Shaj gjithkënd! – pa dallim feje, bindjejet politike, krahine dhe ideje!
Pamflet nga Edmond Kaceli
Një modë e re ka përfshirë nahinë shqiptare. Një modë e re e ngritun gati në art! Të gjithë shajmë të gjithë!
Duket si një parullë politike e kohës së Qoftëlargut “Të gjithë në luftë kundër mbeturinave mikroborgjeze!” për shëmbull!
Shajmë. Shajmë bukur. Shajmë e nuk ngopemi! Shajmë pa bindjejet politike, pa dallime krahinore, pa dallime fetare!
Jemi mjeshtra të shamjes!
Shajnë fëmijët, shajnë të rinjtë, shajnë të rriturit, shajnë pleqtë…
Shajmë pa ide!
Shajmë çdo gjë shqiptare! Shajmë çdo figurë politike, fetare, krahinore, letrare…
E kqyrim njëri -tjetrin nëpër rrjetet sociale, duke thënë: A e sheh sa bukur e shava! A e sheh sa bukur të shava!
Moda e re tipike e shqipeve. E duket se jena populli që në gjithë europën di të shajë më mirë, më bukur, e më fort se të gjithë popujt ballkanikë, europianë, euroatalantikë, e më gjërë!
Dikush shan pellazgët e lashtë e lëvdon ilirët! Tjetri çohet prej gjumit në mëngjez e shan ilirët për hatër të arbëreshve! Ngrihet shqiptari modern aty nga gjumi i pasdrekes e fillon të shajë pellazgët, ilirët, arbëreshët, shqiptarët, e ngre në qiell të shtatë psh. grekët, turqit, italianët, gjermanët…
Shatë miljon shqiptarë në të gjithë botën! E prej këtyre veç nja katërmbëdhjetë miljon e quajnë veten analistë, vetëemërohen poetë, vetëthirren historianë, vetëkujtohen ekspertë të çështjeve fetare, diplomatike, gjuhësore e dreqi e merr vesh se çfarë atributit tjetër i japin vetes!
Çohet njëri e ia fut p.sh Ahmet Zogut për qef të Fan Nolit!
Ngrihet tjetri kundër Ismail Qemalit për hatër të Isa Boletinit!
Ia fut tjetri një të shame Naim Frashërit për hatër të Gjergj Fishtës!
I bie tjetri, ditën për diell Rexhep Qoses, duke thënë se ia futi për hatër të Ibrahim Rugovës! Shajnë Kadarenë për qef të Kasem Trebeshinës! E anasjelltas.
Shpifin për Shote Galicën!
Iu del punë me gruan më të famshme shqiptare Nënë Terezën!
Mbërrijnë në ekstrem kur mprehin shpatën kundër Gjergj Kastriotit(Skënderbeut), për hatër të dreqi e e di se kujt!
Vazhdojnë ekstremin e shamjeve duke sha myslimanët, gjoja, për hir të katolikëve, katolikët për hir të ortodoksëve, katolikët për hatër të myslimanëve… duke u ngatërruar edhe në çështjet e Zotit aq fort sa edhe Zoti vetë habitet!
Këta heronj të rrjeteve sociale, këta Askushë të dijes minimale, turren prej mëngjezit deri në darkë, e vazhdojnë edhe në gjumë t’ua fusin, në sensin figurativ, çdokujt burri, apo femre shqiptare, të famshëm(e) që i dha sadopak zë Shqipërisë!
Turren aq fort sa në ekstazën e sharjeve, e në tymin e famës së rrejshme, harrojnë me kqyrë të pasmet e tyne, ku pa dashtë, krejt pa hiri, krejt pa ndigju, e krejt ngadalë ia paskan futë vetit!