Bannon dorëhiqet nga rrjeti konservator i lajmeve Breitbart
Ish strategu i Shtëpisë së Bardhë Steve Bannon dha dorëheqjen si kreu ekzekutiv i Rrjetit të Lajmeve Breitbart, njoftoi ky rrjet të martën.
Dorëheqja vjen në klimën e krijuar pas komenteve të ashpra që thuhet se ai ka bërë në adresë të Presidentit Donald Trump dhe familjes së tij në librin e titulluar “Zjarr dhe furi” të autorit Michael Wolff që doli në qarkullim javën e kaluar.
Wolff shkruante në libër se zoti Bannon e quajti “akt tradhtie” dhe “jopatriotik” një takim të vitit 2016 mes të birit të presidentit, Donald Trump Jr, dhëndrrit të Presidentit, Jared Kushner, dhe disa shtetasve rusë.
Zoti Bannon parashikonte gjithashtu në libër se Robert Mueller, prokurori i posaçëm që heton rreth një bashkëpunimi të fshehtë mes fushatës së zotit Trump dhe Rusisë, do ta “thyente” të birin e zotit Trump “si një vezë në televizionin kombëtar”.
Senati i SHBA, Dhoma e Përfaqësuesve dhe një prokuror i posaçëm po hetojnë rreth çdo ndërhyrjeje të supozuar ruse në zgjedhjet presidenciale, akuzë që mohohet si nga Kremlini ashtu edhe nga zoti Trump.
Presidenti dhe stafi i tij e kanë sulmuar ashpër zotin Bannon, duke e quajtur atë të pabesë dhe të paturp. Presidenti tha javën e shkuar se Bannon “humbi logjikën” pasi u hoq nga Shtëpia e Bardhë në muajin gusht.
Pas bujës që shkaktoi libri, zoti Bannon qëndroi disa ditë në heshtje, por pastaj u përpoq t’u bënte korrigjime komenteve. Të dielën, ai lëshoi një deklaratë të dielën ku lavdëronte të birin e presidentit, por nuk kërkoi falje për kritikat që kishte bërë ndaj vajzës së presidentit, Ivanka Trump dhe bashkëshortit të saj, Kushner.
Si pasojë e librit, Bannon humbi gjithashtu financuesen e tij kryesore, Rebekah Mercer. Zonja Mercer dhe i ati i saj, miliarderi Robert Mercer, pjesë e Breitbart News Network, janë disa nga pronarët e Rrjetit Breitbart News dhe kanë ndikim në funksionimin e këtij rrjeti. Javën e kaluar, zonja Mercer u distancua nga Bannon, duke thënë në një deklaratë se mbështeste Presidentin Trump dhe platformën mbi të cilën ai është zgjedhur.
Bannon iu bashkua rrjetit Breitbart në vitin 2012 dhe ndihmoi në rritjen e ndikimit të këtij rrjeti, të cilin ai dikur e pat quajtur platformë e së djathtës alternative, një bashkim i lirë i neonazistëve, supremacistëve të bardhë dhe antisemitëve.
Shtëpia e Bardhë nuk komentoi menjëherë rreth lajmit për largimin e zotit Bannon, por sekretarja e shtypit Sarah Huckabee Sanders, javën e kaluar, i bëri thirrje Rrjetit konservator të lajmeve të “shihte mundësinë” e distancimit nga zoti Bannon.