atyre që shtypin protestuesit, Presidenti Donald Trump po përballet me afatin përfundimtar të 13 janarit për të rivendosur ose jo sanksionet ekonomike kundër Iranit që u pezulluan pas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Aru Pande njofton nga Uashingtoni.
Ndërsa protestuesit e zemëruar anti-qeveritarë vërshuan në rrugët e Iranit gjatë javës së kaluar, mesazhi i administratës Trump për protestuesit iranian ishte i qartë.
“Unë mund t’ju siguroj se Shtetet e Bashkuara dhe bota e gjerë mbështet njerëzit e Iranit që duan një të ardhme më të mirë, më të begatë dhe më të lirë”.
Në një intervistë me Zërin e Amerikës këtë javë, nënpresidenti Mike Pence vuri në dukje kontrastin e thellë mes reagimit të administratës aktuale dhe asaj të administratës së ish presidentit Barak Obama gjatë protestave të Iranit në vitin 2009 pas zgjedhjeve presidenciale. Nënpresidenti Pence tha se në vend të heshtjes dhe dështimit, Presidenti Trump është i gatshëm të tregoj mbështetjen e tij për popullin e guximshëm të Iranit.
Por ndërsa administrata e Presidentit Trump shpreh mbështetje për protestuesit iranianë, ajo gjithashtu përballet me një afat përfundimtar në janar për sanksionet kundër Iranit, të cilat u pezulluan me marrëveshjen ndërkombëtare të vitit 2015 për të frenuar zhvillimin e armëve bërthamore të Iranit.
“Presidenti nuk pranoi të çertifikonte se marrëveshja bërthamore me Iranin ishte në interes të Shteteve të Bashkuara. Por kjo nuk do të thotë se ai nuk do të vazhdojë t’i përmbahet marrëveshjes përmes zgjatjes së masës së pezullimit të sanksioneve. Ai do ta marrë atë vendim, mendoj, në javët e ardhshme ose në muajin e ardhshëm. Pra, do të shohim se çfarë do të vendos presidenti, por është vërtet e vështirë të besosh në këtë regjim”, thotë H.R. Mcmaster, këshillëtar i Presidentit Trump për Sigurinë Kombëtare.
Senatori demokrat Ben Cardin, i cili në të kaluarën e ka kundërshtuar marrëveshjen bërthamore me Iranin, tha për Zërin e Amerikës se do të ishte e gabuar që Shtetet e Bashkuara të tërhiqeshin tani nga marrëveshja.
“Ne do të izoloheshim, do të ishim njerëzit e keqinj kur dihet se Irani është aktor i keq, qeveria e tyre është ajo që shkel ligjet ndërkombëtare. Duhet të theksojmë pajtueshmërinë e Iranit me marrëveshjen dhe jetëgjatësinë e marrëveshjes. Ata nuk lejohen të kenë armë bërthamore ose të zhvillojnë armë bërthamore”, thotë ai.
Disa analistë paralajmërojnë se rivendosja e sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara dhe tërheqja e tyre nga marrëveshja bërthamore ka të ngjarë të shkaktojë një zhvendosje të padëshiruar të fokusit të protestuesve iranianë nga vështirësitë e tyre ekonomike në kritikat ndaj Shteteve të Bashkuara.