Identifikohet autori i atentatit te Ura e Institutit
Mediat zbulojnë foton e autorit që plagosi Korab Peposhin te ‘Ura e Institutit’ në Tiranë, ditën e premte. Ky është Alfred Rrushi, i cili qëlloi 5 herë në drejtim të Korab Peposhit, ku 3 prej plumbave e kanë kapur në trup 40-vjeçarin. Alfred Rrushi njihet edhe me emrin Ferdinand Rrushi dhe është një person me precedentë të mëparshëm penalë, thonë burime policore, bën të ditur Report TV.
Alfred Rrushi dyshohet se e ka pritur Korab Peposhin pranë rrugës “Shkodra”, më pas ka qëlluar në drejtim të tij me pistoletë, duke e plagosur rëndë, ndërsa mësohet se ka tentuar dhe herë tjetër për ta qëlluar. Policia po vijon hetimet për plagosjen dhe është përpjekur të marrë në pyetje Korab Peposhin. Ky i fundit ende nuk ka folur për shkak se vijon të jetë në gjendje të rëndë në reanimacionin e Spitalit të Traumës.
Shkak i atentatit mendohet se janë konfliktet e vjetra mes Ferdinand Rrushit dhe Korab Peposhit. Policia po heton konfliktet për drogën në Itali mes dy personave. Kjo edhe për faktin se i plagosuri Korab Peposhi është arrestuar në Itali në vitin 2011, pasi u kap me një sasi kokaine. Ndërkohë, edhe Ferdinand Rrushi është një emër i njohur për drejtësinë në Shqipëri. Ai është i dënuar për vjedhje me 10 vite burg në vitin 1999, ndërkohë që edhe në vitin 2009 është përfshirë në një sherr për fishekzjarrët në Kamëz.