Albspirit

Media/News/Publishing

Twitter: Nuk do të bllokohen postimet e liderëve botërorë

Kompania Twitter ka deklaruar mbrëmë se nuk do t’i bllokoj profilet e liderëve botërorë, madje edhe në rast se deklaratat e tyre janë “kundërthënëse”, duke theksuar se dëshiron të promovoj “diskutim publik” për çështjet politike.

Kjo shpallje u bë vetëm disa ditë pasi një postim i presidentit amerikan, Donald Trump, ka sugjeruar përdorim të armatimit atomik të Shteteve të Bashkuara, duke shkaktuar kritika ndaj këtij rrjeti social, se po lejon kërcënim me dhunë.

“Twitter është këtu për të shërbyer dhe për të ndihmuar në avancimin e diskutimit global dhe publik”, ka shkruar kompania Twitter, dhe ka shtuar se “liderët e zgjedhur botërorë luajnë rol kritik në këtë bisedë për shkak të ndikimit jashtëzakonisht të madh të tyre në shoqërinë tonë”.

“Me bllokimin e liderëve botërorë nga Twitteri ose largimin e postimeve të tyre kundërthënëse, do ta fshihej informacioni i rëndësishëm, të cilin njerëzit duhet ta shohin dhe ta debatojnë”, ka shkruar Twitter, i cili nuk ka bërë referencë specifike për presidentin Trump ose për postimin e tij këtë javë, ku ka shkruar se ai ka butonin atomik që është “më i madh dhe më i fuqishëm” se ai i Koresë Veriore.

Megjithatë, kompania Twitter ka thënë se e lë të hapur mundësinë se mund të largohen postimet specifike nga liderët politikë, nëse konsideron se janë fyese.

Please follow and like us: