Albspirit

Media/News/Publishing

Kadare fiton çmimin e madh ‘Nonino’ në Itali

Shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare është fituesi i edicionit 2018 të çmimit “Nonino”, i promovuar për 43 vjet në qytetin e Udines, Itali, dhe i destinuar për figura të mëdha të kulturës botërore nga një juri e kryesuar nga Nobel V.S. Naipaul.

Çmimi Nonino 2018 iu dha edhe filozofit italian Giorgio Agamben, krijues i konceptit “Homo Sacer”, qënie njerëzore jeta e të cilit është e shenjtë.

Ceremonia e dhënies së çmimit do të zhvillohet në Distilleries Nonino në Ronchi di Percoto (Udine) më 27 janar, shkruan agjencia italiane e lajmeve ANSA.

Ismail Kadare, shkrimtar i madh i letrave shqipe dhe jo vetëm, kandidat i çmimit Nobel në letërsi, lindi më 28 janar të vitit 1936 në Gjirokastër. Nga “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, që e bëri të njohur në gjithë botën, në “Daullet e shiut”, veprat e tij më të zhytura në natën e legjendës ballkanike janë , “Kush e solli Doruntinën” apo “Ura me tri harqe” apo ato me frymëzime të së tashmes si “Tri këngë zie për Kosovën”.

Në vitin 1996 , Kadare u pranua anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca; në 2005 fitoi Man booker International Prize dhe në vitin 2009 mori çmimin Prince of Asturias për Artet. Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare ka fituar Çmimin “Jeruzalemi” për vitin 2015. Ai u konsiderua me këtë rast shkrimtari që i dha shprehje lirisë njerëzore në librat e tij.

Në 13 maj 2016 , Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi shkrimtarit të shquar “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”.

Please follow and like us: