Albspirit

Media/News/Publishing

Shqipëri-Greqi, kronika e gjatë e Ligjit të Luftës

Qeveritë shqiptare të pas vitit 1990 i janë përmbajtur në përgjithësi qëndrimit se ligji i luftës me Greqinë është një pengesë objektive në raportet mes të dyjave vendeve. Qeveritë greke nga ana e tyre kanë lexuar te kërkesa shqiptare një manovër për të aktualizuar politikisht çështjen çame, e cila lidhet parimisht me pronat, por patjetër që ka rrjedhoja politike të paparashikueshme.

Diskutimi nëse ligji i luftës ekziston apo jo, të paktën në media, ka lindur si pasojë e një dyzimi të vazhdueshëm mes aspektit juridik të çështjes dhe atij politik. Politika përherë ka folur për marrëdhënie të mira dhe se ka vullnet për zgjidhje, por mbajtja në fuqi e kleçkave të këtilla, provon se dyshimi dhe loja me dy porta është prezente nga të dyja palët.

Teknikisht, argumenti më i qëndrueshëm i palës greke për mohimin e ekzistencës së ligjit të luftës është ratifikimi i Traktatit të Miqësisë, Sigurisë dhe Fqinjësisë së Mirë, firmosur në mars të vitit 1996, meqenëse një dokument i tillë e zhbën qenien e gjendjes së luftës. Por siç u tha më sipër, gjendja e luftës është një konvencion që nuk kumton realisht marrjen e armëve, por mban të ngrirë nën garanci të vjetra juridike, disa çështje që përndryshe mund të zgjidheshin. Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, bëhet zyrtari i parë që deklaron publikisht se pikëpamja shqiptare se ka një ligj lufte dhe se ai duhet shfuqizuar në të gjitha drejtimet dhe me plotfuqinë e dekretit që e sanksionoi, qëndron. Nga kjo pikëpamje duhet thënë se ka një hap përpara. Por për të kuptuar kompleksitetin e kësaj çështjeje është e udhës të rreshtojmë zhvillimet kryesore që lidhen me rrjedhojat e këtij ligji që nga dekreti mbretëror i vitit 1940.

Që nga ky dekret, çështja do të vinte në vëmendje të autoriteteve greke në vitin 1971 kur edhe u vendosën marrëdhëniet diplomatike mes të dyja shteteve. Pavarësisht kësaj, Greqia nuk e pa të udhës të shfuqizonte dekretin, për t’i dhënë një trajtim juridik të pjesshëm këtij paradoksi vetëm në vitin 1976, kur Këshilli i Shtetit, që kishte atributet e gjykatës më të lartë administrative, me vendimin e vet nr. 2327/76, përcakonte se “Shqipëria pushon së konsideruari si shtet armik, qëkur me të janë vendosur marrëdhënie të rregullta diplomatike”.

Pushon së qeni në fuqi dhe zbatimii ligjit  nr. 2636/1940 lidhur me gjendjen e luftës, pushim që sjell si pasojë të menjëhershme shfuqizimin automatikisht të sekuestrimit të pasurive shqiptare të pranishme në territorin grek”.

Ky akt duket se shërbente për të dhënë një përkufizim të përshtatshëm për situatën e krijuar pas vendosjes së marrëdhnëieve diplomatike, pasi gjykatat greke edhe më vonë, për çështje pasurore, referonin sekuestron konservative që rridhte nga dekreti i vitit 1940.

 

Në nivel politik çështja mori tjetër zhvillim në vitin 1981. Në muajin mars të këtij viti, deputetët e majtë, Anastasios Peponis dhe Iotas kërkuan nga qeveria greke heqjen e menjëhershme të Ligjit të Luftës me Shqipërinë dhe zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

  • Në vitin 1983 zëdhënësi i qeverisë greke, Dimitris Marudas, deklaronte se qeveria greke do të diskutonte me Shqipërinë –çështjen e statusit ligjor të Ligjit të Luftës.
  • Në vitin 1984, Carolos Papulias, asokohe ministër i Jashtëm,  e cilësonte ligjin e luftës si pengesën e fundit për zhvillimin e marrëdhënieve midis të dy vendeve.
  • Kësaj dinamike 10 vjeçare do t’i vinte fundi më 23 gusht të vitit 1986, kur qeveria e majtë, e drejtuar nga Andrea Papandreu, do të njoftonte se kishte ndërmend t’i jepte fund gjendjes së luftës mes Greqisë me Shqipërinë.

Rivali i tij opozitar, Contantine Mitsotakis, e kundërshtoi ashpër këtë qëndrim duke cilësuar se kushtet e jetesës së pakicës greke në Shqipëri e bënin të papranueshëm heqjen e ligjit në fjalë. Por qeveria e Papandreut njoftoi më 28 gusht të vitit 1987 abrogimin e ligjit të luftës me Shqipërinë, çka sërish u konsiderua nga Mitsotakis si “një akt politik dhe kombëtar i papranueshëm”. Mitsotakis preku edhe një aspekt që do të shërbente si argument për palën shqiptare. Sipas tij, ky ishte një vendim i qeverisë që nuk kishte kaluar në Parlament.

 

Qeveria greke e ripërsërit vullnetin e saj më 3 dhjetor 1987 kur Karolos Papulias deklaroi në Parlament se: “Vendimi i qeverisë greke për të avancuar në heqjen e ligjit të luftës me Shqipërinë, përbën një akt të lartë politik që iu përgjigj plotësisht ndjenjave paqedashëse të shumicës dërrmuese të popullit grek“.

