Mussolini, lidhje intime e panjohur edhe me një gramshiote
Edhe Duçja nuk i ka patur mirë punët me gratë, ose ato nuk i kanë patur mirë punët me të, pavarësisht se në fundin e tij tragjik atij iu bë mburojë nga plumbat e pushkatimit një grua, dhe pikërisht dashnorja e tij e famshme, Klareta Petaçi.
Benito Musolini nuk pati kurrë asnjë mik në jetën e tij. Por ndërkaq tërë jetën, nuk i munguan adhurueset, dashnoret dhe mikeshat, të cilat u bënë pre e përdhunimit, torturave e braktisjes nga ana e tij.
Një mësues rrugaç
Kur ishte i ri, dy vjet në Zvicër, për Musolinin kaluan me peripeci nga më të ndryshmet. Pas pak kohe e arrestuan për vagabondazh. Në janar të vitit 1905 kthehet në Itali për të vazhduar shërbimin ushtarak në Verona deri në shtator të vitit 1906. Në këtë kohë i vdes e ëma. Musolini nuk u kthye tek i ati, por punoi si mësues në Tolmexo, fshat në kufirin zviceran për nëntë muaj nën vëzhgimin e policisë. Për vajzat e fshatit dhe për nxënësit, ai nuk ishte gjë tjetër veçse një tiran. Në këtë fshat Musolini pinte dhe merrte borxhe shumë. Në këtë kohë ai u infektua nga një sëmundje veneriane. E mori nga një grua e martuar. Në fund të vitit shkollor, autoritetet e dëbuan si të padëshirueshëm… Në vitin 1908 Musolini përsëri filloi punën si mësues, në një ndër shkollat në Onelit të Rivierës. Pas disa vitesh ai tërhiqet nga puna si mësues dhe i kthehet pasionit të tij për politikën.
Nga dashuria në politikë
Jetën si politikan e nis në një rrugë të pazakontë, nga rruga e dashurisë. Me socialisten ruse Anxhelika Ballabanova Musolini ishte takuar disa herë. Ajo qe e para intelektuale socialiste, nga e cila ai u njoh nga afër me socializmin klasik. Në vitin 1909, ai u kthye tek i ati në Forli, ku gjithashtu u bë i njohur si grindavec. Në atë kohë i ati bashkëjetonte me një ish të dashurën e tij. Vajza më e madhe e kësaj zonje, Rakelë Guidi, bëhet më vonë gruaja e Musolinit. Në vitin 1910, Musolini u martua me Rakelën. Ai nuk e linte të shoqen të dilte nga shtëpia, ishte xheloz. Rakela ishte pa interesa kulturore. Ajo nuk e dinte se i shoqi kishte një fëmijë me një grua tjetër. Në vitin 1910, lindi fëmija i parë i Musolinit dhe i Rakelës, një vajzë, Eda. Pas saj erdhën në dritë Vitorio, Bruno, Ana Maria dhe Romano.
Histori e hidhur e “njërës nga ato”
Në vitin 1912, Musolini filloi punë në gazetën socialiste “Avanti”. Në të njëjtën kohë Musolini filloi të botonte revistën e përdyjavshme “Utopia”. Zëvendëskryeredaktore të gazetës”Avanti” Musolini zgjodhi Anxhela Ballabanovën, një grua me karakter të fortë dhe me energji të pashtershme. Në atë periudhë ai kishte një grua tjetër, ishte Ilda Dalser, me të cilën aty ndahej dhe aty bashkohej për vite me radhë, edhe pasi ndërtoi një familje me Rakelën. Ilda deklaronte se ai i kishte premtuar për martesë dhe që ai po e shfrytëzonte për paratë e saj. Ai qe babai i fëmijës së saj të jashtëligjshëm që dikur e pranoi, por në vitin 1915 ai braktisi si nënën dhe fëmijën dhe i la në varfëri të plotë. Më vonë, për të shmangur ndonjë skandal, ai e mbylli forcërisht Ildën në një klinikë psikike, ku ajo vdiq në vitin 1937.
Margarita, një mikeshë jo vetëm për shtrat
Mikesha e tretë për të cilën ai thoshte më do marrëzisht, ishte Margarita Salfati. Një milaneze e pasur, kritike arti në gazetën “Avanti”. Më vonë zonja Salfati bashkë me të dashurin kaloi nga socializmi në fashizëm. Shkroi të parën biografi zyrtare të Musolinit dhe u bë redaktore e revistës “Hierarkia”. Marrëdhëniet e tyre zgjatën shumë, e duket se e vetmja rivale kryesore e Rakelës do të ketë qenë Margarita, derisa ai akoma nuk ishte dalldisur pas vajzës së re dhe të bukur Klara Petaçi. Në fund Margarita ra viktimë e ligjeve anti-semiste të deklaruara nga Musolini.
Sedra seksuale e Duçes dhe fati tragjik i Leda Rafanelit
Shumë interesant është fakti se asnjë nga të dashurat e Musolinit nuk ishte aq e bukur sa Klara Petaçi Në vitin 1913, Musolini u dha pas Leda Rafanelit, një femër e hijshme, e cila më vonë pranoi islamizmin. Me shumë kulturë, ajo kishte një natyrë më të fuqishme se ai. Leda thoshte se: Musolini nuk më tërheq si burrë, por më magjeps me ekstravagancat e karakterit të tij. Më pëlqen kur më pohon se s’kam nevojë për dashnore, por veç për një grua-ndihmëse të talentuar. Por edhe Leda me kalimin e kohës e pa se ai nuk e meritonte shumë vëmendjen. Musolini tmerrohej po t’i vinin në dyshim potencialin e tij mashkullor dhe kur u bë diktator, policia e fashos e torturoi barbarisht Ledën dhe i konfiskoi të gjitha letrat që ai i kishte dërguar. Ajo e konsideronte njeri të sipërfaqshëm, dhe përveçse në politikë, në të gjitha fushat e tjera, me përfytyrime të vakëta. Gjatë një bisede ai ndërronte disa herë mendim dhe përherë pajtohej me Ledën, çfarëdo që të thoshte ajo. Njëherë i tha Ledës se kishte dashur të bëhej muzikant e shkrimtar i njohur, por hoqi dorë kur u bind se i mungonin aftësitë. E prapë shpresonte të bëhej njeri i madh, emrin e të cilit do e mbanin në gojë të gjithë. Kam nevojë për pasuri dhe lavdi, dhe dëshiroj të jem zot fatesh. Si Napoleoni?- e pyeti Leda me ironi. Jo më i madh se Napoleoni. Vetëkënaqej se ishte një Demosten i kohës dhe pohonte se ndihej më i shpenguar në tribunë, se sa në një bisedë private.
Vazhdojnë aventurat, në shtrat njëherësh me dy motra
Margarita Safrani, një çifute veneciane, diti ta shndërronte Musolinin, disi të papërpunuar, në një takticien të frikshëm politik. Benito Musolini kishte vetëm prirje për të koleksionuar aventurat e dashurisë. Më 1925 mbante si të dashur, dhe një të quajtur Romolda, me të cilën kaloi shumë ditë pushimi në pallatin Torlonja, në Fraskati, afër Romës. Ky qëndrim i këndshëm, qe për të tej mase i dobishëm, mbasi me këtë rast, Duçja u njoh me motrën e Romoldës, me Renatën. Kjo e fundit ishte e shoqja e Ruxhero Minardit, bir i një familjeje pronarësh të pasur tokash, me të cilin ajo kishte dy fëmijë. Midis Renatës dhe Musolinit lindi një pasion me pasoja të paparashikueshme.
Me një gazetare, “intervistë” nën çarçaf
Kur ishte kryeministër u njoh me një gazetare, me të cilën Musolini fillimisht sillej shumë mirë Pasi e kishte vizituar shpesh dhomën e tij, ajo pohoi se në dhomën e Musolinit nuk shihje të varur veçse portretin e tij. Ndërsa Ernest Heminguej, gazetar i asaj kohe, thoshte se kryeministri i ri interesohet më shumë për titujt, që do të dalin të nesërmen në gazetë se sa për politikën. Konferenca tjetër për shtyp atë ditë nuk u organizua se Kryeministri ishte në shtrat me një nga të dashurat dhe nuk dëshironte ta shqetësonin. Disa muaj më vonë ai zuri vend në një vilë. Pushimet i bënte pranë detit Adriatik, në Riçione, jo larg Romës. Atje të shoqes nuk i lejohej të shkonte… Më në fund të shoqen dhe fëmijët i solli në Romë, por i vizitonte shumë rrallë, në ndryshim nga zonja Safrani, për të cilën kishte gjithmonë kohë. E shoqja nuk i shërbeu as kur ishte shumë sëmurë. Pas kësaj ai vendosi kurorë me Rakelën në Kishë. Shtypi filloi t’i bënte një reklamë të madhe familjes Musolini, ku Rakelën e bënë një grua ideale fashiste, punëtore, shtëpiake, të ndershme. Por fotografia e saj nuk doli kurrë në gazetë.
Fëmijët e Duçes, “si zogjtë e kobit”
Por, ç’po ndodhte ndërkohë me familjen e Duçes? Eda, vajza e madhe, nuk e duronte më dot jetesën në një strehë me njeriun, i cili urdhëroi vrasjen e të shoqit, Kontit Çiano. Musolinit i vinte plasje që fëmijët e tjerë i shëmbëllenin së ëmës dhe nuk kishin interesa serioze intelektuale. Kushërinjtë e afërm dhe të largët e mërzitnin duke i kërkuar privilegje të pafundme. Ndërkaq e shoqja, ndonëse me vonesë e mori vesh lidhjen dashurore të Musolinit me Klara Petaçin, xhelozia e saj shpërtheu. Për ditë të tëra ata nuk i flisnin me gojë njëri- tjetrit. Duçja e çoi deri në ekstrem cinizmin e tij, duke ua hedhur larg e larg fjalën shërbimeve sekrete gjermane për t’i sajuar një dashnor Rakelës, në mënyrë që ai t’i ngryste ditët në qetësi me Klarën. Megjithatë ai pohonte se thellë në shpirt e donte të shoqen. Po me fëmijët e Musolinit çfarë ndodhi? Drama, aventura e fatkeqësi të dhimbshme.
Duçja, dashuri edhe me një shqiptare
Sipas një ditari të Komandës Eprore të Fuqive të Armatosura të Italisë është bërë i njohur fakti se Duçja ka ardhur në Shqipëri në kohën e Luftës Italo-Greke. Ai ka inspektuar vijën e frontit të luftimeve për gati një muaj e gjysmë, nga 2 marsi 1941 deri në 21 prill 1941. Në një nga këto ditë, dhe pikërisht më 18 mars, ai shkoi ne Gramsh, inauguroi urën mbi Devoll dhe pastaj shkoi në Spitalin e Llixhës. Në Gramsh ka bujtur në shtëpinë e një fshatari, ku është pritur ashtu siç di të pres shqiptari. Por atmosfera është prishur dhe desh ka plasur skandali, kur Duçja u marros pas një vajze 17-vjeçare që po u shërbente miqve. Ai jo vetëm nuk ia ndante sytë, por i bënte herë pas here edhe me shenja. Puna vajti deri aty, sa ai kërkoi të zotit të shtëpisë që ta dërgonte vajzën me punë ose me shkollë në Itali. I zoti i shtëpisë, i qetë, me një buzëqeshje të hidhur, i drejtua Duçes me një shprehje eufemike të gjuhës së tij: “Faleminderit për interesimin, zotni i lartë, por atë fjalë që the, fute andej nga e nxore!”. Pastaj iu drejtua përkthyesve që t’ia thoshin mirë mikut atë që ai nxori nga goja. Nuk dihet ai ia përkthyen tamam, por Duçja s’e hapi më gojën, u ngrit e iku menjëherë.
“Diktatorët burra, të pangopur me gra”
Rajna Kovaçi në librin e saj “Diktatorët burra, të pangopur me gra, shkruan për një takim që ka patur me të shoqen e Musolinit, Rakelën. Ja çfarë shkruan ajo: U takova me Rakela Musolinin, gruan e Musolinit. Gjatë gjithë viteve që i shoqi kishte qenë diktator i Italisë, ajo jetonte vetëm, në një qytet të vogël në veri të Italisë. Ishte një nga gratë më të bukura dhe më të jashtëzakonshme që kam takuar. Kjo grua e brishtë, flokëbardhë dhe me sy të kaltër të ndritshëm, në fillim u tregua e kujdesshme. Imagjinoni një yll kinemaje që vjen me një automobil të shtrenjtë. Kur erdhi koha të ndahemi, më kishte pranuar plotësisht. Në fakt, ajo më ftoi të rrija për drekë dhe të dyja kaluam një kohë të mrekullueshme duke gatuar makarona dhe mish në kuzhinën e saj.
Ushtria, ëndrra napoleoniane e Musolinit
…Por në këtë kohë u dalluan ndryshimet edhe në jetën private të Musolinit. Ai filloi të frekuentonte shpesh e më shpesh restorantet dhe lokalet më të shtrenjta të Milanos. Në dhjetor të vitit 1915, Duçja hyri në ushtri. Gjatë kësaj kohe shkroi librin “Memuarët e ushtarit”, për të shpalosur trimëritë që gjoja pat treguar në luftë. Në ushtri e graduan rreshter. Në qershor të vitit 1917, Musolini u lirua nga ushtria si invalid, dhe u rregullua sërish redaktor në gazetën “Popolo d’Italia”. Në 22 tetor 1922 Musolini u zgjodh Kryeministri i 27-të i Italisë. Musolini si Kryeministër zuri një dhomë në një hotel shumë luksoz në Romë. Pjesën më të madhe të kohës ia kushtonte gazetarëve. Një nga gazetarët që e intervistonin herë pas here ishte edhe zonjusha Sheridan.
E famshmja Klareta Petaçi
Kush ishte Klara Petaçi? Ajo ishte një grua e re me sy të qartë midis të hirtës e të gjelbrës, me trup mesatar, me zë të ulët. Babai i saj ishte mjek i nderuar në kryeqytetin italian, dhe e bija, ende adoleshente, kishte rënë në dashuri të fshehtë me udhëheqësin fashist, të cilin kishte pasur rastin ta takonte në shtator 1933. Për shkak se s’mori një përgjigje sipas dëshirës së saj, ajo u martua, pastaj u nda nga i shoqi dhe zuri një të dashur. Thashethemet arritën deri në veshin e Musolinit, i cili e thirri Klara Petaçin më 1936 në Pallatin e Venecias për ta qortuar rëndë: Unë ju kam respektuar dhe ju tradhtoni burrin tuaj me të parin që ju del përpara! Si përfundim ai e bëri Klarën menjëherë të dashurën e vet. Çdo mbasdite ajo shkonte në Pallatin e Venecias dhe hynte nga porta që hapej në rrugën “Atalli”. Që atje, një ashensor që mezi punonte e shpinte deri në katin e katërt në apartamentin “Cybo”. Me Klaretën ai që bashkë deri në fundin e tij të pashmangshëm, kur në rrethana ende të paqarta plotësisht më 28 prill të 1945, pranë Giulino Mezzegra, rreth 20 km në jug të Dongos, u gjet i ekzekutuar. Zyrtarisht, Mussolini dhe dashnorja e tij Klara Petaçi, u rrëmbyen nga partizanët komunistë pranë Dongos në liqenin Como, ndërsa përpiqeshin të iknin në Zvicër. Pavarësisht maskimit si oficer gjerman Duçja ishte njohur së bashku me Petaçin. Trupat e tyre u dërguan në Milano dhe u ekspozuan në Piazzale Loreto.
Në marrëdhëniet e tij me Klara Petaçin, si dhe me dashnoret e tjera, ai shfaqte haptazi elemente sadizmi. Megjithatë, shumë njerëz e quanin Musolinin vrasës. Gjer në vitin 1925, Musolini mendonte t’u siguronte punë grave. Pastaj ndryshoi taktikë dhe filloi t’i këshillonte gratë, që të rrinin në shtëpi dhe të lindnin sa më shumë fëmijë. Të infektuarit nga sifilizi, me një urdhër të veçantë të Musolinit, dënoheshin. Vallëzimet moderne i cilësonte si amorale, të padenja, shfaqje mëkatesh dhe fëlliqësirash. Nga fundi i vitit 1942, marrëdhëniet e Musolinit me Klara Petaçin u bënë objekt thashethemesh. Hyneret seksuale të Duçes u bënë legjendë, shumë nga të cilat ishin plotësisht të vërteta… Klara ishte e vetmja bukuroshe nga të dashurat e Duçes që kishte një bukuri mesdhetare me flokë kaçurela. Familja e saj qe implikuar në një sërë transaksionesh të dyshimta financiare dhe Musolini bëri çmos ta mbronte atë nga organet hetimore. Klara ishte dy herë më e re në moshë se Duçja.
Motra e Sofia Loren për të shoqin, djalin e Musolinit
Ja se çfarë shkruan Maria, motra e Sofia Lorenit dhe e shoqja e Romano Musolinit. Sofia u mundua të më bindte të hiqja dorë nga martesa me Romano Musolinin duke më bërë disa pyetje. A është njeri i zoti që të mund t’i plotësojë të gjitha nevojat? A mos vallë është egoist dhe interesohet më tepër për jetën e vet? A ke menduar se çfarë kërkon ti nga bashkëshorti, dhe nëse ky do të jetë Romano Musolini, çfarë kërkon ti prej tij? Sofia nga ana e vet thotë: Në të vërtetë iu luta Maries të mos martohej me Romano Musolinin. S’kisha gjë kundër emrit të tij. Sa për mua, djali nuk ka përse të vuajë mëkatet e babait. Më shqetësonte fakti se, meqenëse e njihja mirë Marien, isha e bindur se ajo kishte nevojë për një njeri më të fortë dhe me mendje më të mprehtë se Romano. Ai ishte një pianist xhazi shumë i talentuar, që Maria e kishte takuar në një festival xhazi dhe ma merr mendja se është muzika gjëja kryesore që e tërheq atë drejt tij. Unë konstatova se ai ishte njeri plot me komplekse dhe frenime, ndoshta për shkak të së kaluarës dhe të emrit të tij. Mendova se nuk ishte aspak njeriu që i duhej Maries. Ia thashë, kur më pyeti se ç’mendoja për Romanon. Maria nuk i përfilli fjalët e mia. E kishte ndarë mendjen ta bënte këtë martesë dhe nuk e luante as topi. Sidoqoftë, këmbëngulja e saj pati një të mirë.