Sadik Bejko: Një fotografi me Nazim Hikmet
Ky ështe busti i poetit komunist, i turkut Nazim Hikmet (1902-1963). Në Shqipëri në vitet ’60 të shekullit që shkoi është botuar një libër i hollë me titullin Nazim Hiqmet, “Poezi”, me përkthim të A. Varfit.
Më vonë, në fillim vitet ’90, u botua një përmbledhje më e gjerë me titull “Pejsazhe njerëzore”. Thonë se sot ai është i lexuar e i përkthyer dhe në SHBA e gjetkë. Unë nuk marr përsipër të flas për vendin dhe për prurjen e tij specifike në poezi. Është tjetër vështirësi për njohjen time.
Unë do të flas për mbresa thjesht të miat. Veç me njohjen për sa e kam lexuar shqip Hiqmetin, dhe që… kam një fotografi me bustin e tij
Në rini e kam dashur lirizmin e poezisë së tij, martirizimin a romantiizmin e figurës së tij. Ai shkruante ndryshe nga idioma zyrtare, (trashanike dhe hapur hajvane), nga dallkaukllëku, (për E Hoxhën do këndoj tërë jetën) nga servilizmi i pështirë, servilizëm – epidemik që si një sëmundje kolere i kish prekur sivëllezërit e tij, poetët tanë komunistë në Shqipëri.
Nuk më pëlqenin, nuk më pëlqejnë prapë idetë e tij. Po veç lirizmit, idiomës së tij të regjur në një humanitet naiv, veç gjuhës së figurshme iluzore, si të tretur në një solucion me ujë të rrjedhur nga burimet hënore, veç fantaksisë së ideve marksiste, më pëlqente stoicizmi, rropatja fizike e shpirtërore që vinte në jetën e tij përtej poezisë, dhe mu prej poezisë.
Më pëlqen kjo që një burrë vuan e vdes për atë që beson! Hikmeti ishte një i dënuar me dhjetra vjet burg, i dënuar me vdekje, me dëbim nga vendi i tij Turqia. Më pëlqen ajo rracë burrash që vuajnë e vdesin për ide, qoftë dhe për iluzione a absurditete të shenjtëruara nga periudhat kohore. Ua respektoj dhe idiotësitë idealistëve aq më tepër kur privacionet e flijimet për këtë shkak, shpesh paguhen me jetë.
Hikmetit iu rrënua jeta familjare, i mori për teposhtë shëndeti, jetoi në mërgim si i fshehur, si çdo i dënuar me vdekje. Por deri në fund, ai mbeti patriot e shumë human në jetë e në krijimtari.
Ishte bir i epokës së tij. Shumë e shumë artistë e muzikantë, filozofë e piktorë, të tillë si: Pikaso, D. Rivera. J. Ricos, Hiqmet, Neruda, Elyar. Lorka, Sartri, Majakovski etj etj, shumë nga shtresa e krijuesve dhe e akademikëve në gjysmën e parë të shekullit të 20-të në Europë dhe në Amerikë ishin komunistë.
Me kaq sa e njoh poezinë dhe jetën e Nazim Hikmetit u afrova te ky shëmbëllim i tij, te busti që shihni në fotografi. Aty ku mbështet dora ime .. poshtë, dallohet emri: Nazim Hikmet.
Organikisht, përkundër edukimit që kam marrë, nuk i kam dashur poetët komunistë, nuk e kam dashur filozofinë e tyre, E kam vuajtur të gjallë, “live” në miniera të Shqipërisë atë iluzionin,”IDEALIN’ e tyre për ndërtimin e sistemit komunist. Kam bërë 8 (tetë) vjet punë krahu: 2 vjet si ushtar-bujk, 6 vjet si minator, punëtor nëntoke në minerën e qymyrgurit Memaliaj. Një i ndëshkuar me punë të detyruar, i dërguar te klasa punëtore “për t’u edukuar nëpërmjet punës”, sipas slloganit zyrtar. Dhe 10 vjet pa të drejtë botimi… Publikimin e një teksti këngë për fëmijë. Gjirokastër më 1980, e paguam me një humbje fëmije…
Asgjë nuk e përqas jetën time me atë të Nazim Hikmetit. Po kur më 2014 u ndodha përballë statujës së N. Hikmetit në një muze shkrimtarësh në Stamboll, iu qasa atij si një vëllai poet. Ai vuajti si komunist… unë e kundërta… se nuk më donte/e doja komunizmi/n…. Secili sipas kokës… dhe kohës(!) Nuk mund të ishim ndryshe.
Veç filozofëve, ne të tjerët nuk e dimë ç’lumturi a ç’pasoja shkatërruese sjellin iluzionet në jetën e njerëzve. Iluzionet romantike në disa tipa njerëzish mbeten bashkëudhetare të pandara të jetës. Edhe dita sot që po shkruaj, më qepen pas shumë iluzione në jetën time. Ato mundet që nuk ma gëzojnë, mbase tentojnë të ma shkatërrojnë jetën. Por, dhe pse në moshë, pa iluzione, nuk jetokam dot.