Ymeri del haptas kundër Kurtit
Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka komentuar zhvillimet e fundit në partinë deputet i së cilës është.
Përmes një statusi të gjatë të postuar në Facebook, Ymeri ka treguar të jetë takuar dy herë me deputetin Albin Kurti që nga lirimi i tij nga burgu ku thotë të kenë diskutuar për problemet e brendshme në VV.
Por, sipas Ymerit, Kurti nuk ka reflektuar dhe nuk ka shprehur keqardhje për, siç thotë ai, “krejt këtë fushatë linçimi e sharjesh, njëherë brenda organizatës e tash së fundi edhe në publik”.
Ky është postimi i Ymerit:
Kam shpresuar që dorëheqja ime të shërbejë, mes tjerash, edhe si një lloj alarmi për gjendjen e krijuar brenda organizatës. Në mënyrë që të fillojmë ta trajtojmë atë seriozisht. Që ta bëjmë Lëvizjen bashkë. Që t’i ndalim animozitetet e aktivistëve ndaj njëri tjetrit. Që të mos shpifin e gënjejnë. Që të mos linçojnë e degradojnë. Deri tash pashë pikërisht të kundërtën. Pashë vetëm arrogancë. Ç‘fatkeqësi!
Kjo dorëheqje e të tjerat nuk u trajtuan si shqetësim që ishin, mospajtim me atë që po ndodh, protestë ndaj kësaj fushate përdhosjeje që po e shohim tash një vit brenda e tash një muaj në rrjete sociale. Por si plan. I bashkërenduar mirë. Përmes dorëheqjeve, anëtarë kryesie e deputetë të Lëvizjes, arritën ta gjejnë armikun e brendshëm. I cili bashkë me armikun e jashtëm e paska gatuar këtë sulm ndaj Lëvizjes e Albinit për një kohë të gjatë. Meqenëse i gjetëm, tonë ata, tash i luftojmë më lehtë. Si dhe e kemi më të lehtë t’ua parandalojmë planin sepse u tregojmë të gjithëve se kush janë armiqtë, dhe kushdo që flet me ta duhet ta dijë se po flet, dhe do të ndikohet nga “puçistët”, armiku i brendshëm. Nëse i dëgjon se çka po thotë armiku i brendshëm pashmangshmërisht do të jesh armiku i brendshëm. Objektivisht do të shkosh në atë drejtim. Do të mashtrohesh! Ndryshe nuk mund të jetë. Kështu që në këtë pikë nuk kemi çka flasim. Kjo është e vërtetë objektive.
Për të tjerat flasim. Por jo para se të pranohet kjo e vërtetë objektive. Sepse përndryshe diskutimi nuk ka kuptim.
Megjithatë pati edhe thirrje për diskutim. Nga Kryesia e deri te Albin Kurti tash së fundi. Shumë mirë. Po çka do të flasim?
Jam takuar me Albinin dy herë pasi që është liruar nga burgu: të shtunën më 30 dhjetor (2017) si dhe të martën më 2 janar (2018). Të dyja herat pjesën më të madhe të kohës e kemi kaluar duke e diskutuar këtë çështje. Këtë problem me të cilin po ballafaqohemi tash e një kohë. Nuk pashë në këto takime asnjë moment reflektimi nga ai. Fatkeqësisht. Asnjë keqardhje për krejt këtë fushatë linçimi e sharjesh, njëherë brenda organizatës e tash së fundi edhe në publik. Siç nuk pati asnjë fjalë për këtë as në postimin e tij të djeshëm. Kjo më brengos. Sepse nëse nuk e dënon e nuk distancohet atëherë a po i bie se e përkrah?
Për më tepër se kaq, është tepër e dhimbshme se si edhe në postimet e deklarimet publike, së pari nga burgu me letrën dërguar Këshillit, e pastaj edhe pas daljes dhe me këtë postim të fundit, ka një ngjashmëri të tmerrshme mes atyre që i thotë Albini kur flet për problemin, me ato që i lexojmë nga aktivistë të caktuar në diskutimin e tyre publik (natyrisht këto të fundit të parafinuara prandaj edhe me një dimension shumë më shokues për publikun). P.sh. Albini e quan Aidën të mashtruar. Kjo nënkupton që ka një skemë të përgatitur në të cilën ajo ka ra në grackë. Pastaj i ke aktivistët që e quajnë Aidën bashkëpunëtore të ShIK-ut! Ose që e ka “djegur” Dardani. Thua ti Aida nuk ka mendje të veten, të gjykoj vet, dhe të vendos vet. Ose në postimin e djeshëm të Albinit, renditja e fitoreve të Lëvizjes kronologjikisht bashkë me sulmet e pushtetit ndaj Lëvizjes për të ardhur deri te zhvillimet e fundit e dorëheqjet, ka një porosi të tmerrshme brenda: kronologjia këtu ka një qëllim, t’i paraqes dorëheqjet si vazhdimësi e sulmit të pushtetit, pra kundër fitoreve të Lëvizjes! Kjo porosi pastaj amplifikohet e shpërndahet nga aktivistët në rrjete sociale. Këtu fshihet, duke mos u përmendur, një kronologji tjetër: ajo e zhvillimeve brenda organizatës të cilët nuk kanë qenë publike por kanë qenë të pranishme shumë para zgjedhjeve të përgjithshme, gjatë tyre, para zgjedhjeve lokale, e gjatë tyre.
E gjitha kjo për ta zgjidhur problemin? Po ky është problemi. Me këtë lloj problemi ballafaqohemi tash e një kohë. Akuzat e sofistikuara, pa asnjë bazë, të cilat pastaj barten nëpër aktivistë dhe shndërrohen në “të vërtetën e pamohueshme”.
Këtë e kemi diskutuar shumë herë gjatë këtij viti të fundit. Së paku pesë herë në kryesi në faza të ndryshme. Me dhjetëra herë në takime të ndryshme, me Albinin, me Albinin dhe të tjerët. Diskutimet e tilla janë ballafaquar me një problem madhor: mungesën absolute të gatishmërisë së Albinit për ta pranuar gabimin e vet.
Dhe tash e njëjta gjë: në njërën anë po portretizohen “të ligët” të cilët mision jetësor e paskan ta dëmtojnë Lëvizjen, e në anën tjetër “të shenjtit” që nuk mund të gabojnë. Ç‘kuptim ka të flasin këto dy anë. Ato nuk gjejnë pajtueshmëri. Ato nuk mund të flasin. Vetëm mund të nënshtrohen. Njëra ndaj tjetrës. Natyrisht se e shenjta duhet ta nënshtrojë të ligën. Pra, nuk po kërkohet as diskutim e aq më pak demokraci, por nënshtrim!
Gjithsesi duhet të diskutojmë. Unë mbetem pjesë e Grupit Parlamentar. Grupi Parlamentar bashkë me pjesën e mbetur të Kryesisë edhe duhet edhe ka çka të diskutojnë gjerë e gjatë për këtë çështje. Por diskutimi për të pasur kuptim duhet të jetë i lirë nga frika. Kjo metodë frikësimi e tipit “nëse nuk je me mua, je kundër meje” nuk ka të bëjë fare me demokracinë. Nuk ka të bëjë me sinqeritetin. Nuk e ka për qëllim unitetin. Nuk e ka për qëllim Lëvizjen. Diskutimi duhet të jetë i hapur. Duhet të jemi të gatshëm secili ta pranojmë kur dhe ku kemi gabuar. Duhet t’i heqim dyshimet për motivet e njëri tjetrit. Duhet ta kthejë besimin mes nesh. Duhet ta kemi në fokus Lëvizjen e jo veten! Kështu është rruga përpara. Tjetra rrugë përpara është rruga degradimit e devijimit. Në të nuk marrin pjesë të gjithë.