DEKLARATA E VATRES PER GJUHEN SHQIPE NE MAQEDONI
VATRA PERSHENDET MIRATIMIN E LIGJIT PER GJUHEN SHQIPE NGA PARLAMENTI I MAQEDONISE
Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” përshëndet vendimin e Parlamentit të Maqedonisë për miratimin e ligjit për përdorimin zyrtar të gjuhëve të bashkësive etnike.
Federata Vatra e vlerëson si hap pozitiv të arritur në një shtet ku dasitë etnike janë të theksuara.
Vatra e vlerëson pozitivisht Vendimin sepse Ligji lejon që gjuha shqipe do të përrdoret për të parën herë edhe në Qeveri; edhe në Kuvend, por edhe në të gjitha organet e tjera të pushtetit qëndror, ndërmarrjet publike, agjensitë, drejtoritë, Komisionet etj.Ky Ligj avancon përdorimin zyrtar të Gjuhës shqipe në të gjitha organet e pushtetit qëndror dhe lokal.
Vatra përgëzon bashkësinë shqiptare për këtë arritje dhe bën thirrje që edhe për të ardhmen faktori shqiptar, qoftë ai në opozitë, qoftë në pozitë, të bashkohen në çështje Kombëtare, si kjo.
Vatra mendon se ky ligj është jo vetëm një arritje për shqiptarët , por edhe për vetë maqedonasit dhe do të ulë tonet e grindjeve dhe dasive etnike dhe garanton të drejtat e njeriut sipas kartave ndërkombëtare.
Edhe pse ky Ligj është ende larg plotësimit të zotimit që Partia Social Demokrate e Kryeministrit Zoran Zaev, pat premtuar kur mori mbështetjen e partive shqiptare, sërish përbën një hap përpara në betejën e gjatë të shqiptarëve të Maqedonisë për përdorimin e gjuhës shqipe dhe i hap rrugën marrjes së statusit të barabartë të Gjuhës shqipe me atë maqedonase, ç’ka do të kërkonte ndryshimin e Kushtetutës. Beteja mbetet e hapur dhe shqiptarët duhet të punojnë edhe për këtë objektiv madhor.