CIA: Lëvizjet e amerikanëve për të rikthyer në pushtet Ahmet Zogun
CIA zbardh të tjera detaje mbi operacionet që ka zhvilluar në Shqipërinë komuniste. Në disa dokumente tregohen tentativat e amerikanëve për të larguar Enver Hoxhën nga pushteti dhe të rikthehej Ahmet Zogu, këtë herë si president. Në dy dokumente tregohet një shkresë për autoritete turke dhe një takim mes CIA dhe ish-mbretit Zog. Ndërsa në dokumente të tjera jepen detaje mbi operacionet që bëheshin në vendin tonë për rrëzimin e regjimit.
I gusht 1949
Memorandum për CPB-I
Nga: ISO
Subjekti : Letër për atasheun turk nga Ghazi Khan Bessolt, në lidhje me Shqipërinë, datuar 14 qershor 1949
Letra e mëposhtme iu dha zëvendës-atasheut ushtarak të SHBA në Turqi, Majorit Allin, nga Ghazi Khan Bessolt, një refugjat nga Kaukazi që jeton në Turqi që prej Luftës së Parë Botërore. Ai besohet se ka lidhje me shërbimet e sigurisë turke
Për: Major gorge R. Allin
Asistent-atashe ushtarak në Turqi
I dashur major, Duke ju prezantuar këtë projekt unë me qëllim po iu shmangem detajeve pasi ato do të jepen pasi unë ta kem diskutuar këtë me madhërinë tij Mbretin Zog dhe liderë të tjerë të rezistencës shqiptare. Sido që të jetë unë jam i bindur se nën udhëzimin e Madhërisë së tij do të arrihet sukses i plotë, pasi për këtë qëllim Madhëria e tij është i pajisur me të gjitha aftësitë e nevojshme: autoritete, guxim, njohuri dhe durim. Sipas opinionit tim, nëse populli shqiptar voton për monarkinë duhet të vendoset mbreti Zog dhe nëse votojnë për republikën, duhet të bëhet president Ahmet Zogu. Të gjithë liderët politikë të Shqipërisë, përfshi miqtë dhe armiqtë e Mbretit, kanë demonstruar një mungesë të madhe aftësish gjatë pushtimeve italiane gjermane dhe më në fund atë rus. Të gjithë këta njerëz janë të zhgënjyer. Unë nuk po flas këtu për Enver Hoxhën, Koçi Xoxen apo persona të tjerë kriminalë, por edhe për persona si Mehdi Frashëri (i mbretërisë), Mit’hat Frashëri (lider i Partisë Kombëtare), Mustafa Kruja (kryeministër gjatë pushtimit italian) Fevzi Agolli e të tjerë. Ringjallja e Shqipërisë nuk ka të bëjë më me këta persona. Prandaj nëse do të arrihet sukses, duhet mbajtur fshehtësi e plotë dhe amerikanët nuk duhet të hyjnë në bisedime me asnjë shqiptar. Unë vetë do të bëj punën paraprake të ndërlidhjes mes Amerikës dhe Shqipërisë, dhe si ndërmjetës i Mbretit Zog dhe rretheve shqiptare
Me shumë respekt, Ghazi Khan Bessolt
Rëndësia e Shqipërisë për sovjetikët
Politikisht, Shqipëria është e rëndësishme për sovjetikët si një tempull i komunizmit në Ballkan e në Mesdhe. BRSS do ta konsideronte humbjen e saj si humbje të prestigjit, veçanërisht pas dezertimit të Jugosllavisë. Por megjithëse ka një pozicion strategjik në hyrje të detit Adriatik, kushtet moderne për zhvillimin e kapaciteteve të saj ushtarake janë të vogla. Ishulli i Sazanit ka qenë një bazë e vogël nëndetësesh italiane dhe sipas disa zhurmave edhe sovjetikët po përpiqen të rindërtojnë këto baza pas luftës. Ka raportime të pakonfirmuara për rindërtim të fushave ajrore nga sovjetikët. Shqipëria ka një pozicion të mirë për instalime paralajmëruese të mbrojtjes ajrore, por deri tani nuk ka prova të instalimit të radarëve sovjetikë. Që prej distancimit të saj nga Jugosllavia, Shqipëria ka humbur rëndësinë e saj strategjike për arsye të mungesës së komunikimit me orbitën sovjetike. Por ajo mund të jetë e rëndësishme për një fushatë tokësore në Ballkan, pasi operacione të mundshme në bashkëpunim me Bullgarinë, nëse janë të suksesshme mund të ndajnë Greqinë nga Jugosllavia.
Takimi me ish-mbretin Zog
Më 20 gusht 1952 unë dhe … shkuam në hotelin Mayfloëer për t’u takuar me ndihmësin e mbretit Zog, kolonel Selmani, i cili na shoqëroi më pas te suita e mbretit Zog. Zogu ishte shumë i sjellshëm por jo me tepricë, në takimin që zgjati rreth një orë e gjysmë, ku ishim prezentë vetëm ai, … dhe unë. Zogu fliste një frëngjishte të mirë (për të cilën më raportonin se e ka mësuar vetëm vitet e fundit). Ai më pyeti nëse flisja gjermanisht, gjuhë në të cilën me sa dukej ndjehej më i lirshëm. Zogu nisi duke më treguar se ishte këtu vetëm për disa ditë, dhe se kishte ardhur vetëm për të futur në shkollë djalin e tij dymbëdhjetë vjeçar në Uashington ose në Nju Jork. Pasi të kishte mbaruar këtë, ai tha se do të kthehej në Aleksandri, ku dhe mund të gjendej nëse do të kishim nevojë për shërbimet e tij. Ai përmendi se mbretëresha Geraldinë ishte në Levant (zona mesdhetare e Lindjes së Mesme) dhe se kishte qenë në Baalbek. Më tej ai djalërinë e tij në Stamboll dhe udhëtimet që kishte bërë vetë në vendet e Levantit, duke përmendur disa prej rrënojave më të famshme. Pas bisedës shoqërore dhe pasi theksoi prej fillimit se i vinte keq që nuk mundi të takohej me …, ne folëm për situatën shqiptare. Zogu tha se kishte katër gjëra të rëndësishme në lidhje me Shqipërinë dhe që duhet të transmetoheshin te …. Ai tha se shtatë fusha ajrore të para-luftës po rinovoheshin dhe dy të reja po ndërtoheshin, por komentoi se ky aktivitet nuk kishte lidhje me Jugosllavinë, më shumë sesa me pozicionet perëndimore të zonës, siç mund të ishte baza perëndimore në Tripoli, apo ndonjë objektiv tjetër në Lindjen e Mesme.
Ja veprimet e kundërshtarëve ndaj regjimit komunist
Përveç organizatave të brendshme dhe Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë, ka disa veprues brenda Shqipërisë që përfaqësojnë grupet e emigrantëve në Itali, Greqi e Jugosllavi. Por mes këtyre të fundit, me gjithë objektivin e përbashkët anti-komunist, ka divergjenca sipas interesave të veçanta të tre vendeve. Aktivitetet e tyre kanë qenë të kufizuara prej frikës së secilit prej fqinjëve, se një ndryshim i regjimit mund të bëjë të përfitojë fqinjët e tjerë apo se kriza mund të përhapet në rajon. Përpjekjet e grupeve të brendshme të rezistencës dhe të atyre në emigracion janë të pakoordinuara dhe objektivat e tyre bien në konflikt me njëri-tjetrin, dhe këto faktorë kanë lehtësuar punën e forcave të sigurisë duke i izoluar elementët dhe duke shkatërruar grupet individuale. Në kushtet aktuale rezistenca nuk është një kërcënim për regjimin komunist dhe pa ndihmë të jashtme, forcat e sigurisë do ta kufizojnë.
Arritja e një marrëveshje Greqi-Jugosllavi-Itali
Ekzistenca e shtetit shqiptar në të kaluarën është varur gjithmonë nga mendësia e fuqive të mëdha. Megjithëse tre fqinjët kryesorë të Shqipërisë supozohet të dëshirojnë eliminimin e regjimit aktual në Shqipëri, interesat e tyre përfundimtare mbi vendin janë të papajtueshme mes tyre. Prej izolimit të Shqipërisë nga orbita sovjetike në 1948, pozita e fqinjëve ka qenë ajo e pozicionit të caktuar nga ku të përfitojnë sa më shumë në rast të përmbysjes së regjimit Hoxha. Si rezultat secili prej tyre i kundërvihet lëvizjeve të tjetrit, duke sjellë një shpërndaje dhe konfuzion të rezistencës në Shqipëri. Rivaliteti mes tyre është gjithashtu një faktor që kufizon operacionet e kombeve edhe në zhvillimin e planeve të koordinuara të mbrojtjes në Evropën juglindore. Italia e Jugosllavia kanë pranuar parimin e Shqipërisë së pavarur e sovrane, në kufijtë aktualë, jashtë kontrollit sovjetik. Kurse Greqia deri tani nuk e pranon parimin, prej pretendimeve për Epirin e Veriut.
Si operonte lidhja shqiptare në Jugosllavi
Qëllimi i Titos duket se është krijimi i një regjimi anti-sovjetik në Shqipëri dhe rikthim i statusit të saj të viteve 1944-1948. Me sa duket për këtë qëllim i krijua në Jugosllavi në maj 1951 Lidhja e Refugjatëve Politikë Shqiptarë në Jugosllavi. Lidhja pretendon të përfaqësojë rreth 5.000 shqiptarë në Jugosllavi dhe kontrollohet nga komunistët që u larguan nga Shqipëria pas vitit 1948. Ajo është krijuar nga Beogradi si një instrument i politikave jugosllave dhe ka si objektiv të deklaruar një Shqipëri “të lirë, të pavarur, të pandashme, demokratike e republikane”. Lidhja ka kryer disa operacione spiunazhi, kabotazhi dhe propagande, dhe zotëron potencial për operacione më të gjera. Por është ndoshta pozita e ekspozuar aktualisht e Jugosllavisë pas ndarjes me BRSS, ka penguar Titon të përdorë Lidhjen me fuqi të plotë. Zyrtarët jugosllavë kanë thënë se përpjekje serioze për përmbysjen e regjimit të Hoxhës mund të bëhen pretekst për Bashkimin Sovjetik për veprime ushtarake ndaj Jugosllavisë.
Plani i CIA për propagandë kundër Hoxhës
-Botimi i gazetës Shqipëria në gjuhën shqipe dhe përdorimi i përmbajtjes së saj kryesore për broshurat e propagandës së lëshuar nga ajri në Shqipëri.
-Botimi në kohën e duhur të njoftimeve periodike mbi Shqipërinë, i publikuar në anglisht, frëngjisht e italisht, i shpërndarë në agjencitë kryesore të shtypit perëndimor.
-Përgatitja e teksteve të broshurave të propagandës dhe shkrimet e transmetimeve klandestine në radio.
-Operacioni i “letrave helmuese” me postë, kundër liderëve të lartë të regjimit komunist në Shqipëri.
-Monitorimi i Radio Tiranës, monitorim i shtypit botëror për lajme mbi Shqipërinë, që mund të përdoren në programin tonë të propagandës.
-Lidhjet me grupet e emigrantëve, veçanërisht me ato që bëjnë pjesë në Komitetin Kombëtar të Shqipërisë së Lirë.
Synimet e SHBA dhe grupet e angazhuara
Një oficer i selisë kryesore do të mbajë lidhje me selinë kryesore të NCFA në Nju Jork.
Të gjitha lidhjet e tjera të mbahen nga grupi i Shqipërisë së CIA, përveç kontakteve me agjentin e publikimit të Shqipëria në Romë, i cili do të lidhet me një oficer të SE. NCFA është e përbërë nga përfaqësues të grupeve kryesore politike të Shqipërisë si dhe nga të pavarur. Komiteti ekzekutiv i saj përbëhet nga liderë të të gjitha grupeve, pas riorganizimit të tij në dhjetor 1953 ku u përfshinë dhe elementë që më parë nuk përfaqësoheshin. Grupi i shënjestruar është populli shqiptar, në sensin që të gjithë përpjekjet e NCFA kanë si qëllim krijimin e një atmosfere rezistence kundër regjimit dhe përfundimisht çlirimin e popullit prej tij. Qeveria komuniste e Shqipërisë të bëhet objektiv i talljeve dhe i tentativave për dezertim.
Frika e amerikanëve nga OKB
Shqetësimi parësor i sigurisë është që mbështetja e qeverisë amerikane për NCFA të mos bëhet objekt i provuar me dokumente përpara enteve të rëndësishme si OKB apo organizata të tjera ndërkombëtare dhe artikujsh turpërues në gazeta e media. Metodat aktuale të fragmentimit të operacioneve besohet të reduktojnë rrezikun e këtij skenari në minimum. Ekspozimi ndaj OKB apo grupeve të tjera ndërkombëtare i mbështetjes për NCFA nga agjenci shtetërore amerikane do të turpëronte qeverinë amerikane. Por për operacionet është ruajtur masa e distanciit dhe mospranimit të përgjegjësisë. Mbyllja e projektit do të sillte një problem për angazhimin e personelit të NCFA dhe tentativa të rivendosjes së tyre duhet të kryhen. Plani i katastrofës: Personeli i rëndësishëm i NCFA përfshihet në planet e katastrofës/evakuimit drejt Italisë apo vendeve të tjera në Mesdhe, por jo drejt Shteteve të Bashkuara.
Projekti OBLIVIOUS për rrëzimin e regjimit
Projekti OBLIVIOUS ka qenë operativ që prej vitit 1949, si nën-degë e projektit OBOPUS (i njohur më parë si BGFIEND). Qëllimet e tij janë ndjekja e përpjekjeve për përmbysjen e suksesshme të regjimit komunist në Shqipëri. Operacioni i përkushtohet disa anëtarëve të komitetit që kanë mbështetur me besnikëri politikat e SHBA, për mbështetje të vazhdueshme në rast nevoje. NCFA njihet në vend dhe konsiderohet si një pikë bashkimi e shqiptarëve në e migracion. Ndër rezultatet e pritura janë ngacmimet e vazhdueshme të regjimit komunist në Shqipëri, ndjellja e shpirtit të rezistencës, dhe kur suksesi të besohet i mundshëm, të sponsorizohet grushti i shtetit. Efektiviteti i operacioneve survejohet periodikisht nga agjenti i caktuar i agjencisë, si dhe nga shërbimet britanike.
Jugosllavia donte një Shqipëri të pavarur
Më 26 maj, gjatë një bisede me amerikanët, Xhilas deklaroi se Jugosllavia dëshironte një Shqipëri të pavarur dhe jo të ndarë mes Italisë e Greqisë; ata nuk do të kundërshtonin nëse qeveria e kontrolluar nga Cominform përmbysej dhe se grupe demokratike ekzistonin ën Shqipëri si një alternativë ndaj qeverisë së Hoxhës. Ai tha gjithashtu se nuk ishin të frikësuar nëse një ndryshim në Shqipëri do të provokonte Rusinë. Në një bisedë me të njëjtin burim, Leo Mates, asistent-ministër i punëve të jashtme, deklaroi se Shqipëria nuk ia vlen për një luftë botërore, pasi Rusia mund të veprojë nëse i kërcënohet prestigji. Ndërsa ministri jugosllav në Romë, tha më 28 maj se nuk besonte se rusët do të vepronin nëse kërcënohej Shqipëria, duke cituar si arsye mungesën e marrëveshjeve për të tilla situata mbrojtjeje. Në qershor një emisar jugosllav u takua në Romë me anëtarë të BKI dhe deklaroi se Tito do të përdorë forcën, nëse është e nevojshme për të mbrojtur integritetin e Shqipërisë Komunizmi, edhe pse i nevojshëm për jugosllavët, mund të jetë i dëmshëm për Shqipërinë Çlirimi i Shqipërisë mund të vijë vetëm nga Prizreni, tentativat nga seli të tjera do të sjellin vetëm sakrifica të pavlera Shqiptarët e Jugosllavisë po përgatiten të përmbysin regjimin aktual në momentin më të mirë. Jugosllavia nuk beson se BRSS do të hyjë në luftë për Shqipërinë. Operacionet jugosllave të agjenturës në Shqipëri janë rritur muajt e fundit dhe shqiptarët në Jugosllavi po trajnohen më mirë. Përmendja e një kabllogrami shtetëror ku raportohet se grekët janë të alarmuar për qëllimet jugosllave në Shqipëri, dhe se më mirë pranonin ndarjen e saj sesa të aneksohej nga Jugosllavia, ishte për të ilustruar qëllimet aktuale greke.
CIA propagandë përmes shtypit e radios
Gazeta Shqipëria, organi i çdo dyjavshëm i Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë, u botua sipas programit për muajin gusht. Një broshurë, në fomin e miniaturës së botimit Shqipëria është aprovuar për lëshim nga ajri në Shqipëri. Artikulli kryesor i saj është një shkrim në përgjigje të shkrimeve të shpërndara nga jugosllavët në fillim të qershorit, në emër të lidhjes së refugjatëve politikë shqiptarë. Faza e parë e operacionit BGFIEND është aprovuar për lëshime e propagandës dhe furnizimeve të agjentëve. Po ndërmerren veprimet për prokurimin e 30 000 thasëve të furnizimeve me nga gjysmë kilogram miell, për t’u lëshuar fshehtësish mbi Shqipëri. Secili prej tyre do t përmbajë dhe nga një broshurë propagande. Disa testime për lëshimet e tyre janë kryer me sukses.