Siç shihet që nga vendimi i Këshillit të Lartë të Shtetit e deri në vendimin e qeverisë greke, situata juridike nuk ka ndryshuar aspak, çka lë vend për diskutime për validitetin e vendimit të vitit 1976. Kjo është ecuria e trajtimit të kësaj çështjeje nga pala greke deri në vitin 1990. Pas vitit 1990, të dyja vendet firmosën Traktatin e Miqësisë, por ai ishte një premisë për zgjidhjen e çështjeve dhe jo se i zgjidhte ato.

Kështu në vitin 1999, qeveria greke njoftonte ambasadën shqiptare në Athinë përmes një note verbale se “ligjet për pronat në sekuestro konservative janë akoma në fuqi”.

Që nga kjo kohë e deri më sot, pala greke nis përdorimin e Traktatit të Miqësisë së vitit 1996 si argument për të interepretuar se ky dokument duhet konsideruar si përfundimtar në drejtim të kësaj çështjeje. Konkretisht këtë deklaroi në vitin 2003, kryeministri Costas Simitis, gjatë një takimi me Fatos Nanon, sipas të cilit:

Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit i ratifikuar nga të dy Parlamentet, ai i Greqisë dhe Shqipërisë i ka dhënë fund në mënyrë ligjore Ligjit të luftës, duke e mbyllur këtë çështje dhe tashmë të dy palët po angazhohen dhe do të vazhdojnë punën për zgjidhjen në mënyrë teknike të problemeve të krijuara nga ky moment. Juridikisht nuk ekziston ligji i luftës”.

 

Diçka që është larg të vërtetës. Në vitin 2011, mediat greke publikuan një letër të Drejtorisë së të Drejtës Ndërkombëtare Publike pranë Departamentit Ligjor të Ministrisë së Jashtme greke, e datës 16 nëntor 2007, ku në mënyrë të qartë thuhet:

“…që nga 10 nëntori 1940, shtetet e Italisë dhe Shqipërisë  përkufizohen si shtete armiqësore në kuptimin e ligjit të detyrueshëm Nr. 2636/1940”.

E njëjta letër theksonte se “të gjitha çështjet me Italinë me natyrë politike dhe ekonomike janë zgjidhur nga një sërë marrëveshjesh dhe konventash midis viteve 1946 dhe 1949”.  

Çështja rihapet në nivel politik në tetor të vitit 2013, gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm të Greqisë, Venizellos në Tiranë. Kërkesës së homologut Ditmir Bushati, Venizellos i dha këtë përgjigje:

Situata paqësore mes dy vendeve është shpallur zyrtarisht nga Këshilli i Ministrave të Greqisë në vitin 1987“.

Ky qëndrim i rikonfirmuar edhe në takimin me presidentin e Republikës, Bujar Nishani.

mars të vitit 2016 pas takimit me homologun Bushati, ministri Nikos Kotzias do të shprehej se “Greqia nuk është në luftë me Shqipërinë. Kjo duket nga Vendimi i vitit 1987 të Këshillit të Ministrave”

Duket se pala greke kishte shterruar të gjitha interpretimet, por pa bindur palën shqiptare se rrjedhimet juridike të dekretit të vitit 1940 ishin ndërprerë. Do vinte muaji qershor i vitit 2016 kur Kotzias do të rrumbullakoste deklaratat:

Greqia beson se me deklaratën e Këshillit të Ministrave të vitit 1987, ne nuk jemi në luftë. Kjo është e vërtetë. Nëse ekzistojnë nga pala tjetër dyshime, nëse jemi apo nuk jemi në luftë, do të jetë objekt i një diskutimi që do të zhvillohet dhe do të gjejmë të dyja palët një përgjigje të kënaqshme për të”, tha ai.

Vetëm një vit më pas dhe mesa duket pas këmbënguljes së qeverisë shqiptare për të mos ceduar në një “hollësi” të tillë, Kotzias do të deklaronte pas takimit të Kretës, se ligji i luftës duhet shfuqizuar me të njëjtën plotfuqi autoriteti me të cilin hyri në fuqi. Më 20 dhjetor të vitit 2017, Kotzias do të shprehej në një intervistë për televizionin shtetëror grek se:

Çështje prioritare abrogimi i ligjit të luftës. Pasojat ligjore do të përfshihen në një proces të posaçëm në vijim. Sipas këndvështrimit tim mënyra me të cilën Greqia i shpalli Luftë shqiptarëve u bë me Dekret Mbretëror. Ka dy mendime juridike për këtë. E para, dhe që unë jam më afër sepse i shkon mënyrën sime të të menduarit juridik, se në këtë periudhë Dekretit Mbretëror i korrespondon Dekretit Presidencial.

Është edhe një interpretim i dytë, i cili sipas mendimit tim nuk është aq i drejtë, por kjo do të hajë diskutimi kur t’i vijë koha, që thotë se Dekreti Mbretëror për Luftën është bërë në një kohë kur nuk kishte Parlament dhe si pasojë nuk mund të kishte një Dekret nga Parlamenti, prandaj tani që egziston parlamenti e ka ai të drejtën. Por Mbretit nuk i korrespondon Parlamentit…”.

Çështja duket se është pranuar se ekziston nga pala greke dhe duhet thënë se ajo është trajtuar në përgjithësi gjatë qeverisjeve të majta të të dyja vendeve. Mbetet për t’u parë përfundimi i këtij procesi që e vendos palën greke para një kërkese të cilën me gjasë ajo tanimë e ka pranuar./respublica/

Please follow and like us: