Cili do të jetë roli global i Britanisë pas Brexit?
Ndërsa afrohet dalja nga Bashkimi Evropian në vitin 2019, Britania po përpiqet të përcaktojë një rol të ri në arenën botërore. Shumë analistë thonë se Londra mund ta ketë të vështirë që ta ruajnë ndikimin e saj, ndërsa fuqitë botërore kërkojnë një përfaqësim më të gjerë në organizma globale si Kombet e Bashkuara. Por siç njofton nga Londra korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, qeveria britanike këmbëngul se po përpiqet të ndërtojë aleanca globale përtej Evropës.
Një sekretar i jashtëm britanik e kishte përshkruar dikur rolin e vendit të tij në arenën ndërkombëtare si më ambicioz sesa kapaciteti i tij ekonomik. Por Britania duket se po e humbet këtë rol.
“Të dalësh nga Bashkimi Evropian do të thotë se Mbretëria e Bashkuar mund të konsiderohet si një ekonomi e mesme në një botë gjithnjë e më të polarizuar, ku ka tani blloqe masive ekonomike. Bëhet fjalë për Shtetet e Bashkuara, Kinën, Bashkimin Evropian. Në shekullin e ardhshëm, do të konkurrojnë edhe India, Amerika e Jugut që po fuqizohet, si edhe Afrika. Cili do të jetë vendi i Britanisë”?, thotë Luke McDonagh i Universitetit të Qytetit të Londrës.
Sipas tij, një shenjë e ndikimit në rënie ishte humbja e vendit të një gjykatësi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Pas një beteje të gjatë në Kombet e Bashkuara, Londra e tërhoqi kandidatin e saj. Një gjykatës indian zuri vendin që Britania e kishte patur që nga krijmi I këtij organizmi në vitin 1946.
“Sot loja e pushtetit është shumë ndryshe nga ç’ishte në vitin 1945. Dhe na duhet të shtrojmë pyetjen nëse Këshilli i Sigurimit do të vazhdojë në këtë formë për një kohë të gjatë”.
Por shumë analistë thonë se nuk ka gjasa që Britania ta humbasë vendin e përhershëm në Këshillin e Sigurimit në të ardhmen e afërt.
“Shumica e fuqive të mëdha në Këshillin e Sigurimit, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Kinën, nuk duan reforma serioze për institucionin në të ardhmen e afërt”, thotë Richard Gowan i Këshillit Evropian për Marrrëdhëniet me Jashtë.
Britania këmbëngul se ambicia e saj pas Brexit-it është që të krijojë një “Britani Globale”.
“Nga njëra anë, shërbimi i huaj britanik do të jetë më shumë në gjendje të investojë më shumë burime në çështjet e Kombeve të Bashkuara, tani që nuk do të jetë aq i fokusuar tek Bashkimi Evropian. Por nga ana tjetër, pa mbështetjen e 27 anëtarëve të tjerë të BE-së, britanikët do ta kenë shumë më të vështirë që të ushtrojnë ndikim në debatet për çështjet humanitare, të zhvillimit ose sigurisë përmes OKB-së”.
Një gjë e tillë u vu re në qershor, kur shumë vende të BE-së nuk votuan pro-Britanisë për një rezolutë lidhur me pretendimin e saj mbi Ishujt Chagos në Oqeanin Indian.
Gowan thotë se Britanisë i duhet mbështetja e Evropës.
“Nëse britanikët do të japin përshtypjen se thjesht po afrohen me amerikanët, do të sakrifikojnë shpejt vullnetin e mirë të partnerëve ervopianë”.
Analistët thonë se në përpjekjet për një rol të rij në arenën botërore, Britanisë do t’i duhet të lidhë aleanca të reja, duke mbajtur ndërkohë pranë miqtë historikë dhe duke punuar për të vendosur stabilitet brenda vendit./VOA/