Albspirit

Media/News/Publishing

Pikturat plot elegancë të Flutura Maçit

Pikturat e mistershme dhe plot elegancë të Flutura Maçit në ekspozitën “Breza në artet figurative”

Albert Z. ZHOLI

Ekspozita, “Breza në artet figurative” ka mëse një muaj që është hapur  për publikun në sallën e ekspozitave të Muzeut Historik Kombëtar. Kjo ekspozitë tepër interesante dhe shumë e vizituar  vjen në edicionin e tretë me punime të artistëve të njohur Guri Madhi, Fadil Pëllumbi, Sali Shijaku, Aristotel Papa, Lec Shkreli, Shaban Hysa, Kujtim Buza, Rexhep Aliaj, Minella Tanellari, Agim Faja, Kleo Nini, Robert Permeti, Idriz Balani, Leka Rudha e shumë të tjerë. Në këtë ekspozitë janë përfshirë plot 31 artistë të cilët  janë prezantuar  me 81 punë, që sipas piktorit dhe kuratorit Robert Përmeti prezantohen për herë të parë. Piktorja Flutura Maçi është pjesëmarrëse për herë të dytë në këtë ekspozitë tepër të komentuar.

E veçanta e ngjyrës së pikturave të Fluturës..

Në dy tablotë e kësaj ekspozite mbizotëron ngjyra e muzgut. Kjo gamë e një bluje të thellë e bën të ëndërroj, të kujtojë, të përjetojë ngjarje, njerëz.

Në tablonë e pare…

Në tablonë e parë në një ambient peizazhi duken dy njerëz që bisedojnë. Duken të afërt. Mbase shprehin ndjenjat. Mbase kanë ndonjë mister që i lidh. Dhe diku duket një hije. Pra asgjë nuk mbetet e fshehtë përgjithmonë. Megjithatë arti nuk shpjegohet, përjetohet. Secili sipas ndjenjës që i zgjon tabloja, subjekti, mënyra e pikturimit, gama koloristike, formati, viti i realizimit, etj…detaje që ndoshta dhe vetë piktorja i ka bërë pa qëllim, pa ide fikse

Në tablonë e dytë…

Në tablonë e dytë duket një zonjushe mbështetur në karrigen e një lokali apo verande në sfond duket një det larg. E gjithë figura mbështillet po me një blu muzgu. Vajza ndriçohet me një dritë ngjyrë rozë. Duket e rastësishme kjo ngjyrë, por piktorja këtë moment ka fiksuar. Ide e saj, apo thjesht një dëshirë? Këto tablo nuk janë të punuara një seancë, por në një kohë të gjatë , ose më mirë të themi shtrirë në kohë. Pra piktorja do të thotë se thjeshtësia nuk arrihet thjesht.

Mesazhi…

Këto dy tablo të ekspozuara në ekspozitën “BREZAT” në artet figurative duken si diptik, por qëndrojnë edhe si tablo më vete. Mesazhi i tyre është vazhdimësia e jetës, artit, pikturës si dukuri njerëzore me vlera të veçanta dhe të spikatura. Pjesëmarrja në dy edicione në këtë ekspozitë me shumë vlera në vitet 2016 -2017 e ka nderuar piktoren, pasi ajo ka përkrah emra të mëdhenj të pikturës si Guri Madhi, Sali Shijaku, Fadil Pëllumbi, e më të rinj si Robert Përmeti, Noset Shijaku, Pëllumb Bylyku, Minella Tanellari, Kleo Nini, Rexhep Aliaj, Majlinda Aliaj, Gjergj Meta, etj…

Please follow and like us: