Albspirit

Media/News/Publishing

Masiela Lusha, humanistja shqiptare që jeton në SHBA

Fotografia e MASIELA LUSHA

Ajo është aktore, shkrimtare, producente dhe humaniste. Masiela Lusha është një ndër shqiptaret më të famshme dhe më të suksesshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shumë e talentuara Masiela Lusha fitoi famë në serialin televiziv “George Lopez” dhe, qysh në moshë të vogël, ajo u shqua për talentin e saj. Revista “Teen Magazine” do ta cilësonte atë si ndër pesë të rinjtë, që do të kishte shansin e suksesit.

Në fushën e letërsisë, Masiela u cilësua si shkrimtarja më e re në botë, 12-vjeçare, që publikon një libër në dy gjuhë. Disa vite më parë, ajo themeloi Fondacionin “Fëmijët e botës”, ndërsa aktualisht është ambasadore Ndërkombëtare për të Rinjtë.

E lindur në Tiranë, Masiela jetoi vetëm 5 vite në Shqipëri. Ajo u largua fillimisht drejt Hungarisë, e më pas në Austri, për t’u vendosur përfundimisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1993. Lusha filloi të bëhej e famshme, kur luajti në televizionin amerikan si një vajzë shumë e pasionuar dhe e pabindur, Carmen Lopez.

Për vite me radhë, kjo shfaqje u shpërnda nëpër televizionet botërore, si një program shumë i pëlqyer. Gjatë pesë viteve Lusha xhiroi mbi 100 episode, të cilat e bënë në njëfarë mënyre veterane të televizionit, që në moshën 20-vjeçare.

Në të njëjtën kohë, ajo vazhdoi të xhironte filma të ndryshëm. Ajo është vlerësuar dy herë rresht me çmimin më të lartë për moshën e saj, “Artistja e re më e mirë”. Përgjatë karrierës, fotografitë dhe emri i saj janë vendosur në një numër të konsiderueshëm të revistave amerikane dhe botërore, si “e veshura më e bukur”.

Një tjetër aspekt i suksesshëm i saj janë librat. Përveç shumë çmimeve, ajo ka tërhequr vëmendjen e ish-Presidentit të SHBA-ve, Bill Clinton, i cili ka shkruajtur personalisht dhe i dërguar urimet e tij të përzemërta, duke e inkurajuar që të vazhdojë krijimtarinë e saj për të qëndruar si një shëmbull i mirë, jo vetëm për Amerikën dhe Shqipërinë, po për gjithë botën mbarë.

Përveç krijimtarisë së saj, ajo ka përkthyer në anglisht edhe shumë poezi e thënie të Nënë Terezës.

Fotografia e MASIELA LUSHA

 

Please follow and like us: