Albspirit

Media/News/Publishing

Hoyt Yee, në përfundim të detyrës si Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se Hoyt Yee është në përfundim të detyrës si Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit për Çështje të Evropës Qendrore dhe Jugore, një post që e ka mbajtur që në shtator të vitit 2013.

Zëdhënësi i bëri këto komente në përgjigje të pyetjes së Zërit të Amerikës nëse zoti Yee kishte dhënë dorëheqjen, siç kishin njoftuar sot disa media në Ballkan.

“Siç e dini, thotë zëdhënësi, diplomatët amerikanë lëvizin nga postet çdo dy vjet, në kuadrin e një procesi normal të emërimit në poste të reja.”

Zoti Yee ka shërbyer në postin aktual prej katër vjetësh.

“Në këtë moment, tha zëdhënësi, nuk kemi ndonjë njoftim për detyrën e ardhshme të zotit Yee.”

“Ne i jemi mirënjohës zotit Yee, për vitet e tij të shërbimit dhe përkushtimit në këtë pozicion dhe i urojmë më të mirën në detyrën e tij të ardhshme”, tha zëdhënësi me anë të një deklarate.

Please follow and like us: