Mark Manson: Arti delikat i moskokëçarjes
Nëse jeta të gjuan me limona, mëso të bësh limonatë me ata. Kjo frazë, e dëgjuar aq shpesh, përpiqet të na mësojë se sekreti i lumturisë qëndron në aftësinë që të mbetemi pozitivë edhe në kohë të vështira. Në librin që u kthye menjëherë në bestseller, blogger-i superstar Mark Manson pohon të kundërtën. Sipas tij, mundësia për të përmirësuar jetën nuk qëndron në trajnimin tonë për të bërë limonatë, por në aftësinë tonë për të përgatitur stomakun të tretë sa më mirë limonat (vështirësitë). Qeniet njerëzore shumë rrallë janë të jashtëzakonshme, përgjithësisht ne të gjithë kemi defektet dhe limitet tona. Pranimi i këtyre limiteve kthehet në burimin e vërtetë të fuqisë, vetëm kështu mund të gjejmë kurajon dhe besimin që kërkojmë.
Jeta, pohon Mark Mansoni, na ofron vetëm një sasi të caktuar kokëçarjesh. Prandaj duhet zgjedhur me zgjuarësi se si dhe për çfarë t’i vëmë në punë ato. Për të ilustruar idenë e tij ai përdor si fillim rastin e Bukowskit.
‘Charles Bukowski ishte një i alkolizuar, një kumarxhi i rregullt, një që bridhte pas grave, dhe në ditët e tij më të mira, ishte poet.’ Pra, personi më pak adapt për të dhënë këshilla jete. Kaloi shumë vite të vështira- askush nuk e përfillte veprën e tij. Çdo revistë, gazetë, botues i hidhte poshtë punët e tij duke i quajtur ‘të tmerrshme, të neveritshme, perverse’. Kundërshtimet e vazhdueshme e shtynë Bukowskin më thellë në depresionin e vet të alkolizuar. Ditët i shtynte në një punë të rëndomtë në postë, ato pak të holla që merrte i shpenzonte natën nëpër klube.
Tridhjet vjet i kaluan mes këtij trekëndëshi të helmuar – alkool, kumar, prostituta. 50 vjeç, pas një jete të tërë dështimesh, mori një ftesë bashkëpunimi nga editori i një shtëpie botuese të vogël. Ky nuk kish mundësi t’i ofronte shumë para, por duke kuptuar se për të ish shansi i parë dhe mbase i fundit, Bukowski i shkruan ‘Kam përpara këto dy zgjedhje- të vazhdoj në postë dhe të çmendem…ose të iki prej saj, të bëj shkrimtarin dhe të vdes urie. Kam vendosur të vdes urie.”
“Nënshkroi kontratën dhe Bukowski shkroi romanin e tij të parë për tre javë. Titullohej thjesht ‘Zyra Postare’… Bukowski do t’ia dilte mbanë si shkrimtar dhe poet. Botoi 6 romane dhe qindra poema, duke shitur më shumë se 2 milionë kopje librash. Popullariteti i tij i kaloi pritshmëritë e të gjithëve, sidomos të vetë atij.”
“Historitë si e Bukowskit janë buka dhe gjalpi i fabulës kulturore të modernitetit. Bukowski simbolizon ëndrrën amerikane: njeriun që lufton për atë që do, që kurrë nuk heq dorë, dhe që, më së fundi,arrin te ëndrra e tij…
Atëherë pse është aq i çuditshëm epitafi mbi varrin e Bukowskit qe thotë: ‘As mos u përpiqni’.
(Mos çani kokë) “Sepse me gjithë shitjet e librave dhe famën, Bukowski ishte një dështak dhe e dinte këtë. Suksesi nuk erdhi nga ndonjë vendosmëri e madhe për të qenë fitimtar, por nga fakti që ai e dinte kush ish, e pranonte këtë fakt, dhe shkroi shumë ndershmërisht për të. Ai asnjëherë nuk u përpoq të ish diçka tjetër nga çfarë ish. … Aftësia e tij qëndron thjesht tek të qenët komplet i ndershëm me vehten – sidomos me pjesët e saj më të këqia- dhe tek të shkruarit hapur mbi dështimet e tij, pa hezitim, pa dyshim”.
“Historia e vërtetë e suksesit të Bukowskit është: rehatia e tij me dështimet e tij. As që e çante kokën për suksesin. Edhe kur u bë i famshëm, vazhdonte të shkonte i pirë në sallat e leximit dhe të abuzonte verbalisht me spektatorët. Vazhdonte përpjekjet për të fjetur me çdo grua të mundshme. Fama dhe suksesi nuk e bënë më të mirë. Ai nuk u bë i famshëm dhe i sukseshëm sepse fillimisht u bë më i mirë.
Kultura sot është e fiksuar te përvojat pozitive: Ji më e lumtur, më e shëndetshme, më e mirë se pjesa tjetër, më e zgjuar, më seksi, etj, etj.
Por kur ndalojmë dhe mendojmë për jetën, me gjithë pozitivitetin që duhet, në fakt ajo që më shpesh dëgjojmë fokusohet mbi çka na mungon.
Pergatiti: Sadik Bejko